Letërsi

DORËSHKRIM nga libri i Mero Bazes, REPUBLIKA E PARË: Bujar Bukoshi, kirurgu - kryeministër që mori në dorë fatin e Kosovës

Shkruar nga Liberale

DORËSHKRIM nga libri i Mero Bazes, REPUBLIKA E PARË: Bujar Bukoshi,

I ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare, Bujar Bukoshi mbetet një nga figurat më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Ai ishte kryeministër në ekzil në vitet 1991- 2000, si dhe ka mbajtur postin e Ministrit të Shëndetësisë në Kosovë. Bukoshi ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit Ibrahim Rugova. Kjo marrëdhënie mes tyre, që në vetvete përbën historinë e Kosovës së atyre viteve, trajtohet në librin e gazetarit Mero Baze "Republika e parë", botuar nga UETPRESS. Më poshtë po sjellim një pjesë nga libri, ku autori rrëfen gjithë jetën e Bujar Bukoshit, fëmijës së Suharekës, mjekut të Prishtinës dhe kryeministrit të Kosovës.

Bukoshi është fshat në një shpat malor, në juglindje të Suharekës. Aty është vendlindja e Bujar Bukoshit. Historia e familjes së tij është ilustrim i historisë së Kosovës dhe ngjyrave të saj. Selim Bukoshi, gjyshi i Bujar Bukoshit është fshatari tipik i Kosovës së asaj kohe që i ka mbijetuar mjerimit, primitivizmit dhe mungesës së plotë të lirive si shqiptar në Kosovë. Tregimi i vetëm që ka për gjyshin e tij Bujar Bukoshi, ishte mosbesimi që kishte ndaj mjekëve serbë. Në një dyluftim me hasmin e vet që e kishte ndjekur deri në Shqipëri për të marrë gjak, Selim Bukoshi ishte plagosur dhe iu desh të shkonte në spital, në Prizren. Mjeku serb i tha se duhej anestezi për të bërë operacionin. Ndroja se mos serbi e vinte në gjumë dhe nuk zgjohej më, e kishte detyruar Selimin të kërkonte që operacioni të bëhej pa anestezi. Dhe ashtu e kishte bërë. Shfajësimi i tij pastaj ishte me nota humori, edhe pse mjeku serb nuk kishte ndonjë paramendim për t’i bërë keq.

“Mund të më prisnin gjysmat e mustaqeve ndërkohë që flija”, iu thoshte miqve të tij. Prerja e mustaqeve ishte “akt i rëndë” zhburrërimi, që e justifikonte operacionin pa anestezi. Sali Bukoshi, babai i Bujar Bukoshit, kishte guxuar pak më shumë. Nëpërmjet një shoku të tij, ai kishte mundur të mësonte alfabetin cirilik dhe shkrim e këndim serbisht. Pas kësaj, në vitin 1935, shkoi së bashku me një shok të vetin emigrant në Beograd, për të gjetur punë krahu. Pas disa peripecive arriti të sigurojë një punë më të mirë, si centralist në një klinikë gjinekologjike private. Pagesa ishte e kënaqshme, për herë të parë mundi të blinte rroba të mira, të vishej dhe të provonte jetën në një qendër të madhe urbane. Nëse Beogradi nuk do të ishte bombarduar më 6 prill 1941 prej gjermanëve, ai ndoshta nuk do lëvizte për një kohë të gjatë prej andej. Pas bombardimit të Beogradit që shënoi dhe pushtimin fashist të Jugosllavisë, ai u nis me këmbë drejt Kosovës, për të mbërritur sërish në Bukosh. Por ndryshe nga Jugosllavia e pushtuar, Kosova, shumica e popullsisë së saj, po e përjetonte pushtimin fashist si çlirim nga dominimi sllav, falë propagandës fashiste për bashkimin kombëtar.

