I ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare, Bujar Bukoshi mbetet një nga figurat më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Ai ishte kryeministër në ekzil në vitet 1991- 2000, si dhe ka mbajtur postin e Ministrit të Shëndetësisë në Kosovë. Bukoshi ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit Ibrahim Rugova. Kjo marrëdhënie mes tyre, që në vetvete përbën historinë e Kosovës së atyre viteve, trajtohet në librin e gazetarit Mero Baze "Republika e parë", botuar nga UETPRESS. Më poshtë po sjellim një pjesë nga libri, ku autori rrëfen gjithë jetën e Bujar Bukoshit, fëmijës së Suharekës, mjekut të Prishtinës dhe kryeministrit të Kosovës.
“LETRAT” E SHTETIT
Paraditen e 12 tetorit 1991, Ibrahim Rugova vendosi të thërrasë në zyrë një nga mjekët më të famshëm të Kosovës në atë kohë, urologun Bujar Bukoshi. Si mjek në kulmin e karrierës së vet, i shkolluar në Beograd dhe më pas i specializuar dhe doktoruar në Gjermani, ai ishte popullor në masën e gjerë të qytetarëve të Kosovës. As e kishte menduar kurrë karrierën politike edhe pse iu ishte bashkuar nismëtarëve të themelimit të LDK-së dhe ishte ndër figurat kryesore të saj, pas Rugovës më karizmatiku. Bukoshi, momentin e bisedës në zyrën e tij atë paradite tetori, e përshkruan si të sikletshme për Ibrahim Rugovën.
“Ai nuk përdorte shkrepëse, cigaren pasardhëse e ndizte me atë që ishte duke përfunduar. Iu desh të mbaronte cigaren që kishte në dorë e të niste tjetrën, për të m’u ankuar se askush nuk po pranonte të bëhej kryeministër i Kosovës.
- Të gjithë frikohen nga ky post dhe e refuzojnë... Më pyeti mua nëse e pranoja. M’u duk e çuditshme, si çdo e panjohur e atyre kohëve.” Dhe Bukoshi e pranoi pa debat, pa ngurrim, pa frikë dhe pa ndonjë emocion të përgjegjësisë që mbartte ai post që në fakt ishte më shumë mision, sesa detyrë. “Nuk i shtrova asnjë pyetje. Thjesht e pranova. Ibrahim Rugova u ndie i çliruar. Ndezi me ngut cigaren tjetër dhe më tha se duhet të dal nga Kosova.
- Diku jashtë. E bisedojmë. Dy qeveri në një territor nuk mund të qëndrojnë, pasi shpërthen konflikti. - tha ai.”
Përshkrimi i Bukoshit në këtë pikë ka dhe një dorë të lehtë humori, kur përpiqet të përshkruajë kujdesin e Rugovës për të mos pasur konflikt. “Ai..., ai ishte fanatik kundër konfliktit.” Ibrahim Berisha, gazetar i njohur, pedagog i sociologjisë në Kosovë, kujton momentin kur Bukoshi e kishte bërë bisedën me Rugovën. Ibrahimi mendon se Bukoshi ra në grackë.
“Pas Rugovës, Bukoshi ishte personaliteti më karizmatik dhe i popullarizuar. Praktikisht, personaliteti numër dy në LDK. Me largimin e tij, hapej shteg për t’u ridefinuar interesi i profileve klanore që kishin filluar të dalin në sipërfaqe. Ai ra në këtë grackë, pranoi dhe shkoi. Më nuk e kam takuar deri mbas lufte.”
Të nesërmen e bisedës me Rugovën, Bujar Bukoshi bëri gati çantën e udhëtimit me sende të domosdoshme; pizhamet, furçë dhëmbësh dhe një libër të Fan Nolit, “Bethoveni dhe revolucioni frëng”. Në mbrëmjen e 13 tetorit nuk fjeti në shtëpi, sepse policia e kishte rrethuar në distancë. Pati prerë biletat së bashku me gruan dhe vajzat në linjën Shkup-Zyrih e pastaj Zyrih-Bon, për datën 14 tetor. U ndanë në dy shtëpi. Zana, e shoqja, së bashku me dy vajzat shkuan për të fjetur te dr. Abdyl Krasniqi, profesor i njohur i mjekësisë në Kosovë, ndërsa Bujari tek Enver Tali.
Të nesërmen u nisën pa u marrë vesh me njëri-tjetrin, sepse policia kishte bastisur shtëpinë dhe po e kërkonte. Bujari udhëtoi me Hajrushin, shoferin e LDK-së, i cili në trazirat e vitit 1999, u vra jashtë rezidencës së Ibrahim Rugovës. Bujar Bukoshi nuk u ndal në Shkup për shkak të sigurisë, por vazhdoi për në Selanik. Udhëtoi nga Selaniku në Lubjanë, aty ku do të vendosej qeveria për gjashtë muajt e parë të saj. Isa Mustafa kishte gjetur me qira një ndërtesë, ish-godinë e Akademisë së Shkencave të Sllovenisë në Bled, qytet buzë liqenit.
Për shkak të inflacionit, çmimet ishin të lira. Brenda godinës improvizuan edhe kuzhinën dhe punësuan dy gra sllovene për të gatuar. Sllovenia ishte zgjedhur si vend i sigurt. Në qershor kishte shpallur pavarësinë dhe një vit më parë u bë mbështetësja krye[1]sore e kërkesave të Kosovës nëpërmjet forumit që opozita sllovene organizoi në Cankarjev Dom, qendra kulturore e Lubjanës.
Deputetët që kishin shpallur Deklaratën Kushtetuese dhe Kosovën si Republikë të Pavarur në Kuvendin e Kaçanikut, në shtator 1991, ishin shpallur në kërkim nga policia. Ata u bënë bashkë në mërgim me ekipin e ri të Qeverisë së Kosovës, për herë të parë, me shpresë se do riktheheshin si trium[1]fatorë. Por kjo nuk do të ndodhte aq shpejt dhe jo aq lehtë sa e mendonin. Qeveria e tyre ishte atipike. Ajo do të funksiononte larg shtetit që përfaqësonte, nuk do të kishte buxhet të siguruar nga veprimtaria ekonomike, por nga solidariteti. Mbi të gjitha, kushtëzohej nga një mision dhe jo nga një mandat normal. Ajo ishte qeveri e përkohshme dhe siç ndodh rëndom, gjërat e përkohshme zgjasin pafundësisht.