Forcat serbe i kërkuan Adem Jasharit, babait të tij Shabanit dhe vëllait Hamzës, të dorëzoheshin. Nuk ishte beteja e parë e Jasharëve me policinë serbe. Herën e parë Kulla e tyre ishte rrethuar dhe sulmuar nga forcat serbe në 30 dhjetor 1991, por Adem Jashari ia kishte dalë të çante rrethimin dhe të largohej. Herën e dytë kishte ndodhur më 22 janar 1998, vetëm një muaj e gjysëm më parë. Serbët ishin tërhequr sërish dhe miti i Adem Jasharit dhe i UÇK - së ishte rritur shumë. Por këtë herë ishte ndryshe. Serbët kishin ardhur me të gjitha llojet e armatimeve, përfshi tanke, topa dhe helikopterë.
Adem Jashari refuzoi të dorëzohej! Nuk dihet nëse ai shpresoi që njësitet e UÇK - së do t’i vinin në ndihmë, por me gjasë, ai e dinte se kjo do të ishte e vështirë. Pasi siç shton Hashim Thaçi në një intervistë të tij të vitit 2000:
“Të gjithë ata që kanë qenë në Prekaz më 5 mars 1998, thonë se ishte e pamundur që t’iu ndihmohej Jasharëve. Me të parë lëvizjen e forcave serbe trupat e UÇK-së në Prekaz morën pozicione mbrojtjeje dhe më pas, kur e panë se rrethimi u mbyll nga shtëpia e Jasharëve tentuan t’u shkojnë në ndihmë. Por ishte fare e pamundur.
E para, luftohej në të gjitha anët.
E dyta, rrethimi ishte i jashtëzakonshëm. Ishte një rrethim i dy-trefishtë i policisë dhe ushtrisë serbe. Njësitë më elitë të Serbisë ishin aty.”
Beteja zgjati afro 52 orë, për 3 ditë e 2 netë. Nga data 5 deri më 7 mars 1998. Sipas raporteve të diplomatëve që u afruan deri në periferitë e betejës, lagjen e kishin rrethuar disa mijëra trupa.
Familja e madhe e Jasharajve u mblodh në një dhomë pa dritare për t’i shpëtuar breshërive të pafundme të mitralozëve, por një predhë që depërtoi nga çatia vrau shumë prej tyre, kryesisht fëmijë dhe gra. Besarta, ishte e vetmja pjesëtare e familjes Jashari ato ditë në kullë, që shpëtoi. Vajza e Hamzë Jasharit, ishte 10 vjeç në atë kohë. Ajo ka dëshmuar se në shtëpi luftonin duke kënduar këngë patriotike. Luftonin të gjithë, përfshi Shabanin, plakun e shtëpisë që kishte qenë një mësues i njohur në zonë. Në një postim me rastin e 20 vjetorit të martirizimit të familjes së saj, ajo e kujton kështu atë mëngjes:
“Para agimit, u zgjuam nga zhurmët e makinerisë së pushtuesit serb që kishin rrethuar kullën e babës Shaban, edhe atëherë nuk e dija se çfarë po na priste.
Derisa nëna më porositi të marr dru për zjarr, takova babushin i cili pranë odës ishte duke tymosur duhan me armë në brez e në krah – si asnjë herë më parë ndjeva dashurinë për babushin, si asnjë herë më parë pashë bukurinë e tij.
E pyeta: “Babush, çka po bohet? Çka është kjo zhurmë?”
I buzëqeshur më tha: “Kurgjo, qika jem. Po nihen dikun shkijet, po nuk jon tu ardh te na.”
Nuk e di pse, sa herë që fliste babushi ma qetësonte shpirtin. Ajo ishte hera e fundit që e pashë të gjallë, por zërin ia kam dëgjuar deri në rënien e tij – duke kënduar këngën e Mëmëdheut.”
Besarta nuk do ta harrojë kurrë traumën e asaj nate, kur humbi të gjithë njerëzit e saj. Në programin “Dëshmitar” të BBC-së, dhjetë vjet më vonë, ajo rrëfeu disa nga momentet më të dhimbshme të atyre orëve të fundit:
“Hyra në vendin ku gatuanim, u shtriva aty dhe bëra si e vdekur. Motra e vogël më kërkonte ujë. Ajo ishte e plagosur dhe unë nuk munda t’i jepja.”