Bukoshi e filloi klasën e parë në moshën pesëvjeçare. Hysen Bukoshi, vëllai i madh i Bujarit, kur ishte nxënës i vitit të tretë në gjimnaz, u arrestua në vitin 1964 nga Ranković. Së bashku me një grup shokësh, u akuzuan për irredentizëm dhe kundërshtim të bashkëjetesës në Jugosllavi, u dënua me shtatë vjet burg dhe u çua në burgun e Nishit Në atë kohë, Bujar Bukoshi ishte po ashtu nxënës në gjimnazin e Prizrenit me rezultate shumë të mira. Një vit më vonë, mori bursë studimi për mjekësi, në Beograd. Bursa ishte modeste, por e mjaftueshme. Ai kujton se ishte dymbëdhjetë mijë dinarë që nëse konvertohet sot i bie rreth 200 euro. Përpiqej të kursente dhe herë pas here, i çonte ndonjë pako në burg vëllait në Nish. 765 Historia e mbijetesës me bursën e studimeve në Beograd, është e shoqëruar edhe me makthin e familjarëve të tyre, se mos fëmijët martoheshin me serbë dhe asimiloheshin.

- Pasi kishim dy ditë pa ngrënë në konvikt se na kishin mbaruar paret, shoku im Hafir Bytyçi vendosi të përdorte armën e fundit për të bindur vëllain, Ymerin në Kosovë të na dërgonte ndonjë lek. Familja ime s’kishte asnjë shans për këtë. Kishin vëllain në burg dhe më kërkonin ta ndihmoja edhe unë. Në këto rrethana, Hafiri i shkruan Ymerit. “I dashur vëlla! Këtu jemi keq me pare. S’kemi pare as me ble me hangër, as me ble tesha, as kurrgjë. E kam një shoqe serbe këtu në klasë, i ka punët mirë. Po lidhem me të dhe kështu shpëtoj dhe nga këto hallet e vogla.” Presioni funksionoi. Të nesërmen erdhi urgjent një telegram që e njoftonte të paraqitej në postë “me tërheq paret.”

Hysen Bukoshi doli nga burgu, pas demonstratave të vitit 1968. Pas një farë kohe në liri, nga disa shokë u ftua në një dasmë në Gjakovë, te familja Dobruna. Në dasmë ata ngritën flamurin shqiptar që udhëhoqi karvanin e dasmorëve. Ngjarja është e famshme në historinë e atyre viteve dhe quhet “Dasma e Gjakovës.” Ka ndodhur në gusht të vitit 1969. Dasma shqetësoi në atë kohë Mahmut Bakallin që kërkoi listën e pjesëmarrësve. Ndër më të njohurit në dasmë ishin Sabri Novosella, Rexhep Kurti, Ali Buletini, Hyrije Buletini, Sejfedin Bingjija, Musa Dobruna, Fatmir Rizvanolli, Gani Dulatahu, Ahmet Berisha, Fatmir Loma, Fadil Hysen Hoxha dhe Zekirja Çarkaxhija. Hysen Bukoshi dhe disa shokë të tij të rinj, e ndienë rrezikun që po u kanosej. I bindur se do të arrestohej sërish, ai kaloi kufirin dhe hyri në Shqipëri. Familja u lehtësua, me shpresë se vuajtjet e tij mbaruan. Në fakt, burgu iu përsërit.

Pasi u vendos në Berat dhe krijoi familje, ai u arrestua sërish, këtë herë nga shqiptarët për agjitacion e propagandë. Bujari tregon se një herë babai e kishte njoftuar i lumtur se djalin në Shqipëri e paskëshin çuar në një kamp edukimi. Kampi kishte dhe numër... Ia tregoi letrën që vinte nga burgu, ku Hyseni u shkruante: “këtu në kampin e riedukimit po kalojmë mirë...”, pasi letra kontrollohej dhe nuk lejohej të shkruhej fjala burg. “Çfarë shkolle, - i thashë, - ky qenka në burg.” Babai më pa me dyshim dhe nuk më besoi. Nuk i shkonte kurrë në mendje se Shqipëria do ta burgoste sërish Hysenin.

Ndërkohë, pas mbarimit të studimeve në Beograd, Bukoshi kthehet në Prishtinë si mjek i diplomuar. Nevoja për një pagesë më të mirë e shtyu të zgjedhë të punonte jashtë Prishtine, në Drenicë, pasi punoi për tre muaj në Prizren. Në Gllogovc rroga ishte më e mirë, por gjendja në terren katastrofë. Ai e përshkruan Drenicën si një vend pa rrugë, me shtëpi të mjera, varfëri dhe mungesë të frikshme të kulturës shëndetësore, ku çdo sëmundje infektive bënte kërdinë. “Aty, më kujtohej shpesh leksioni i një profesori serb në Beograd që thoshte se shqiptarët i ka shpëtuar nëna shqiptare, e cila i ka ushqyer fëmijët me fasule e dhallë, dy ushqime bazike që u kanë siguruar proteinat për të mbijetuar”, kujton ai. 

Gjendja ekonomike jashtë Prishtinës ishte në kufijtë e mbijetesës. Më 1975, Bujari rikthehet në Prishtinë për të filluar specializimin si mjek. “Fillimisht më thanë të shkoja të specializohesha për okulistikë. Fillova, por nuk më pëlqeu. U shkëmbeva me një shok që e kishte qejf dhe iu futa kirurgjisë. U nisa sërish në Beograd për specializim kirurg urolog. Pas specializimit, u riktheva në spitalin e Prishtinës.” Bujar Bukoshin, nuk e gjetën trazirat në Kosovë. Në vitin 1980, ai kishte mundur të siguronte një specializim të mëtejshëm në Gjermani. Pas mësimit të gjuhës në Institutin “Goethe”, në Koblenz, nisi specializimin e thelluar po aty.

Bursa DAAD ishte 1200 marka në muaj, e mjaftueshme për të dhe gruan e tij Zanën, për të vazhduar studimet. Jetonin në një dhomë të vogël studentësh dymbëdhjetë metër katror, bashkë me vajzën e tyre të vogël, Ora që flinte në një karrige fëmijësh nga ato që vihen në veturë. Kur u kthyen në Prishtinë, demonstratat ishin shuar dhe kishte filluar diferencimi. Bukoshi nisi punë sërish në spitalin e Prishtinës, duke zhvilluar tani profesionin e urologut dhe duke u bërë një nga mjekët më të njohur në Kosovë. Pas një përvoje të shkurtër në spitalin e Prishtinës, në vitin 1984, niset për në Berlin të mbrojë doktoratën për urologji dhe onkologji. Për rreth gjashtëmbëdhjetë muaj qëndroi në Berlin, pranë prof. Bauer, me të cilin u lidh shumë fort edhe në vitet në vazhdim. Në atë kohë pati një ofertë të parezistueshme për punë, si asistent i tij në Munih. Një mik i familjes së prof. Bauer kishte vdekur në Munih dhe familja kërkoi të drejtonte edhe spitalin e tij privat. Ai i ofroi Bukoshit të drejtonte klinikën private, me qëllim që të kishte mundësi të merrej me punët e tij shkencore. Bujari e kujton atë moment pa shumë emocion.

“Nuk e kisha menduar se duhet të punoja në Gjermani dhe nuk më bëri përshtypje oferta. I thashë që do të kthehem në Kosovë. U mërzit shumë. Madje u egërsua fillimisht me refuzimin tim. Të nesërmen në mëngjes më thirri për kafe.

- Nuk kam fjetur gjithë natën nga inati. - tha. - Si mund të refuzosh një vend pune të tillë! Por në fakt, pasi e mendova gjatë, kam arritur në përfundimin që ti e ke lidhur të ardhmen me vendin tënd. Dhe tani nuk jam më i zemëruar me ty. Madje po të çmoj për këtë gjë...

Në fakt unë nuk kisha ndonjë ide të qartë përse e refuzova, por thjesht nuk e kisha menduar të jetoja në Gjermani. Më pas kur ndryshuan gjërat dhe m’u desh të isha në Gjermani si kryeministër në ekzil, ai tallej vazhdimisht me mua.

- Do ishe mjek me emër në Gjermani, mund t’i paguaje trepërqindshin qeverisë tënde dhe të gjithë do të lavdëronin. Tani vetëm po të shajnë.”

Si u kthye në Kosovë, pas vitit 1985, filloi të ishte më aktiv në jetën publike. Por ajo që po ngjizej aty ishte një rezistencë e re, jo e bazuar mbi nacional-komunizmin, por mbi modelet e sjella nga Perëndimi. Ishte ky trend i ri i politikës në Kosovë që në fakt e shpëtoi atë. Bujar Bukoshi u bë pjesë e kësaj historie të re politike të Kosovës. Ai u bë i njohur fillimisht si organizator i nënshkrimit të Apelit të dyqind e pesëmbëdhjetë intelektualëve, një javë para heqjes së autonomisë, në mars të vitit 1989. Më pas, në vitin 1990, së bashku me mjekun e famshëm holandez, Barend Cohen ai dokumentoi dhe bëri popullor në Perëndim helmimet e nxënësve në Kosovë.

