Më 22 korrik të vitit 2003 u nda nga jeta akademiku Dhimitër Shuteriqi.
Akademiku i lindur në 26 korrik 1915 në Elbasan ishte shkrimtari dhe studiuesi i rrallë i historisë së letërsisë sonë. Dhimitri ishte i biri i Simon Shuteriqit, një prej anëtarëve të Kongresit të Elbasanit 1909. Mësimet fillore i kreu pranë vendlindjes në Normalen e Elbasanit e më pas shkollën e mesme e kreu në Liceun e Korçës dhe universitetin në Francë në Grenoble për filozofi.
“Nëse puna shkencore më çoi të qëmtoj fjalët e shkruara shqipe përpara vitit 1555, e bëra sepse, përpara atij viti, na kanë mbetur vetëm 3-4 fraza shqipe, po dhe se më ra në sy që, si emra njerëzish e vendesh, fjalët shqipe të regjistruara nëpër dokumentet e huaja nuk ishin pak. Puna më tregoi se mund të qëmtoja rreth 300 për 30 vjet”, shprehej ndër të tjera Shuteriqi në një intervistë të dhënë në vitin 1989.
Fusha kryesore e veprimtarisë së tij krijuese është proza, romani, por sidomos tregimi, ku shquhet si një nga lëvruesit më të mirë të tij. Si studiues ka punuar sidomos në fushën e historiografisë letrare, si një ndër autorët kryesorë të teksteve e të veprave përgjithësuese për historinë e letërsisë shqiptare, i monografive të veçanta si dhe i punimeve për historinë e kulturës shqiptare, për folklorin e filologjinë. Veç kësaj Dhimitër Shuteriqi është marrë edhe me publicistikë.
Dhimitri ndoqi mësimet në Liceun e Korçës dhe më pas shkollimin e lartë e ndoqi në Universitetin e Grenoblit dhe Lionit, në Francë. Më 1942-1943 jepte mësim në Elbasan, më 12 maj 1943 u zgjodh sekretar i këshillit krahinor nacionalçlirimtar për komitetin qarkor të Elbasanit.
Tradita e hershme e shkrimit shqip u studiua dhe botua në korpusin e botimeve të autorit, i cili gjurmoi fjalën shqipe që nga shek. XIV-të duke lënë pas një varg veprash me rëndësi të shumëfishtë.
Me kthimin në atdhe, në 1942-shin, Dhimitër Shuteriqi u bë pjesë aktive në Luftën ANÇ. Ai krahas funksioneve politike gjatë regjimit komunist mbante edhe postin e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik.
Është dekoruar me “Urdhrin e Flamurit”, ka marrë Çmimin e Republikës së shkallës së parë. Pjesëmarrjës si delegat i Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 dhe autor e recensues i një sërë veprash me tema historike. Për publikun njihet me romanin me dy volume “Çlirimtarët” dhe “Historia e letërsisë shqiptare”. Në krijmtarinë e tij studimore do të shënohen edhe studime për shumë figura të historisë së Shqipërisë si Marin Barleti, Pjetër Budi, Dhaskal Todri, Ismail Qemali, Dora d’Istria, A. Z. Çajupi e të tjerë.