Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Asgjë nuk ndodh gjatë procesit të numërimit të votave

Shkruar nga Liberale

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Asgjë nuk ndodh gjatë procesit të

Ervis Iljazaj

Njëlloj si me Tiranën, Partia Demokratike ka shfrytëzuar dy anëtarët e saj në KAS për të kërkuar rinumërimin e të gjitha votave në Qarkun Fier. Rinumërimi do të bëhet dy herë, edhe për votat e partisë dhe të kandidatëve. Pra, dy qarqet më të mëdha të vendit që nxjerrin 53 deputetë do t’i nënshtrohet edhe njëher rinumërimit.

Çdo subjekt apo edhe kandidat ka të drejtë të kërkojë rinumërimin e votave sepse këtë e përcakton ligji, por e gjitha kjo histori ngjan më shumë për të mbajtur gjallë fabulën e masakrës zgjedhore të ngritur nga Partia Demokratike se sa për të nxjerrë prova apo fakte të manipulimeve të zjgedhjeve. Edhe disa kuti që janë numëruar deri më tani ka rezultuar njësoj si numërimi i parë.

Për një arsye shumë të thjeshtë. Shqipëria nuk është në vitet dy mijë ku futeshin duart në kuti apo procesverbal gjatë procesit të numërimit. Tashmë numërimi i votave është ‘live’ dhe me kamera, kështu që vështirë se një komisioner mund të manipulojë votat që i sheh gjithë Shqipëria. Sigurisht mund të ketë ndonjë anomali gjatë numërimit, por në thelb rezultati është po ai.

Aq më tepër që komisionerët e Partisë Demokratike nuk kanë bërë ndonjë shënim kur kanë firmosur procesverbalet apo ndonjë ankesë. Gjithsesi, nëse ka një manipulim të votave në Shqipëri, është e qartë se ai nuk bëhet gjatë procesit të numërimit të votave sepse çdo gjë monitorohet ‘live’ në sytë e të gjithëve. Manipulimi i votave në Shqipëri, apo deformimi i vullnetit të qytetarëve nëse ndodh, ndodh kohë përpara ditës së votimit apo numërimit.
Ndodh në mënyra të ndryshme, ashtu sikurse shkruhet në raporte ndërkombëtare. Për shembull duke përdorur administratën dhe ndikimin që ajo ka te njerëzit. Duke përdorur njerëz me pushtet, apo me ndikim në zona të caktuara, e duke zhvilluar një inxhinieri elektorale klienteliste, apo duke falur gjoba tre ditë përpara zgjedhjeve. Mirëpo, të gjitha këto elementë mund të konsiderohen një mekanizëm për të prodhuar vota, por është vështirë për të bërë lidhjen e tyre me veprën penale të vjedhjes së votave.

Prandaj, beteja e Partisë Demokratike për rinumërinin e dy qarqeve të mëdha të vendit duket më shumë si një tentativë për të mbajtur gjallë idenë se votat janë vjedhur se sa për të rikuperuar ndonjë rezultat elektoral. Edhe vetë e dinë se gjatë numërimit nuk ndodh asgjë e tillë. Mirëpo, vështirësia në të cilën ndodhet, pas një humbje katastrofike, e detyron PD të zhvillojë një betejë që në fakt duket e sforcuar për të vërtetuar masakrën hipotetike zgjedhore.

Aq më tepër kur diferenca midis PS dhe PD në 11 maj është 30 mandate, si kurrë më parë ndonjëherë. Tentativat për të justifikuar një humbje kaq të thellë nëpërmjet rinumërimit të dy qarqeve më të mëdha të vendit, rrezikon që t’i kthehet në ‘boomerang’ Partisë Demokratike nëse rinumërimi nuk nxjerr asnjë anomoli gjatë procesit të numërimit.
Ndërkohë që Partia Demokratike kërkon rinumërimin e votave në Fier dhe në Tiranë, Partia Socialiste është duke u organizuar dhe duke numëruar votat për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH