Letërsi

INTERVISTA/ Botim i UET-Press, Sokol Balla bashkëbisedim me studentët për librin e tij: A do ta bëj politikanin? Never say never!

Shkruar nga Liberale
INTERVISTA/ Botim i UET-Press, Sokol Balla bashkëbisedim me studentët

Gazetari dhe publicisti Sokol Balla ka promovuar librin e tij më të ri “Koli i Bardhës shkon në Afrikë”, botim i shtëpisë prestigjioze UET-Press, me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Në këtë takim, vetë autori, theksoi se prania e tij në këtë universitet, apo siç kishte dëshirë ta theksonte, në një botë të ngritur mbi librat, domosdo përballë tij do të ishte një auditor që shfaq një tjetër marrëdhënie me librat dhe për këtë arsye, mendon ai, se sikleti me audiencën mund të jetë më i vogël.

Dikush mund të pyes se për çfarë duhet një libër me shënime udhëtimesh. Ky në fakt nuk është një libër me shënime kujtimesh, sesa është një farë dëshmie e jetës në dy botë të ndryshme dhe e mundësisë që na u dha për t’i krahasuar këto dy botë: botës së cilës i përkisnim dhe botës të cilën deri diku e ndërtuam vetë. Në këto shënime që i përkasin tre dekadave të fundit, ka nota autobiografie, të cilat nisin që nga titulli autoironik i librit dhe deri te përshtypjet sesi bota jonë ka ndryshuar, se si ne kemi ndryshuar bashkë me botën dhe se si jemi përballur me ndryshimet e mëdha dhe si i kemi përjetuar ato”, theksoi Balla me studentët.

Sipas tij, nga emigrant shqiptarët janë kthyer në udhëtarë dhe kjo është një gjë shumë e fortë, pasi shqiptarët janë një komb emigrantësh. Për ta përforcuar më shumë sesa duhet ndoshta këtë ide, vetë autori i librit, me një pyetje retorike iu drejtua audiencës së tij, duke shtuar se në atë auditor universitar, askush nga të pranishmit nuk mund të mos ketë dikë nga familja apo rrethi familjar që s’jeton jashtë vendit.  

E them me shaka, që në Britaninë e Madhe i kam përjetuar tre etapat: si emigrant, gazetar dhe student. Besoj se të gjithë ne në familjet tona kemi përvoja të tilla. Shqiptarët janë një popull që ka udhëtuar gjithë jetën, që ka sfiduar veten. Përballja me realitetet janë të forta. Kur jemi përballur me Perëndimin vinim nga një botë e varfër, kemi pësuar një shock. Pastaj kur shkon në Afrikë si evropian, shokohesh për arsye të tjera”, tha ai.

Në fjalën e tij Balla nënvizoi edhe krahasimin e këtyre përvojave, duke lënë në fletë të bardhë edhe shënimet e udhëtimit, që sipas tij, nuk janë vetëm thjesht përshtypje udhëtimi, kujtime të disa udhëtimeve në kontinente të caktuara, por janë edhe një rrëfim për veten, për karakterin që ke pasur dhe për mënyrën se si ka ndryshuar: Se si një djalë i thjeshtë Tirane provoi emigracionin, provoi punën jashtë, provoi studentin, befas rikthehet dhe fillon jetën e tij në Tiranë. Fillon dhe udhëton, hap dritare të reja në universin e tij personal, aq sa në fund merr guximin që këto përshtypje t’i hedhë në një libër, t’ua japë të tjerëve që ata të kenë mundësi të gjykojnë edhe mbi personin që e ka shkruar por edhe mbi përshtypjet e tij për këto tre dekada shumë të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, por për më tepër në historinë e individit.

Ne jetonim në një shoqëri kolektive: të gjithë visheshim njësoj; të gjithë mbanim shallin e pionerit në qafë dhe pas ’91-shit secili ndoqi rrugën e vet. Besoj se në këtë libër shumë persona mund të gjejnë veten e tyre. Unë jam munduar të jem sa më realist, deri diku edhe autoironik, pasi mendoj se ajo është niveli më sublim i të qenit realist dhe objektiv me veten dhe botën që të rrethon”, tha Balla.

