Intervistoi: Aranit Muraçi
Studiuesi Thomas Frashëri publikoi pak ditë më parë librin e tij të dytë, “Princa të Lilit”, një tjetër publikim me tematikë historike. Me profesion jurist përkushtimi ndaj historisë mund të tingëllojë disi paradoksale, por ai thotë se punon me pasion e qetësi dhe përmes studimeve më të fundit "është duke ‘hetuar’ shtigje të pashkelura të historisë sonë".
Liberale në “Rrëfimin e Javës” foli me Thomas Frashëri, për librin e tij të fundit, studimet dhe mbi problematika të ndryshme me të cilat përballen studiuesit në vendin tonë:
Nisur nga mbiemri dhe vendlindja, besoj se kushdo që ju takon për herë të parë menjëherë bën lidhjen me frashërlinjtë e famshëm (e kam fjalën për vëllezërit Sami, Abdyl dhe Naim Frashëri)…
E kam të vështirë të hamëndësoj sesi perceptohem nga të tjerët në kontaktin e parë. Lidhja me Frashërin dhe Frashërllinjtë te unë është atavike: të hulumtuarit, të shkruarit, të kontribuarit në përparimin lëndor dhe moral të kombit, angazhime dhe pasione pjesërisht të trashëguara e pjesërisht të përftuara nga zgjedhje vetjake, më bëjnë të ndihem më në sintoni dhe vijueshmëri me Frashërllinjtë historikë sesa thjesht mbiemri. Kjo është njëra nga arsyet përse libri im i parë studimor, që iu paraqit publikut më 2023, ka në fokus Frashërin si një dukuri historike, antropologjike dhe sociologjike që hedh dritë mbi aspekte të Shqipërisë juglindore në cikle periudhash të gjata të historisë. Arsyeja tjetër është ajo që Frashëri dhe Frashërllinjtë kanë mundur të trupëzojnë në kohë një model komuniteti njerëzor, qytetërues, ndërfetar, pra politik në kuptimin më të qashtër të fjalës, i cili nxit vetvetiu hulumtimin shkencor në mënyra të reja, me kusht që, gjithë duke respektuar me rigorozitet kanonet e historishkrimit, të dilet nga shtigjet e rrahura dhe rutina mendore ose nga konforti i njohjeve të kapitalizuara.
Keni ardhur së fundmi për publikun me një libër tjetër me tematikë historike “Princa të Lilit”. Çfarë trajton publikimi juaj më i fundit?
Për ta thënë me një fjali, ky libër mund të përkufizohet me një shprehje huazuar Prof. Aurel Plasarit: është një histori arbërore me Europë dhe një histori e Europës në Arbëri. Vëmendja kryesore e këtij libri përqendrohet te hetimi historik i një periudhe të gjatë të Mesjetës së vonë: shekujt XIV-XV. Historia e familjes së Topiajve ka shërbyer si katalizator kryesor për të depërtuar ngjarje, personazhe dhe mentalitete politike mesjetare në një epokë përplasjesh dhe përmbysjesh qytetërimesh në rajonin e Mesdheut lindor. U mora më veçanërisht me Topiajt sepse prej tyre është lënë trashëgim një stemë dhe tri mbishkrime qysh nga shekulli XIV, të cilat deri më sot janë trajtuar më shumë si gjurmë, deri diku anekdotike, sesa si burime historike të dorës së parë. Studimi ka për qëllim që të sqarojë përse këto gjurmë meritojnë statusin e burimit historik të dorës së parë, duke i përdorur, në funksion të hetimit historik, si çelsa për të zbërthyer dinamika historike me shumë rëndësi dhe për të plotësuar mozaikun e personazheve dhe ngjarjeve që i dhanë Arbërisë dhe arbërorëve, në atë kohë, fizioniminë e tyre europiane dhe rajonale të posaçme. Duke qenë se ky hetim historik nisi, si çdo hetim, nga takimi mes një personazhi, të pavdeksuar në një portret, dhe intrigës së një “krimi moral” – lindjes jashtë martese të Karl Topisë nga një zonjë që i përkiste Shtëpisë së Francës, ose “Princave të Lilit” – nuk kishte se si libri të mos kthehej edhe në një “galeri” imazhesh dhe artefaktesh mesjetare, në një masë të madhe të panjohura, që shoqërojnë me instrumente pamore leximin e një teksti detyrimisht të vështirë. Libri është gjithashtu i pajisur me 6 tabela gjenealogjike të formatit të madh që e ndihmojnë lexuesin të mos humbasë fillin në labirinte familjare mesjetare jashtëzakonisht të ngatërruara dhe komplekse.
