Fitim Zekthi
Pak ditë më parë në Shqipëri ndërroi jetë ish ambasadori gjerman në Tiranë në vitet 1987-1990 Werner Daum. Vdekjen do ta përjetojë çdo njeri në faqe të dheut dhe këtu nuk ka asgjë të re dhe nuk ka asgjë të veçantë. Ai ishte 81 vjeç, kishte patur një jetë të gjatë me aktivitet të rëndësishëm dhe të fisëm të cilat janë bekime të vërteta për këdo dhe largimi nga kjo botë ëhstë gjithashtu një bekim më vete.
Vdekja e Werner Daum është një moment më shumë për të folur për atë që ai përfaqësonte, sidomos në lidhje me atë që ai bëri për vendin tonë. Ai vdiq në Shqipëri ku kishte ardhur dhe mori pjesë në një aktivietet të organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës për ngjarjet e 2 korrikut të vitit 1990. Ai gjithashtu mori pjesë edhe në veprimtarinë e organizuar nga bashkia e Kavajës për nder të Josif Budos, i vrarë në 10 korrik të vitit 1990, në Kavajë, gjatë protestave kundër regjimit komunist.
Ishin dy aktivietete shumë të bukura. Në ligjëratën, bisedën në Universitetin Europian të Tiranës ai shfaqi një elegancë të thellë të mënyrës se si e kishte parë Shqipërinë e viteve 1987-1990 kur ai ishte ambassador i Republikës Federale të Gjermanisë. Ai shfaqi po ashtu edhe një forcë të madhe të shpirtit njerëzor teksa foli për gjithë ato vite dhe sidomos për ngjarjet e 2 korrikut kur mijëra njerëz u futën në ambasada.
Werner Daum ishte një antikomunist, një njeri që besonte me gjithçka tek forca e njerëzve dhe tek demokracia. Ai ishte një njeri që kishte një gërryeje të brendshme kundër komunizmit dhe kundër diktaturave. Tirania ishte për të një prej formave më të ulëta dhe më djallëzore të qeverisjes. Ai ishte mëkuar me ide të tilla prej familjes sidomos nënës. Këto i tha me një një stil, sa modest dhe të përunjur aq edhe të hollë dhe të përkorë në ligjëratën në UET.
Teksa ai fliste për Shqipërinë në komunizëm, për përpjekjet e tij për të folur me njerëz kudo në vend dhe për mundësinë e pakët ose të paqenë fare për të folur me njerëzit vihej re një lidhje e çuditshme që ai kishte krijuar me vendin tonë, me shqiptarët. Këtë lidhje e ruajti me forcë gjatë gjithë këtyre viteve. Momenti i dyndjes së njerëzve në ambasada ishte i jashtëzakonshëm, ishte një shpërthim, një shok, një hata, një shpresë e madhe.
Roli i Werner Daum është i paimagjinueshëm. Ai tha se kur njerëzit hynë në ambasada ata fillimisht nuk shkuan tek ambasada gjermane dhe ai, Werner Daum, u mërzit. Ai donte që ata të hynin në ambasadën gjermane ndonëse udhëzimet nga qeveria gjermane ishin të rrepta dhe ishin kundër hyrjes së njerëzve në ambasdada. Mesa duket njerëzit në Tiranë zgjodhën ambasadën italiane, turke, franceze duke patur një lloj droje për ambasadën gjermane. Werner Daum tha se ai mblodhi personelin e ambasadës dhe i la të iknin më herët atë ditë. Më pas hapi përgjysmë portën kryesore dhe e la ashtu. Kjo bëri që në ambasadë atë mbrëmje të dyndeshin masivisht njerëzit. Werner Daum tha se në amabasadën gjermane hynë aq njerëz sa hynë në të gjitha ambasadat së bashku. Çfarë është më kryesorja, Werner Daum nuk e kishte hapur ambasadën se dëshironte që rinia shqptare të ikte, nuk e kishte hapur ambasdadën për arsye humanitare por e kishte hapur për arsye politike. Ai e dinte se ikja e njerëzve në ambasada do të rrëzonte pa asnjë mëdyshje regjimin komunist. E hapi se donte që ndihmonte në rënien e komunizmit.
Teksa Werner Daum fliste për ato ngjarje mua më kalonte përpara e gjallë koha e korrikut të 1990. Po vija përballë njëra-tjetrës ngjarjet në Tiranë tek ambasada gjermane dhe tek fshati im dhe po mundohesha të gjeja një lidhje. Ishte mbrëmje dhe shumë nxehtë dhe punonim me shirjen e grurit si nxënës që ndihmonin familjet në verë të fitonin pak lekë më shumë mes mjerimit të kooperativës. Si një tifoz i thekur futbolli sidomos i Gjermanisë, po nxitoja bashkë me të tjerë që të iknim shpejt të shihnim gjysmëfinalen Itali-Argjentinë. E kishim mendjen te gjysmëfinalja tjetër dy ditë më pas Gjermani-Angli dhe dëshironim një fitore të Argjentinës sepse na dukej më e vështirë Italia dhe dëshironim edhe të “hakmerreshim” për humbjen e 1986-ës. Këto ishin gëzimet tona të vetme në atë mjerim, vapë dhe lodhje.