Në fund të fjalës së tij, gazetari dhe publicisti i njohur shqiptar, theksoi se ky libër, nuk mund të mos konsiderohet një libër i guximshëm, i shkruar njëkohësisht edhe me shumë dashuri. Për ta theksuar më shumë një fakt të tillë, Sokol Balla u detyrua të kthehet shumë javë pas, duke shkëputur nga kujtesa një pasazh nga promovimi i librit në Universtitetin Europian të Tiranës, kur dikush e kishte pyetur atje nëse në këtë libër ka nota biografie, por që autori atëherë e kishte mohuar si fakt, edhe pse diçka e tillë ekzistonte, duke shtuar se një gjë e tillë është një nga mënyrat më të mira për të rrëfyer vetveten.

INTERVISTA ME STUDENTËT

Jam fanse e juaja dhe kam ndjekur të gjitha emisionet e tij Top Story kryesisht në Top Channel. Ka qenë një nga emisionet më të mira të atyre kohëve dhe kjo më ka motivuar për studimet në Drejtësi. Cili është momenti apo pjesa që veçon në librin që ka shkruar?

Në radhë të parë më pëlqeu shumë motivimi që ke marrë. Edhe me Top Story edhe me Real Story, ndryshimi erdhi për arsye logjistike, jam përpjekur që gjithmonë të jem sa më i drejtë dhe të bëj pyetje që bazohen te logjika dhe te lidhja shkak-pasojë. Një nga arsyet pse një person merret me një emision televiziv është për t’iu përgjigjur pyetjes pse. Mundohem që kur trajtoj tema të caktuara, publikut dhe vetes, t’i jap përgjigjen e kësaj pse-së.

Sa i përket librit, me thënë të vërtetën, pjesa që më pëlqen më shumë është pjesa e fillimit, pasi shpjegoj arsyet pse po e bëj këtë libër dhe mënyrën se si një djalë i thjeshtë në Tiranë, që nuk vinte nga një familje e privilegjuar, nuk kishte lidhje me regjimin, nuk kishte gjak blu, me përpjekjet e veta, por edhe me pak fat, arriti të shëtisë botën.

Një nga kujtimet më të hershme në vitet ’82-’83 është blerja e një harte shumë e bukur me emrat e gjithë shteteve, kontinenteve, lumenjve, Mbaj mend që e kam përpirë atë hartë dhe imagjinoja sikur do të udhëtoja, duke qenë i bindur se nuk do ta bëja kurrë pasi gjithçka ishte e ndaluar. Në një moment ishte e ndaluar edhe të mendoje. Kur shkoj në vende të caktuara kujtoj atë hartë, madje në shtëpinë time e kam një hartë ku caktoj vendet që kam qenë. Ne jemi me fat që jemi në këtë botë dhe mendoj se para se të ikim duhet të konsumojmë atë që bota ofron.

Ajo është shumë e madhe dhe e larmishme, por në fund fare njerëzit janë të gjithë njësoj, ndryshojnë vetëm rrethanat në të cilat ata rriten. Në titull i jam referuar Afrikës, por shënimet janë nga të gjitha kontinentet. Edhe në Afrikë kupton që bota po zhvillohet shpejt, është futur interneti, njerëzit mund të jenë injorantë, por jo të pa zgjuar. Shpesh ti je i dënuar të jesh injorant, siç ndodhi me ne në regjim. Afrika ishte e dënuar nga kolonizatorët të ishte e izoluar. Sot lajmi përhapet me shpejtësi gjithandej dhe bota po zhvillohet me një shpejtësi dramatike. E quaj veten me fat që kam pasur mundësi ta shikoj botën. Do të doja ta bëja këtë deri në fund.

Sapo jam kthyer nga një vend shumë i largët dhe ai punonjësi i emigracionit nuk e besonte që do të qëndroja vetëm katër ditë, aq sa filloi të më merrte në pyetje. I thashë  se si gazetar isha mësuar me pyetje, por se kisha shkuar thjesht për të vizituar vendin e tij.

Pjesa e parë e librit ku shpjegoj se si një shqiptar i zakonshëm arriti të vizitojë në tre dekada më shumë se 150 vende të botës, besoj se është pjesa më interesante. Ka nota autobiografike ku rrëfej edhe veten time. Nuk është shumë e lehtë të rrëfesh sot veten tënde. Për shkak të profesionit ne jemi sot të gjykuar dhe të paragjykuar. Jemi të gjykuar me të drejtë, pasi secili ka të drejtën e gjykimit për sa kohë kemi zgjedhur të jemi persona publikë. Fatkeqësisht jemi të paragjykuar pasi jetojmë dhe jemi pjesë e kësaj bote.