Falë hetimit historik, saktësisht një rindërtim identikitesh, Topiajt u shfaqën, me mbiemrin e tyre të dytë, Carlouich, diçka më ndryshe dhe në një tjetër reliev krahasimisht me idenë e përgjithshme të një familjeje fisnike arbërore. Përmes tyre vërehet trajektorja, në Europën juglindore, e disa proceseve europiane unifikuese por edhe skajshmërisht konfliktuale mes Perëndimit dhe Lindjes. Në shekullin XIV, koha kur stema është gdhendur, jemi në origjinat e ndërlikuara të “komuniteteve politike europiane”. Është periudha e apogjeut dhe sakaq e fillimit të dekadencës së idesë së një Europe nga Atlantiku në Jerusalem të bashkuar nën një skeptër dhe nën një besojmë: Ide e filluar nga Karlëmadhi (Charlemagne), perandori nga i cili Topiajt morën edhe antroponimin Karlo dhe prej të cilit pretendonin se rridhnin; Ide e vazhduar me pathos nga Kisha romane dhe projekti i saj për supremaci; Ide që u mishërua nga bashkësia e Kapetingëve, Mbretërve të Francës, ose Princave të Lilit dhe gjithë rrjeti i pinjove të tyre të shpërndarë nga Parisi në Kostandinopojën latine e nga Arbëria në Hungari, pa harruar Napolin e Anzhuinëve dhe Helladhën e frankokracisë.
Dora-dorazi studimi u përfshi vetë në hullinë e një analizë të gjeopolitikave mesjetare dhe të impaktit të tyre real në rajonin tonë duke nxjerrë në pah njëfarë sinkronie mes dukurisë së sotme të ndjesisë se politikat te të vegjlit përcaktohen në masë të madhe nga të mëdhenjtë dhe konstatimit se edhe në shekujt e Mesjetës ishte pak a shumë e njëjta gjë. Tjetër gjetje mund të konsiderohet rindërtimi i inxhenierisë së rrjetëzimit të elitës arbërore me Perëndimin në një mënyrë kokëfortë dhe të dallueshme nga elitat sllave që morën një drejtim krejt të kundërt, megjithëse edhe ata ishin pjesërisht prej gjakut të Princave të Lilit. Duhet nënvizuar gjithashtu impakti i ngjarjeve ndërkombëtare në formimin e një “sjelljeje prej maçoku”, siç e quante Shuflaj aftësinë për përshtatje të elitave arbërore, për t’i dhënë dorë përftimit të mjeteve të mbijetesës në vorbulla politike, shoqërore, fetare dhe ekonomike të pamenaxhueshme në mënyrë autonome dhe në nivel lokal. Së fundmi, nuk duhet lënë pa thënë se këto procese e përshpejtuan, paçka se edhe e dëmtuan me efektet e tyre anësore, përftimin e një vetëdijeje rreth idesë së Arbërisë si një entitet më vete, politik, njerëzor, shpirtëror dhe kulturor.
Librat tuaj, ashtu si libri i parë, i dedikohen tematikave historike. Çështje njohurish, pasioni apo lidhet me diçka tjetër!
Le të themi që ka pak nga atavizmi frashërlli dhe shumë nga formimi im prej juristi që më shtyn t’i përvishem çështjeve të mbetura pezull për t’i hetuar me themel për sa është e mundur, duke përdorur instrumente ndërdisiplinore dhe duke ecur në shtigje të pashkelura: shkurt, për t’u marrë me gjëra për të cilat nuk ka shumë interes vërdallë. Nëse do të hetosh dhe të punosh i qetë, këto janë shtigjet që duhen përshkuar, jo ato që premtojnë sensacione dhe famë të sforcuar letrare.
Kritikët thonë se ka një mungesë filtri në fushën e studimeve përfshirë krijimtarinë letrare, çka besohet prej tyre se dukuria në fjalë po dëmton rëndë si studiuesit ashtu edhe krijuesit e mirëfilltë. Qëndron ky konstatim?
Të them të drejtën i qëndroj në distancë këtij debati për dy arsye: së pari sepse nuk jam as kritik letrar dhe as autoritet shkencor ose moral për të ndarë të mirën nga e keqja; së dyti, sepse kërkimi shkencor është një punë murgjërore që kërkon një tërheqje nga shamatat dhe rrëmeti që ziejnë në piacë. Kohën e kam me pakicë dhe shumë të çmuar, që t’i mund t’i kushtoj tani për tani një pjesë të saj gjykimit të një dukurie që meriton në fakt vëmendje dhe analizë. Megjithatë mendoj se nëse studiuesit, shkrimtarët, shkencëtarët seriozë duan që kjo dukuri, nga e përhershme siç duket, të kthehet në e përkohshme, siç edhe është në fakt strukturalisht, duhet të mos rreshtin së punuari dhe botuari të kundërtën e asaj që denoncojnë. Kjo është mënyra për të pasuruar shpirtin kritik të lexuesit, duke ndikuar në tkurrjen ekstreme të perimetrit goditës të mediokritetit, çka do të ishte mënyra më e mirë për t’i lejuar vesit t’i bëjë homazhin që i takon virtytit.
Cilat janë planet tuaja të së ardhmes në fushën e studimeve? Ndonjë projekt, tjetër libër?
Në fushën e studimeve, tani që sapo ka dalë ky libër i vështirë, nuk mund të kem projekt tjetër veçse të kontribuoj në njohjen dhe në të kuptuarit e tij në mënyrë të drejtë. Falënderoj edhe “Liberale”-n që me shumë dashamirësi më dha një dorë të parë në këtë drejtim.