Të nësermen në mëngjes dëgjojmë lajmet që në Tiranë “është bërë nami”, njerëzit kanë hyrë në ambasada. Në familjen time kjo ishte gjithçka, ishte mrekulli. Të gjithë flisnin që regjimi do binte. Data 4 korrik e gjysmëfinales Gjermani-Angli ishte më shumë një ngjarje politike tashmë. Ishim të çmendur pas Gjermanisë edhe më shumë. Këto momente më vinin ndërmend kur Werner Daum fliste për 2 korrikun, për hapjen e derës së ambasadës, për shpresën për rënien e komunzimit. Mendoja shqiptarët e drobitur, të lodhur, të masakruar, të mjerë dhe mendoja që njerëz si Werner Daum janë në anën e tyre. Është pak a shumë si ajo që thotë Elie Ëiesel për të burgosurit në kampet e shfarosjes të cilët ndjeheshin të lënë në harresë, të braktisur në atë mjerim dhe vuajtje pa e ditur që bota ose njeërs të ndryshëm po luftonin për ta kundër nazizmit. Kjo ishte ndjesia në atë moment kur mendova 2 korrikun nga këndi i shqiptarit të lodhur, masakruar, varfëruar, burgosur etj.
Mu shtua disa herë më shumë kjo ndjesi kur Werner Daum tha ai kishte një “amanet” nga nëna e tij. Nëna e tij një besimtare e devotshme kishte kundërshtuar Hitlerin kur ai nisi persekutimin e të krishterëve dhe kishte vuajtur edhe vetë persekutimin nga regjimi nazist. Ai, Werner Daum, tha se akti i nënës së tij e kishte shoqëruar atë gjithë jetën dhe ai ashtu do të sillej kundër diktaturës, kundër formave të tiranisë që pengojnë lirinë e besimit dhe lirinë e shprehjes dhe Shqipëria komuniste ishte një diktaturë e egër që nuk lejonte asfarë liri besimi dhe liri shrehjeje.
Me këtë akt, me këtë sjellje, me këtë botë të tijën Werner Daum ishte një qenie e mrekullueshme njerëzore. Dietrih Bonhofer, një pastor dhe teolog i jashtëzakoshëm gjerman foli kundër Hitlerit një ditë pasi u bë kancelar në vitin 1933 dhe për 10 vite me radhë luftoi kundër tij derisa sa u arrestua nga Gestapo dhe u vra. Bonhofer kishte një kthjelltësi, një forcë, një dlirësi të rrallë. Ai e pa doktrinën e fuhrer-it si një herezi, si diçka kundër Zotit dhe i qëndroi përballë. Werner Daum në mënyrën e vet përfaqësonte këtë lloj qasjeje. Ai e kishte parë komunzimin shqiptar si diçka djallëzore. Ai i shihte tiranitë si të tilla dhe e quante detyrë kundërshtimin e tyre. Ai e tregoi këtë edhe në vende të tjera kur mbrojti me forcë të drejtat e njerëzve, si në Sudan apo Jemen.
Kjo është gjëja themelore që ne duhet të ruajmë në memorie për të. Ai gjithsesi ishte një njeri që kishte përkorësi në gjithçka. Ishte një akademik i veçantë, profesor i njohur i historisë së Lindjes së Mesme dhe i islamit. Në një një moment ai më kujtoi filozofin e madh Roger Scruton. Scruton për të kuptuar më mirë kulturën e vendeve myslimane, besimin dhe doktrinën e islamit dhe për të parë se si kjo kulturë dhe ky besim e sheh qeverisjen dhe politikën kishte mësuar arabisht në mënyrë që të lexonte Kuranin në origjinal. Scruton ishte një mahnitje. Ai ishte aq serioz në studimet dhe dijen e tij sa mësoi arabisht dhe në një momnet gjatë një bisede bëri një dallim mbi estetikën dhe hermeneutikën mes vargjeve mekase dhe medinase, dallim që bëjnë vetëm njohësit e thellë të gjuhës arabe dhe islamit. Kjo është natyra e dijes serioze.
Werner Daum gjithashtu fliste një arabishte të shkëlqyer. Ai, ndoshta edhe me rigorozitetin dhe seriozitetin gjerman, kishte mësuar arabisht në atë nivel të lartë në mënyrë që duhet në fakt ta ketë një professor i Lindjes së mesme dfhe i islamit. Ky dimension i seriozitetit të tij akademik është mbresëlënës, ai është i zakonshëm ndoshta për vende si Gjermania, dimension të cilin ne duhet edhe ta nderojmë por edhe të mësojmë. Werner Daum ishte një shembull.