Në mënyrë të heshtur, ky libër jep edhe disa përgjigje ndaj paragjykimeve që ngrihen ndaj një individi, për shkak të fshatit global ku jetojmë ku kushdo ka të drejtë të japë mendimin për gjithçka.

Ju keni lëvizur në disa televizione, nga RTSH te Top Channel, Vizion Plus, Neës 24 e së fundi në Abc Neës. Ka ndonjë arsye për këtë lëvizje apo thjesht interesi financiar?

Patjetër edhe për interes financiar. Më kujtohet shembulli i një autori që fitoi Çmimin Pulitzer në ’93- ’94 dhe ai dha një përgjigje shumë të bukur, kur e pyetën për çfarë punon, për famë apo para? Ai tha: “Në radhë të parë punoj për karrierën time, fama vjen e dyta, paratë vijnë të fundit”. Kur kam nisur punën në RTSH kam punuar pa para. Kur kam nisur punën në Top Channel jam paguar më pak se kudo tjetër. Kjo të jep përgjigje nëse paguhem mirë këtu ku jam apo jo.

Në një bankë private për punët e mia, një burrë diku 65-vjeç më tha: “Sokol, të ndjek kudo ku ke qenë. Por që nga Abc-ja mos lëviz më”. “Këtë nuk ta garantoj dot”, iu përgjigja, “sepse ose do lëviz punën, o do të lëviz karakterin”. Kështu që nuk mund të them se do rri gjithë jetën të Abc News, por të them, meqë ti je student gazetarie, se do të përpiqem të ruaj gjithmonë karakterin. Vendi i punës vjen gjithmonë i dyti dhe pagesa vjen e treta.

Duke qenë një person që ka pasur mundësi të vizitojë botën, cili është një element që ne duhet ta marrim nga bota dhe cili është një element që bota duhet ta marrë nga ne?

Në 2020 për shkak të pandemisë, kur bota dhe ne u izoluam, shumë prej nesh patën mundësi të bënin një gjë që nuk e kishim bërë më parë: të shikonim Shqipërinë. Sot them se vendi që kam parë më pak në botë është Shqipëria.

Dua që në një moment të caktuar të jetës sime t’i përkushtohem Shqipërisë. Ajo që lexoni sot në shtypin botëror është një realitet që ne e dimë: Shqipëria është një super vend i bukur, që në pak kilometra katrorë ofron borën, ujin, detin si dhe një kulturë të caktuar urbane që po zhduket sot në perëndim.

Nëse ti shkon sot në New York, në Londër, në Romë, Athinë, etj., qytete që ne dhe gjithë bota i preferon, konstaton që ato janë bërë qytete të pasigurtë. Ndërkohë, kur ti shkon në Tiranë, Durrës, Korçë, Shkodër, gjen një lloj qytetarie, relaksi që nuk e gjen tjetërkund. Në qytetet e huaja duhet të kesh kujdes në rrugë, në metro, pasi mund të biesh pre e sulmeve me thika nga grabitës etj.

Skena të tilla në Tiranë i kemi përjetuar në vitet e para të ’90-ës. Shqipëria jonë është po aq e bukur sa bota dhe ne duhet t’i rikthehemi asaj, pasi shpenzojmë shumë para jashtë shtetit dhe nuk e kthejmë kohën për të parë si ndryshon qyteti ynë. Kur kthehesha dikur nga jashtë në Tiranë e afrohesha te Zogu i Zi, thosha “OK, jam në shtëpi”.

Si krevati i shtëpisë nuk të bëhet asnjë krevat tjetër. Ajo që konstatoj tani, është gjithmonë diçka e re që sapo ka lindur në Tiranë. Këtu nuk dua të bëj propagandë sepse i njoh defektet e Tiranës, politikës, të djeshmes dhe të sotmes, aq sa jam i aftë të shikoj gabimet që do të bëjnë qeverisjet e ardhshme. Por mendoj se duhet ta shohim Shqipërinë me syrin që bota na sheh ne.

Ndonjëherë jemi më shumë kritikë sesa duhet ndaj vetes, gjë që ndodh edhe me grekët e italianët, por mendoj se në një moment duhet t’i kthehemi Shqipërisë pasi është një nga vendet padyshim më interesante sot në botë.

Pse në pjesën më të madhe të emisioneve tuaja trajtoni çështje politike? Jeni përshtatur më mirë në këtë lloj profili?

Emisione në showbiz nuk bëj dot. Unë tentoj të jem gazetar tradicional. Kam edhe një portal timin dhe mund ta bëja shumë mirë edhe atë, por nuk merrem shumë pasi kam zgjedhur gazetarinë tradicionale dhe jo atë të klikimeve.

Merrem me aktualitetin sepse nuk dua të bie në grepin e klikimeve. Në çdo televizor që kam punuar kam ndjekur filozofinë e investimit te kredibiliteti, te besueshmëria dhe jo te shikueshmëria. Unë kam punuar katër vjet në Londër te sesioni shqip i BBC dhe kam jetuar atje në kohën që lindi Sky News, pra lindi perandoria mediatike e Murdoch e cila tentoi sensacionin.

Futi nocionin e breaking news. Ne kishim ekranin e BBC dhe Sky News dhe kur dilte breaking news na linte zemra. Dhw kështu lindën gabimet e para, ku Sky korrigjonte breaking neës-et e veta. Në ato udhëzimet e çdo jave u fut shqetësimi për konkurrencë. Përgjigja që na jepej ishte kjo: Nuk ka rëndësi kush e jep lajmin i pari, ka rëndësi kush e jep lajmin të saktë.

Kur isha te Top Channel, jemi investuar me një grup të madh kolegësh, që të arrinim te pika që një lajm është i vërtetë vetëm kur e jep ky televizion. Jam shumë krenarë që në atë kohë ia kemi arritur kësaj gjëje dhe modestisht jam munduar që kudo që punoj të ndjek këtë metodë. Në momentin që fillon dhe bën vetëkorrigjim, mund të kesh fituar 10 klikime më shumë, por ke humbur 10 shikues. Puna është sa shikues besnik ke dhe jo sa shikues për një lajm.

Është shumë e lehtë t’i ngatërrosh sot profesionet, të bësh gazetarin, të bësh edhe pazarxhiun, të bësh edhe kriminelin. Tundimet janë njerëzore. Ka pasur shumë oferta të tilla, tentime të caktuara nga individë. Iu kam rezistuar gjatë gjithë kohës dhe sot jam krenar që emri im nuk del në SkyECC, EncronChat, as në tendera, as në inceneratorë.

Cili është çelësi për t’u bërë një gazetar i suksesshëm në televizion?

Në radhë të parë nuk ka rëndësi të jesh i bukur. Gazetarët dhe gazetaret që punojnë sot në botë, te RAI, BBC, SKY, CNN, nuk janë gazetarë të bukur, janë gazetarë me integritet, që nuk kanë frikë të bëjnë pyetje, nuk intimidohen. Sot jetojmë në një periudhë kur politikani është edhe gazetar, siç është Trumpi, ERTV, qytetari digjital. Përballja nuk është e barabartë, por është reciproke. Një politikan të kthehet ty dhe harrojnë se janë ata që duhet të përgjigjen. Integriteti dhe përkushtimi janë të domosdoshëm. Shpesh tentojmë t’i krahasojmë gazetarët dhe themi ky ka më shumë talent se tjetri. Është një debat i vjetër nëse është më i rëndësishëm talenti apo puna.

Është një debat social dhe merret gjithmonë rasti i Maradonës dhe Batistutës. Maradona ishte gjeni. Rrinte deri në orën pesë të mëngjesit duke pirë, party, drogë, alkool, femra. Nuk shkonte në stërvitje dhe kur futej në orën një në ndeshje shënonte tre gola.

Ndërkohë, Batistuta rrinte 14 orë në palestër, nuk pinte alkool e drogë, gjithë jetën me gruan e vet. Modeli i Maradonës është më miklues. Modeli i Batitstutës është i lodhshëm. Unë them se është e rëndësishme që njeriu të bëjë orët e punës. Duhet të jemi konsistentë. Thonë se Mozarti ka kompozuar që në moshën 3-4 vjeçare, por muzika e tij ka qenë mediokre deri kur ai bëri 17 vjeç.

