Margaret Thatcher *
180 kombe ka sot në botë, secila me krenarinë dhe karakterin e saj kombëtar. Por nga 180, vetëm 75 prej tyre janë vërtet demokraci. Kështu kemi shumë më tepër punë për të bërë dhe duhet të bëjmë duke përcaktuar saktësisht se çfarë është liria, më saktësisht se çfarë do të thotë në terma qeverisjeje, shumë më mirë se qeverisja jonë.
Winston Churchill, në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, mbajti disa fjalime historike. Siç ishte fjalimi në Missouri; Ai e filloi fjalimin atje siç do të fillonim ne - demokracia, liria nuk janë thjesht një shprehje. Forma jonë e qeverisjes nuk është thjesht një koleksion i larmishëm politikash: ajo është e bazuar në parime themelore, të cilat Winston i quajti "aktet e pronësisë së lirisë". Dhe lidhur me këtë, ai tha: "Populli i çdo vendi ka të drejtë dhe duhet të ketë fuqinë, me anë të veprimeve kushtetuese, me anë të zgjedhjeve të lira dhe të pakufizuara, me votim të fshehtë, për të zgjedhur ose ndryshuar karakterin e formës së qeverisjes nën të cilën jeton". Kështu zgjidhet qeveria. Ai vazhdoi edhe me parime më themeltare: "Liria e fjalës, e mendimit dhe e fesë, sigurisht, duhet të mbizotërojë”.
“Gjykatat e sistemit të drejtësisë, të pavarura nga ekzekutivi, të paanshme nga asnjë parti, duhet të administrojnë ligje që kanë marrë pëlqimin e gjerë të shumicave të mëdha ose janë shenjtëruar nga koha ose zakoni. Këtu", - i tha ai audiencës së tij amerikane, - "janë aktet e pronësisë së lirisë që duhet të qëndrojnë në çdo shtëpi."
Liria e fjalës, liria e fesë, liria për drejtësi nga gjyqtarë të pavarur, liria për të zgjedhur qeverinë çdo katër ose pesë vjet, në mënyrë që ajo të jetë përgjegjëse dhe të japë llogari para popullit.
Në fakt, nuk mund të ketë liri politike nëse nuk ka liri ekonomike - me fjalë të tjera, sipërmarrje të lirë - sepse pasuria nuk krijohet nga qeveria, por nga talenti dhe sipërmarrja e individëve në një atmosferë lirie. Ata e ndërtojnë pasurinë. Nga pasuria e tyre (përmes taksimit), nëse do të sillemi me modesti, do të jemi në gjendje të kujdesemi për njerëzit që kanë nevojë për kujdes. Do të jemi në gjendje të ofrojmë arsim të mirë. Ta mbrojmë siç duhet vendin tonë dhe, sigurisht, është edhe detyra e qeverisë të mbajë financat e vendit të shëndosha.
Kjo është ajo që nënkuptojnë parimet tona dhe ne ecim përmes këtyre parimeve. Le të krahasohemi me idetë e kundërshatërve tanë, të shprehura më së miri nga Karl Marksi, një refugjat që u largua nga tirania dhe pasi fitoi lirinë shkroi në Bibliotekën Britanike për një shoqëri, një shoqëri komuniste, e cila nuk do ta kishte lejuar kurrë të shkruante aq lirisht sa në Britani.
Cilat ishin parimet e tyre?
Cili ishte kredoja e tyre?
Po përdor fjalën "kredo". Ata nuk e shikonin shenjtërinë e individit. Ata ua hoqën të gjithë pushtetin individëve, ua hoqën të gjithë lirinë. Çdo gjë duhej të planifikohej nga një elitë pseudo-intelektuale që nuk ishte as elitë. Nuk mund të zgjidhte individi punën që donte të bënte. Shteti përcaktonte se çfarë do të prodhohej. Përcaktonte gjithçka. Nuk kishte liri. Feja ishte opiumi i popullit. Çdo gjë e vendosur.
Tani, e shihni ndryshimin. Në sistemin tonë, sipas parimeve tona, qeveria është aty për t'u shërbyer dhe për të garantuar liritë e individëve sipas një sistemi të ngritur përmes financave të shëndosha dhe sipërmarrjes së lirë.
Sipas sistemit socialist, njerëzit janë shërbëtorë të qeverisë, pa të drejta themelore të lirisë. Dhe mos e harroni kurrë këtë dallim themelor. Sigurisht, ka shumë dallime, ka gradacione. Por, rreziku me socializmin, do t'ju them, është se mund ta humbni lirinë tuaj pak nga pak, me gjithnjë e më shumë rregullime, me gjithnjë e më shumë nacionalizime, me taksa gjithnjë e më të larta.
