Këngëtari i njohur R. Kelly, i dënuar me 30 vite burg për trafikim seksual dhe krime të tjera të rënda, është dërguar me urgjencë në spital pasi humbi ndjenjat në qelinë e tij në Karolinën e Veriut.
Sipas avokatëve, 58-vjeçari ishte në izolim kur stafi i burgut i dha një sasi të madhe ilaçesh më 12 qershor. Të nesërmen, Kelly nuk ndjehej mirë, ra përtokë dhe u zvarrit deri te dera e qelisë për ndihmë, përpara se të humbiste ndjenjat. Ai u trajtua për dy ditë në Spitalin Universitar Duke.
Zyra e Burgjeve nuk komentoi për gjendjen shëndetësore të këngëtarit, duke përmendur arsye sigurie dhe privatësie.
Avokatët e Kelly-t kanë paraqitur një kërkesë për arrest shtëpiak, duke pretenduar se ai është shënjestër e një komploti vrasjeje nga brenda burgut. Ndërkohë, prokurorët federalë e kanë hedhur poshtë këtë pretendim, duke e cilësuar si “të çuditshëm” dhe “teatral”.
Kelly u shpall fajtor në vitin 2021 në Nju Jork për shantazh dhe trafikim seksual dhe u dënua më pas në Çikago për prodhim pornografie me fëmijë. Ai po vuan dënimin në burg federal, me pjesën më të madhe të viteve që do t’i kalojë në Çikago.