Vajzën e gjetën të vetmen gjallë, e struktur mes trupave të pajetë të familjarëve të saj. Policët dukeshin ende të paqartë dhe nuk kishin identifikuar dot as Adem Jasharin dhe as babain e saj, Hamzën.
“Më pas, kur erdhën të më pyesnin për Hamzën dhe Ademin, unë nuk u tregova asgjë. U thashë se janë gjallë dhe ndodhen jashtë shtetit. E dija që i kishin frikë dhe doja që ata të ishin të gjallë”, i rrëfeu ajo BBC-së.
Besarta kishte mbetur e vetme, por ajo nuk e pranoi kurrë këtë fakt. Siç dëshmoi më vonë, ajo e refuzoi kërkesën e gruas së Mick Jagger për ta adoptuar. “Unë e kisha një familje”, u përgjigj ajo!
Bilanci i betejës në Prekaz ishte tragjik. 56 vetë të familjes së gjerë Jashari qenë vrarë brutalisht. Trupat e tyre të pajetë qëndronin në oborrin e kullave të shkatërruara krejtësisht. Ushtria vijonte të mbante të rrethuar zonën, ndërsa televizioni serb “B92” njoftonte për disa pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe të vrarë.
Kosova ishte e shokuar. Ndër 56 të vrarët, tetëmbëdhjetë ishin gra dhe dhjetë fëmijë nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç. Mediat botërore e vendosën ngjarjen në faqet e para, ndërsa televizonet e thuajse gjithë globit shpërndanë imazhet e trupave të masakruar në oborr. Kur makina mediatike serbe nisi të lëvizë për të justifikuar atë që kishte ndodhur, ishte shumë vonë. 3 vjet më pas, Goran Radosavljevic - Major i Forcave Speciale policore serbe në Kosovë duke iu përgjigjur pyetjeve të BBC-së për masakrën ndaj familjes Jashari, u përgjigj:
“Jashari dhe njerëzit e tij ishin të armatosur dhe gati për të vdekur. Ai po përdorte fëmijët dhe pleqtë e familjes si pengje.
Ne i bëmë thirrje me megafon që të largonte fëmijët dhe të dorëzonte armët, por ai refuzoi.Nëse ne do të afroheshim do të vinim në rrezik jetët e policëve tanë. ndaj përdorëm artilerinë!”
Politika botërore ishte kapur sërish papërgatitur nga Millosheviçi, por ndryshe nga Bosnja, kësaj here reagimi ishte më i vendosur.
Organizata “Amnesty International”, raportoi se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë dëshmitarëve.
Hashim Thaçi kujton se tragjedinë e Jasharajve e ka mësuar dy ditë më vonë, kur siç thotë ai:
“Së bashku me 30 bashkëveprimtarë të armatosur po kalonim kufirin Kosovë- Shqipëri. Në mesin e tyre ishin: Fehmi Lladrovci, Xhevë Lladrovci, Bekim Berisha, Agim Bajrami, Ismet Jashari, Sami Lushtaku, Jakup Nura, Shukri Buja, Fatmir Limaj, Sahit Jashari, Fatmir Mehmeti e të tjerë.”
Madalen Ollbrajt, Sekretarja Amerikane e Shtetit mbeti e shokuar nga fotot e masakrës së Prekazait dhe nga raportet që diplomatët amerikanë i dërgonin nga terreni. Presioni i shtypit botëror binte mbi të dhe Presidentin Klinton. Millosheviçi po rikthehej edhe një herë me metodat e frikshme të Bosnjes dhe Kroacisë. Ollbrajt ndryshe nga vitet kur ishte Ambasadore në OKB, ishte e vendosur të vepronte:
“Tani isha Sekretare e Shtetit. Vrasjet në Prekaz më krijuan një lloj parandjenje të keqe, por ma shtuan vendosmërinë. Mendoja se Millosheviçit duhej t’i ndalej dora menjëherë. Deklarova publikisht: “Nuk kemi ndërmend të rrimë duarkryq e të presim sa autoritetet serbe të bëjnë në Kosovë atë që nuk e bënë dot në Bosnjë.”
*Shkëputur nga biografia “Lufta e Kosovës dhe Hashim Thaçi” me autorë gazetarët Blendi Fevziu dhe Baton Haxhiu, botuar në 2020-ën nga shtëpia botuese UETPRESS