Deri atëherë ai bëri 17 mijë orët e famshme të punës, një rregull që nuk e kam shpikur unë. Kur ti bën 17 mijë orë pune, atëherë ke rezultat. Talenti është i mirëpritur, por mendoj se puna dhe konsistenca janë çelësi i suksesit.

Ti mund të dështosh, të gabosh, të ngrihesh në këmbë dhe të korrigjohesh gjatë rrugës. Kur kam filluar në ’92-shin te RTSH unë shkoja në punë në shtatë të mëngjesit dhe kthehesha në shtëpi në dy të natës. Kur punonim te “Gazeta Shqiptare” dhe “Koha Jonë, mbaj mend që mamaja ime, të cilës i kam dedikuar edhe titullin e librit, më priste në orën katër të mëngjesit për të më ngrohur darkën. Me kalimin e kohës punon më pak se punojnë vitet për ty. Por mendoj se konsistenca dhe këmbëngulja në punë është çelësi i suksesit.

Unë punoj me gazetarë të rinj, nga 23 në 40 vjeç dhe konstatoj se brezi i ri ka dëshirë të punojë më pak. Unë kam dëshirë të promovoj çuna e goca të reja që kanë dëshirë të punojnë dhe jo thjesht të dalin në ekran, që vijnë aty dhe punojnë nga 12 orë në punë. Nëse punon përditë, nuk ka rëndësi sa dështon, nuk është e thënë të bëjmë mrekulli përditë.

Ju thatë që në 3 dekada keni vizituar 159 vende. Me cilin nga këto vende që keni vizituar e krahasoni Shqipërinë? Pyetja e dytë është se pse gazetarët nuk japin në emisionet e tyre politike shifra reale, nuk bëjnë emisione reale që kanë të bëjnë me vendime konkrete, por dëgjon më së shumti për jetën e përfaqësuesëve tanë politikë?

Ka dy arsye. E para që e shoh më shqetësuese është se ne nuk kemi arritur dot të ngremë dorën e të pranojmë fajin. Nuk kemi arritur dot të ndërtojmë një database specialistësh. Edhe nëse mendohem një orë nuk arrij të gjej tre- katër emra që flasin për administrimin publik. Me shtimin e presionit të madh të medias, me varfërimin që ka nisur me krizën e 2007-2008, por edhe për shkak të shtimit të presionit komercial, njerëzit e duan përgjigjen dje. Ne shpeshherë nxitojmë në përzgjedhjen e personazheve që do të ftojmë në programet tona. Unë hyj te ata njerëz që modestisht ta trajtoj një temë shumë seriozisht.

Së dyti, shumë prej këtyre specialistëve preferojnë të mos flasin. Nuk e di arsyen, janë të kompleksuar, kanë frikë se mos humbasin një lidhje të caktuar, një të ardhur të caktuar. Sa i përket të tjerëve, shumë gazetarë janë të prirur te klikimet, te audienca dhe jo te gjetja e arsyeve. E në këtë aspekt, është më e udhës të merresh me jetën personale të politikanit, sesa t’i kërkosh përgjigje. Ka edhe politikanë që e përdorin këtë duke e kthyer veten në objekt cirku politik, sesa të japin llogari për vendimet që kanë marrë.

Mediat shqiptare sot nuk kanë arritur një database specialistësh që t’i ftojnë dhe t’iu japin përgjigje çështjeve të caktuara. P.sh. për çështjen e pensioneve. Unë njoh 2-3 veta që janë mbi 70 vjeç që e kanë të vështirë të shkojnë në emisione të caktuara. Kështu që preferohet më tepër një politikan që shan politikat që ka qeveria, apo një politikan që i mburr ato duke iu shmangur thelbit të problemit.

Sa i përket pyetjes së parë, dua të them se në vende të caktuara shikoj Shqipërinë e një kohe të caktuar. Shqipërinë e fillim viteve ’90 mund ta krahasoj me ndonjë vend të caktuar Afrikan. Kur kam vizituar Phnom Penh, kryeqytetin e Kamboxhias, direkt më është kujtuar Shkodra e viteve ’90.