I shkolluar në Gjermani dhe me lidhje në botën gjermane kryesisht nëpërmjet veprimtares së Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, ish-publicistes Christine von Kohl dhe Barend Cohen, u bë referencë për shtypin perëndimor në fillimet e proceseve demokratike mes shqiptarëve në Kosovë. Ai është ndër themeluesit e LDK, në dhjetor të vitit 1989, shumë aktiv në konsolidimin e strukturave pas Kuvendit të parë edhe sekretar i përgjithshëm i saj. Më 12 tetor 1989, Ibrahim Rugova i ofroi atij postin e kryeministrit të Kosovës, një qeveri që kishte për mbështetje politike Këshillin Kordinativ të Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, pas referendumit për pavarësi, të shtatorit 1991. Pas kësaj, u zhvendos në Perëndim, fillimisht në Lubjanë dhe më pas në Gjermani, në një fshat afër Ulmit, nga ku drejtonte qeverinë në mërgim.

Qeveria fillimisht shpresonte te legjitimiteti ndërkombëtar dhe filloi ta mendojë veten si qeveri e kompletuar me gjithë ministritë. Në tetor dhe nëntor 1991, nëpërmjet një marrëveshjeje me qeverinë e Tiranës, erdhën në Shkollë të Bashkuar dy grupe vullnetarësh me nga tridhjetë vetë për trajnim, drejtuar nga Sali Çekaj. Por me sa duket, informacioni rrodhi shpejt dhe qeveria shqiptare u detyrua të ndërpresë praktikën, duke i dhënë fund trajnimit të tyre. Më pas hapi një kamp grumbullimi për të rinjtë e larguar nga shërbimi ushtarak në Kosovë që i çonin në një fshat afër Labinotit, por dhe ajo qendër degradoi në mjerim, mungesë disipline dhe mungesë fondesh, derisa u mbyll. Edhe pse quhej kryeministër i Kosovës, praktikisht Bujar Bukoshi ka funksionuar më shumë si Ministër i Jashtëm i saj, pasi gjithë veprimtaria e tij ishte në aspektin e kontakteve diplomatike me Perëndimin.

Vetëm një degë e qeverisë, Ministria e Financave e drejtuar nga Isa Mustafa, u mor me grumbullimin e fondeve të trepërqindëshit, regjistruar në emër të fondacioneve humanitare në Gjermani dhe Zvicër, si dhe disa vende skandinave. Pasi suksesi ndërkombëtar i Kosovës nuk ishte ai që pritej dhe kur aktiviteti diplomatik i qeverisë ra në rutinë, nisën dhe fërkimet e para. Degët e LDK në Perëndim, kryesisht Gjermani, Suedi dhe Danimarkë, i kishin vënë syrin qeverisë së Kosovës. Mentaliteti i partisë-shtet që sundonte në LDK, si parti dominuese, e kishte fshirë kufirin që duhet të mbante partia nga qeveria.

Nëse shikon aktivitetin e qeverisë në vitin 1994, do të gjesh mijëra faqe fakse e deklarata të degëve të LDK kundër qeverisë, në përpjekje që në Kuvendin e Dytë të LDK, qeveria të përtërihej dhe të kënaqte ambiciet e reja. Bujar Bukoshi i hapi boll telashe vetes me një intervistë, në fillim të vitit 1995, ku deklaroi se në Perëndim ka 300.000 shqiptarë gati të luftojnë në Kosovë, duke alarmuar diplomacinë ndërkombëtare që e qetësonte Ibrahim Rugova të krijonte besim të plotë se nuk kishte mendje për luftë. Deri në Konferencën e Dayton, ata vazhduan të kishin një 770 kohezion politik rreth qëndrimeve ndërkombëtare.

Pas Dayton, Bukoshi dhe Rugova janë dy zëra të ndryshëm. Bukoshi kërkon mobilizim për luftë, është në krah të çdo zëri për radikalizëm, përkrah daljet e para publike të UÇK, përkrah madje dhe forca të reja politike në Kosovë që janë pro UÇK, duke dashur të jetë një pol i fortë presioni mbi politikën ndërkombëtare. Sikur të mos i mjaftonte kjo distancë me Rugovën, në mes të vitit 1997, shpërthen dhe një konflikt tjetër banal, për fatura të papaguara të Qendrës për Informim të Kosovës, çështje që paraqitej ndryshe nga të dy palët, por në fakt në thelb ishin shpenzime të pakontrolluara, jashtë kontabilitetit të qeverisë për dy telefona që shkonin disa dhjetëra mijë marka në muaj, si dhe pagesa të kërkuara për udhëtime zyrtarësh të LDK. Situata u qetësua pas sqarimeve të Isa Mustafës dhe disa pagesave për të mbyllur krizën e hapur. Më tej ngjarjet e vrullshme në terren, ofensiva serbe dhe krijimi i UÇK, nuk lanë më vend për debate të brendshme.

Bujar Bukoshi, i vetëm, bëri përpjekje të unifikohej me UÇK dhe të shkrihej me ta, duke tërhequr në shenjë kompromisi emërtimin zyrtar të ushtrisë së krahut qeveritar FARK dhe duke i dhënë prioritet vetëm emrit të UÇK. Ai financoi disa prej njësive të UÇK në terren, të Llap-Dukagjin-Suharekë, brigadën “Agim Ramandani” në Kosharë, si dhe ndihmoi direkt drejtues të UÇK, duke u dhënë një fond të konsiderueshëm. Por ngjarjet e shtatorit 1998, vrasja e ish-ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi dhe atentatet ndaj disa ish-zyrtarëve të LDK, si Sabri Hamiti e më pas vrasja e Enver Malokut, krijuan një klimë të fortë ndarjeje. Njeriu që kishte qenë mbështetësi më i madh i UÇK, në krahun zyrtar, u bë tani armiku më i madh i tyre dhe rrezikuan ta vrasin gjatë një udhëtimi në Tropojë, në mes të bombardimeve, sikur kryeministri Pandeli Majko të mos kishte çuar aty helikopterin për ta marrë dhe për të shmangur pritën. Në javën e parë të çlirimit ai hyri i vetëm në Kosovë, pa roje dhe ushtarë dhe iu përkushtua investimit në mbi 150 projekte për rikndërtm nga Fondi.

Më pas vazhdoi jetën politike jo shumë aktive, duke bashkëpunuar me Ibrahim Rugovën sa ishte gjallë dhe nëpërmjet një partie të re që krijoi, por që nuk pati suksesin që priste. Më shumë sukses pati rikthimi i tij si deputet i LDK, në vitin 2007, më pas stabilizimi dhe pajtimi me rivalët politikë, kryesisht Hashim Thaçin, me të cilin krijoi raporte pozitive. Për dhjetë vjet ai ishte portreti i Kosovës në Perëndim, duke trokitur në dyer që nuk hapeshin dhe duke u ballafaquar me histori të pabesueshme mbijetese, mobilizimi dhe vlerash njerëzore të një populli që ia doli të pranohej nga Perëndimi si paqësor dhe bindi Perëndimin të luftonte për lirinë e tij. Bashkëjetesa Bukoshi - Rugova ka qenë një histori plot ngjyra, shpeshherë gri e të errëta, por në tërësinë e saj një kombinim që arriti të mbajë gjallë besimin e shqiptarëve se do t’ia dilnin.

“Një herë e pashë që e kisha shkelur me deklaratat e mia, vazhdimisht të ashpra që kontestonin pasivitetin. I thashë: - Ibrahim, a mos po e teproj me këto deklaratat, mos po prish më shumë punë? - Ani, mirë e ke! Ti nxehtë, unë ftohtë, del diçka e vakët. - m’u përgjigj jo aq pa humor.”

Dhe kështu të dy bashkë, si murgjër të një rruge që nuk ia dinin fundin, ata ia dolën të ndërtojnë Republikën e Parë të Kosovës, një shtet me letra që nuk i njohu Perëndimi, por i njohën shqiptarët dhe e besuan më shumë se çdo qeveri tjetër të mëpasshme në Kosovën e lirë. Ishte e vetmja Republikë pa ushtri, pa territor, pa njohje ndërkombëtare. E mbante në këmbë besimi te liria!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH