Sociale

Fshati Zogaj kandidat për “Fshati më i mirë turistik” në botë

Shkruar nga Liberale

Fshati Zogaj kandidat për “Fshati më i mirë turistik”

Fshati piktoresk i Zogajt, i shtrirë 3-4 kilometra përtej Shirokës në Shkodër, po tërheq vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj, falë bukurive natyrore, traditave të ruajtura dhe potencialeve të tij turistike.

Ky fshat, i njohur prej shekujsh për peshkimin, bimët mjekësore, natyrën e virgjër, si dhe për punën në tezgjah ku artizanët mbajnë gjallë traditën e punimeve me dorë, po shndërrohet në një destinacion tërheqës.

Kryeministri Edi Rama ndau të martën në rrjetet sociale një video nga Zogaj, duke theksuar rëndësinë e këtij fshati në promovimin e turizmit rural shqiptar.

Rama vuri në dukje se Zogaj është një prej gjashtë fshatrave në Shqipëri që kanë aplikuar për programin “Fshatrat më të mirë turistikë” të Organizatës Botërore të Turizmit.

Kjo kandidaturë synon të prezantojë identitetin, jetën, ngjyrat dhe përvojat e jashtëzakonshme që ofron Shqipëria rurale.

“Zogaj, fshati i artizanëve, peshkatarëve dhe një prej atraksioneve më të veçanta turistike të Shkodrës, zbulon thesaret e tij natyrore e kulturore edhe si një prej gjashtë fshatrave të Shqipërisë që aplikojnë për programin ‘Fshatrat më të mirë turistikë’ të Organizatës Botërore të Turizmit, duke prezantuar identitetin, jetën, ngjyrat dhe përvojat e jashtëzakonshme të Shqipërisë rurale,” shkroi Kryeministri.

Një mozaik natyror dhe kulturor

Pozicionimi gjeografik i Zogajt e bën atë një vend unikal: kufizohet nga veriu me Liqenin e Shkodrës, nga jugu me malin e Taraboshit, nga lindja me lumin Buna dhe nga perëndimi me kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Kjo gjeografi e pasur i jep fshatit një peizazh magjepsës dhe mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit.

Së bashku me Shirokën, Zogaj njihet si një fshat i vjetër peshkimi dhe konsiderohet ndër zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut. Përveç peshkimit, zona shquhet edhe për prodhimin e qilimave tradicionalë.

Kjo traditë e lashtë e endjes vazhdon të ruhet me fanatizëm nga gratë e zonës, dhe punimet e tyre me dorë janë kthyer në një preferencë të veçantë për turistët që vizitojnë fshatin.

Me fluksin në rritje të turistëve dhe kandidaturën në programin prestigjioz të Organizatës Botërore të Turizmit, Zogaj ka një potencial të madh për t’u shndërruar në një model të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm rural në Shqipëri.

Liberale Newsroom

A mund të shihen si shpresëdhënës politikanët e rinj për të përmbysur raportin tradicional të dy partive të mëdha në qeverisje prej ‘92?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH