“Në Siçili mafia godet shërbëtorët e shtetit, që shteti nuk ka arritur t’i mbrojë.”- Giovanni Falcone
Në fillim të viteve tetëdhjetë, puna e magjistratëve të Palermos nuk pati kurrë momente qetësie. Stina e “viktimave të shquara” sigurisht që nuk mund të quhej e përfunduar. U vranë gazetarë, politikanë, gjyqtarë dhe përfaqësues të shtetit. Mafia nuk kishte asnjë qëllim që të fshihej. Strategjia e saj ishte të godiste shënjestrat e veta, të jepte mesazhe dhe të vepronte sikur ndodhej në një fushëbetejë. Vrisnin edhe në mes të ditës, në qendër të qytetit.
Viti 1982 ishte një ndër vitet më dramatikë në luftën kundër mafies. U regjistruan gati njëzet të vrarë në muajt e parë, dyfishi në raport me të njëjtën periudhë të viteve të kaluara. Më 30 prill të atij viti u vra edhe Pio La Torre, Sekretari Rajonal i Partisë Komuniste, të cilit i detyrohemi ligjin e rëndësishëm Rognoni – La Torre, që prezantoi krimin e bashkëpunimit mafioz. Më 3 shtator u vra Gjenerali Carlo Alberto Dalla Chesa, së bashku me gruan e tij të re Emanuela Setti Carraro, gjatë kohës që ndodheshin brenda makinës së tyre. Pavarësisht se Dalla Chiesa mbulonte një detyrë shumë të rëndësishme dhe delikate, Giovanni u shpreh disa herë se ai nuk u mbrojt në mënyrë të përshtatshme, se ishte një njeri i vetmuar. Ishte pritur me mosbesim dhe ishte izoluar, edhe ai.
Në atë ngjarje humbi jetën edhe Domenico Russo, truproja i cili gjendej në makinën që shoqëronte atë të gjeneralit.
Ditën e varrimit, një grua, duke iu drejtuar fëmijëve të Dalla Chiesa-s që ishin nisur për në shtëpi me taksi, bërtiti: «Bij, nuk e bëmë ne!». Shprehte zërin e shoqërisë civile, pjesës së ndershme të saj, pjesës që akoma dhe sot nuk do të identifikohet me mafiozët, asaj pjese që do të ndjekë dhe të mbështesë njerëzit si Dalla Chiesa apo si vëllai im, dhe që ishte lodhur duke parë atë gjakderdhje pa u arritur që të frenohej fenomeni mafioz.
Më pak se një vit më pas, më 9 korrik 1983, Giovanni, në bashkëpunim me Chinnici-n, do të lëshonte katërmbëdhjetë urdhra ndalimi për vrasjen e Gjeneralit Dalla Chiesa, të gruas së tij dhe të truprojës Russo. Ndërmjet urdhëruesve të këtyre vrasjeve u identifikuan Totò Riina, Bernardo Provenzano, Pippo Calò, Nenè Geraci, Bernardo Brusca dhe Michele Greco.
Këtë situatë e bënin dramatike jo vetëm “vrasjet”, por edhe zilia që nuhatej nëpër korridoret e gjykatës. Pikërisht atje ku duhej të punonin në mënyrë kompakte dhe me seriozitetin maksimal, ushqeheshin ndjenja të kundërta.
Në një ditar, Rocco Chinnici kishte filluar të mbante shënim çdo ditë hollësitë e punës së tij. Pikërisht në këto faqe dalin në pah shenjat e para të thumbimeve helmuese që do të duhej të pësonte Giovanni. Për shembull, Chinnici tregon se si kryetari i atëhershëm i Gjykatës së Apelit, Giovanni Pizzillo, sot Prokuror i Përgjithshëm i Palermos, ishte shumë i shqetësuar për pasojat që mund të kishte veprimtaria e Giovanni-t, «gjyqtarit të ri të ardhur nga Trapani që po rrënonte ekonominë siçiliane». Në të njëjtin ditar, më 18 maj 1982, përshkruhet një takim tronditës me Pizzillo-n. Giovanni duhej ndalur. Po “bezdiste” bankat.