Unë kam qëlluar në 6 janar 2021 në Washington, në sulmin që iu bë Kongresit Amerikan. Isha komplet rastësisht, jo si gazetar, por për vizitë private. Jam gjendur në mes të turmave. Ai sulm më ka kujtuar Lushnjën e 1997. Në 24 janar të 1997 unë kam qenë në ditën e parë të protestave në Lushnjë. Aty kupton që natyra njerëzore është e njëjtë. Historia e kolektive është dhe vepron në mënyrë të njëjtë pavarësisht se je amerikan, shqiptar, shofer apo profesor. Në trazirat e Washingtonit u zbulua se shumica e atyre që sulmuan Kongresin Amerikan ishin mësues, pedagogë, njerëz të pasur, intelektualë, që në një moment të caktuar u shfaqën si ultras agresivë të një skuadre futbolli.

Me aq sa kam udhëtuar, kam kuptuar se natyra njerëzore është kudo e njëjtë dhe ku është çelësi i suksesit? Është te mënyra se si vende të caktuara e përdorin këtë natyrë njerëzore. Besoj se edhe vendi ynë do të fillojë të punojë për ne dhe të çlirojë energji pozitive. Në një moment të caktuar energjitë pozitive do të dalin dhe të balancojnë ato negative.

Gjatë gjithë karrierës suaj televizive, a keni një koleg konkurrent apo që e vlerësoni aq sa veten? Pyetja e dytë, a mendoni se në të ardhmen do të angazhoheni në politikë?

Libri siç thashë është rrëfim për veten se si një djalë i thjeshtë ka arritur diçka në jetë. Deri në ’90-ën, kemi pasur momentet e errëta personale që vinin nga përballja e ëndrrave që kishim si adoleshentë me pamundësinë e realizimit të tyre.

Ndonjëherë mendoj se si ne kemi arritur të mbijetojmë, si kemi arritur të shpëtonim nga depresioni. Kjo ka ndodhur sepse ne ngriheshim mbi veten tonë dhe arrinim të shikonim diçka më lartë se horizonti i ngushtë i cili na ofrohej përballë. Kjo i jep përgjigje edhe pyetjes tënde për konkurrencën. Thelbi i suksesit është që ti të ndjekësh yllin tënd. Nëse ti arrin ta gjesh, në konstilacionet e shumta që janë lart në qiell, ti do të kapësh pikën tënde të referencës.

Konkurrenca nuk është me dikë tjetër, por me veten. Sfida është se si të përmirësohesh. Nuk është sfida për të pasur më shumë shikueshmëri se dikush tjetër. Sfida që kam unë është që të kem kredibilitet për të qëndruar sa më gjatë në profesionin tim.

Ky është një profesion që bazohet në thënien e së vërtetës. Nëse nuk thua të vërtetën, nuk je më gazetar. Kthehesh në showman, në shitës, por jo gazetar. Pika ime e referencës është të qëndroj sa më gjatë në profesion, pasi nuk di të bëj gjë tjetër më mirë në jetë sesa gazetarin. Mund të kisha zgjedhur PR. Kam pasur një përvojë të shkurtër, por ishte një punë që më përgjumte.

A do ta bëj unë politikanin? Never say never. Por që ta njohësh kaq mirë atë zanat, me të gjithë anën e errët dhe në fund fare të zgjedhësh ta bësh atë, mendoj se do të quhej dështim nga ana ime.

Ju thatë se një djalë i ri nga Tirana ka arritur diçka në jetë. Brezi ynë ka atë pesimizmin se këtu nuk bëhesh nëse nuk je me politikë apo nuk ke miq. A mendoni se është thjesht justifikim që e përdorim, apo ka arsye të besojmë se këtu vërtet është e vështirë të arrish diçka?

Mendoj se ka një pjesë të mirë të vërtetës në atë që thua ti. Unë e quaj veten me fat pasi në kohën kur ndryshuan gjërat në Shqipëri kishte shumë vende bosh, kishte shumë hapësira. Nëse do isha 17 apo 19 vjeç sot, nuk e di nëse do të kisha të njëjtat mundësi që m’u ofruan atëherë.

Preferencat, favorizimet kanë ekzistuar gjithmonë. Kanë qenë në kohën e komunizmit, ekzistuan edhe më pas, janë edhe jashtë. Por njeriu nuk duhet të dorëzohet. Kam frikën se brezi i ri dorëzohet pa e nisur betejën. Që në momentin që futen thonë se nuk bëhet. Unë them që bëhet, me më shumë kohë e sakrifica. Unë hyj te ai brez që e ka djegur një fazë të jetës. Edhe sot jam njeri që nuk dal darkave, kam mundësi të dal e ta gdhij në party, por unë jam rritur në këtë mënyrë.