Nëse krahsojmë sistemet, nivelin e taksave, do të zbuloni se vendet më të lira janë edhe më të begatat dhe më të suksesshmet sepse kanë sipërmarrje të lirë dhe liri individuale. Janë vende si Shtetet e Bashkuara ku qeveria merr vetëm 33 përqind të Produktit Kombëtar Bruto. SHBA janë vendi më i suksesshëm, më krijues në botë, sepse aktivizojnë në prodhim idetë më të fundit, teknologjinë më të fundit më shpejt se kushdo tjetër.
Sa herë që dikush ngrihet dhe kërkon më shumë shpenzime publike, përgjigjja duhet të jetë: "A do ta fusni dorën më thellë në xhepat e njerëzve në mënyrë që të përcaktoni se ku t’i shpenzoni ju paratë e tyre dhe jo ata vetë?".
Dhe kështu ne dallohemi nga parimet. Mënyra jonë e jetesës po prodhon liri, liri politike dhe një standard jetese shumë më të mirë sesa alternativat e tjera. Është shumë interesante që në këtë shekull, nga tiranitë që kemi pasur, ato të nazizmit dhe fashizmit na është dashur t’i mposhtim me luftë. Por ne ishim në gjendje ta rrëzonim edhe komunizmin përmes Luftës së Ftohtë.
Nuk mund të kemi liri pa sundim të ligjit. Kjo është një gjë që ua them gjithmonë vendeve që kanë dalë nga tirania (komunizmi). Nuk mund të ketë liri të pakufizuar, duhet të ketë sundim të ligjit. Gjëja më e vështirë (ish-vendeve komuniste) është të shpjegosh se çfarë është sundimi i ligjit, ndryshe nga një ligj shtypës. Ata thonë, epo kemi shumë rregullore, qeveria i bën ato, qeveria na dikton.
Nuk është kjo ajo që ne e quajmë sundim të ligjit. Është të kesh gjyqtarë të mençur që vendosin në mënyrë të drejtë, vendimet e të cilëve merren dhe respektohen.
Është të kesh ligje të hartuara në një parlament që është përgjegjës ndaj popullit dhe që e di se do të administrohet me nder. Kjo është arsyeja pse ne nuk e quajmë thjesht ligj, e quajmë sundim të ligjit.
Nuk mund të ketë liri pa sundim të ligjit, dhe kjo është më e vështirë për vende që nuk e kanë njohur kurrë atë. Dhe nëse nuk e ke, ajo që priret të përjetosh është korrupsion dhe kjo është vdekje për lirinë, është vdekje për të vërtetën, është vdekje për nderin, është vdekje për demokracinë. Ne duhet të sjellin në Perëndim njerëz nga vende që nuk kanë njohur sundimin e ligjit, që nuk kanë njohur gjyqtarë të pavarur, që nuk e kanë njohur debatin e lirë që kemi ne. Duhet t'i sjellim në mënyrë që ata, në fakt, të shohin se çfarë është liria dhe demokracia e vërtetë.
Gjatë luftës, kur Winston duhej të krijonte një aleancë me Stalinin, ai u sulmua në Parlament. “Çfarë po bën?”, i thanë ata Winstonit. “Ne menduam se e quajte komunizmin murtajë”. Ashtu e kishte quajtur, në vitin 1919. Winstonit nuk iu desh shumë kohë për ta zbuluar dhe për ta krahasuar komunizmin me një murtajë, shumë kohë para se Ronald Reagan ta quante atë “Perandoria e së Keqes dhe të shtonte se ajo në të vërtetë ishte një murtajë! - “Çfarë po bën, që po dërgon ushtrinë për të mbështetur Stalinin?” “Po”, - tha Winston, - “nëse Hitleri do ta kishte pushtuar Ferrin, do t’i kisha bërë një referencë shumë të favorshme Djallit”. Dhe kishte të drejtë.”
Historia e botës është e tillë. Pasi të keni fituar lirinë ekonomike, duhet të fitoni edhe të drejtën të diskutoni në hartimin e ligjeve që në fakt mbulojnë lirinë tuaj ekonomike dhe, gradualisht, liria politike dhe personale do të vijë pas kësaj.
Ne ndihmohemi në ditët tona nga përparimet fantastike të shkencës, përparimet fantastike të komunikimit, që do të thotë se qeveritë e kanë të vështirë të ndalojnë mesazhin e lirisë që të përhapet. Dhe kështu njerëzit do ta duan atë gjithnjë e më shumë. Dhe gjatë jetës suaj, nëse jo gjatë jetës së disa prej nesh këtu, do të kemi një qendër të tretë të madhe ekonomike të botës dhe, shpresoj, një të lirisë politike. Jo vetëm në Evropë, si toka dhe zona ku filloi liria politike; jo vetëm në Shtetet e Bashkuara ku arriti kulmin e saj; por kudo.
* Pjesë nga fjalimi i mbajtur në Fondacionin Evropian (Liria Ekonomike dhe Sundimi i Ligjit")