***
Më 29 korrik 1983, në orën 8 të mëngjesit, Rocco Chinnici doli nga shtëpia në rrugën Pipitone Federico. U afrua tek makina e tij e punës, ndërkohë, jo shumë larg, Antonino Madonia ndezi një detonator duke hedhur në erë një Fiat 126 të mbushur me eksploziv. Chinnici ishte pesëdhjetë e tetë vjeç. Vdiqën bashkë me të marshalli i Karabinierëve Mario Trapassi dhe tetari Salvatore Bartolotta, që përbënin eskortën e tij, si dhe portieri i ndërtesës në rrugën Pipitone Federico, Stefano Li Sacchi.
Gjithnjë në librin Çështje të Cosa Nostra, lidhur me Chinnici-n, Giovanni deklaroi: «I aftë dhe i guximshëm, e mbronte veten në mënyrë rigoroze dhe me sakrifica të mëdha personale, me eskortë dhe makina të blinduara. Po, Rocco Chinnici është viktima më e natyrshme, më normale, përjashtimi që vërteton rregullin. Në luftën që e kundërvinte ndaj mafies, megjithëse përdori strategji të pagabueshme, ra në kurth dhe e humbi betejën e tij. Mafia u tregua më e zonja dhe më e fortë se ai.»
Pas gjithë këtyre viteve bashkëpunimi intensiv, për Giovanni-n qe fillimisht një surprizë e madhe dhe një dhimbje e thellë zbulimi nga gazetat se Chinnici, 87
në shënimet e veta, të publikuara pas vdekjes nga agjencitë kombëtare të shtypit, kishte vërejtur disa dyshime rreth sjelljes së tij apo rreth iniciativave të pakoordinuara bashkë.
Për më tepër, pikërisht për këto pohime të përmbajtura në shënime, vëllai im u thirr të përgjigjej përpara Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Për fat arriti t’i hidhte poshtë akuza të tilla duke treguar se kishte vepruar në mënyrë korrekte.
Giovanni shpjegoi shumë herë se teknika e tij ishte ajo që t’i komunikonte akuzën të hetuarve vetëm kur të kishte prova të cilat mund t’i bënin ballë debatit gjyqësor, sepse të dërgoje në gjyq një person që ishte i destinuar të mos shpallej fajtor, do të thoshte t’i atribuoje «një status pafajësie» që do të kishte qenë e vështirë më pas për ta hedhur poshtë. Vëllai im ishte i kujdesshëm, nuk donte të hidhte hapa fals.
Giovanni na thoshte gjithmonë se, «një magjistrat ka mbi të gjitha përgjegjësinë për të mos vënë nën akuzë të tjerët vetëm për shkak të bindjeve të tij, por në bazë të provave të pakundërshtueshme».
Edhe për shkak të kësaj ngjarjeje fatkeqe, sigurisht e keqinterpretuar dhe e nxjerrë jashtë kontekstit, Giovanni më tha një ditë se ai nuk do linte shënime që mund t’i lexoheshin në mënyrë të shtrembër pas vdekjes së tij.
Mbaj mend se Giovanni, duke lexuar për herë të parë shënimet e Chinnici-t, qau nga inati, sepse e kuptoi që ato shkrime ishin keqpërdorur nga gazetarët, të cilët kishin vendosur t’i publikonin për t’i instrumentalizuar, kur në fakt tashmë ishte sqaruar plotësisht gjithçka dhe ishte shuar çdo dyshim.
Edhe pas kësaj, gazetat vazhduan të spekulonin dhe të ngrinin dyshime, pothuajse sikur dikush donte të vinte në dyshim ekuilibrat dhe bashkëpunimin e fortë si edhe t’i tregonte kujtdo që e mbështeste punën e grupit të tyre, që as ata që i shërbenin shtetit nuk ishin të panjollosur.
Sa hidhërim provoi Giovanni. Nuk qante vetëm për vdekjen e një miku, por duhej edhe të mbrohej nga akuzat. Nëna jonë shihte në televizor të birin duke u mbrojtur. Të gjithë ne e dinim se ajo që po ndodhte ishte e padrejtë, thellësisht e padrejtë, madje edhe për vlerën e punës dhe të kujtimit të një burri si Rocco Chinnici.
*Shkëputur nga libri "Giovanni Falcone, një hero i vetmuar", përkthyer në shqip nga gjyqtari Engert Pëllumbi dhe botuar nga shtëpia botuese UETPRESS