Ndonjëherë i refuzoj ftesat në mënyrë të heshtur. Jam rritur me një tjetër ritëm pune. Në pjesën e rinisë sime e kam ndjerë këtë gjë sepse duhet të punoja fort pasi shihja që dikush i moshë sime i merrte gjërat sepse ishte i favorizuar për arsye të caktuara. Më është dashur të punoj fort për t’i marrë gjërat e mia. Dhe po flas për një periudhë ku shanset ishin më të larta, sot shanset janë zvogëluar. Në fund fare është në dorën e gjithsecilit për të arritur sukses. Përveç Zotit nuk të ndalon askush. Çdo gjë tjetër varet nga ty. Porosia ime është: Mos hiqni dorë nga ëndrrat e tuaja.

Më bëri përshtypje kopertina dhe titulli i librit. Çfarë mund të na thoni për to?

E kam shpjeguar edhe në libër që në fëmijëri ne kishim kodet tona në lagje. Unë jam datëlindja e 1973-shit dhe emri Sokol është një emër shumë popullor i atij brezi dhe besoj që njihni shumë Sokola vërdallë. Në shoqërinë time të ngushtë ishim tre Sokola. Si dalloheshim nga njëri-tjetri? Dalloheshim nga emri i mamit.

Institucioni i mamasë ishte i shenjtë dhe nuk kishte asgjë pezhorative kur thuhej Koli i Bardhës apo Koli i Valit. Kopertina m’u duk edhe pak autoironike, ashtu si edhe titulli.

Kur udhëton shumë, gjen gjëra të përbashkëta me çdo vend. Bota fillon të të duket e njëjtë, si kur shkon në Paris, në Londër. Kur shkon në Azi të duken të ngjashme. Në një moment ti kupton se udhëton për të parë fytyra të caktuara. Këtë kam shpjeguar edhe në libër. Në Londër, që kam udhëtuar më shpesh, në metro kam shpesh kuriozitetin thjesht për të parë fytyra të reja. Kur vjen në Tiranë sheh të njëjtat fytyra.

Edhe në fundjavë banoj me të njëjtat fytyra, te ato kasollet pranë plazhit. Të shikosh njerëz të rinj, personazhe të reja, të komunikosh me ta, është një tjetër formë interesante e të udhëtuarit jashtë. Kjo foto është në lumin e Togos me peshkatarët të cilët donin një fotografi. Është një foto e vullnetshme, jo e rastësishme. Përjashto karakteristikat individuale, mendoj se është foto mes njerëzish të barabartë. Më pëlqeu prandaj e vura në kopertinë.

Kjo është një pyetje retorike, se dihet pak a shumë përgjigjja. Sa i manipuluar është sot informacioni që del në media?

Ti i referohesh censurës dhe autocensurës. Sigurisht që ka censurë dhe për fat të keq nuk është sëmundje shqiptare, është sëmundje globale, e politikës dhe të gjitha qeverive. Joe Biden doli dhe tha që “unë nuk do ta fal djalin tim”. Dhe çfarë bëri Biden? Doli sërish dhe fali djalin e tij për krimet e 11 viteve të mëparshme dhe për çdo gjë që do të ndodhë në të ardhmen. Po flasim për presidentin e SHBA-ve.

Përpjekjet për të censuruar median janë globale, nuk janë vetëm të vendeve në zhvillim, janë edhe të vendeve që për ne janë objekte reference.
Autocensura është në rritje për shkak se gazetarët përballen me vështirësi për të ruajtur vendin e punës.

Kërkon shumë kurajo që të ngrihesh mbi veten dhe pasiguritë e tua dhe të thuash: Unë do ta them të vërtetën pavarësisht pasojave që ka. Edhe pse vuan nga kriza globale, mendoj se gazetaria shqiptare, e sidomos ajo tradicionale, duke hequr portalet (që janë një histori në zhvillim), i kanë rezistuar për momentin përpjekjeve për manipulim. Nëse ti hap sot televizionet shqiptare, pavarësisht nuancave që kanë, një shikues inteligjent arrin ta marrë të vërtetën./Liberale.al
 
 
 
 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH