Pas dy vitesh përgatitjeje dhe përkthim romani “Kryeministri”, botuar në 2016-ën nga shtëpia botuese UETPRESS, ka parë dritën e botimit në gjuhën arabe. Lajmin e ka bërë të ditur vetë autori Ben Blushi në një postim në rrjetet sociale, ku shkruan se më në fund ka marrë në dorë një kopje të librit.
“Kryeministri” është përkthyer në arabisht nga shtëpia Kalemat, nën mjeshtërinë e sudanezit Ibrahim Fadlalla, i cili jeton prej 25 vitesh në Kosovë.
"...shtëpia që botoi Kryeministrin, quhet Kalemat, që në gjuhën e pasur arabe do të thotë fjalët. Por kur fjala kalemat hypi në taksinë gjuhësore turke, e cila për 500 vjet transportoi shumë fjalë arabe në gjuhën tonë, u shndërrua në kalem, apo laps, apo penë. Për shkak të këtij gabimi në përkthim unë përfundova si një kalemxhi në Arabi”, shkruan Blushi.
“Kryeministri” rrëfen historinë e një komandoje shqiptar që shkon në Afganistan dhe aty bien në kontakt me islamin radikal dhe organizatat terroriste, përmes një bashkatdhetari të tij, të quajtur Uinston Harasani. Pas kthimit në Shqipëri, ai bëhet pjesë e një komploti të një kryeministri shqiptar, i cili për të fituar zgjedhjet planifikon një atentat të vetes. Libri i shkruar në 2016-ën, në fakt sendërton sipas Blushit një realitet të Shqipërisë dhe botës së vitit 2021.
Por siç pranon ai, në atë kohë nuk mori vëmendjen e duhur, për shkak të stuhisë politike. E në fakt ishte koha kur Blushi la Partinë Socialiste pas përplasjeve të brendshme me Edi Ramën, për të ndërtuar partinë e tij, Libra, e cila zgjati vetëm gjashtë vite. Replikat nuk munguan edhe në distancë, por me fokusimin e Blushit në krijimtari artistike, duket se janë shoshitur të gjitha.
Po aq surprizuese janë edhe përshtypjet që Blushi ka krijuar nga vizita e tij e para disa muajve në Arabinë Saudite, e cila sipas tij ka kontribuar në zgjidhjen e konfliteve në Lindjen e Mesme.
"Para disa muajsh unë pata mundësinë të marr pjesë në një panair të rëndësishëm libri në Arabinë Saudite ku takova shumë botues, shkrimtarë, gazetarë dhe akademikë të cilët më treguan se sa shumë po investon ky vend për kulturën, turizmin, hapjen ndaj botës dhe zgjidhjen e konflikteve të ashpra të Lindjes së Mesme. Jam i bindur se pa tolerancën e Arabisë Saudite, bota do ishte një vend më i ashpër, Lindja e Mesme do ishte një ferr gjigand, ndërsa Islami do ishte një keqkuptim i vazhdueshëm", shkruan ai më tej.
Arabishtja është gjuhë zyrtare në 20 vende dhe sot flitet nga më shumë se 400 milionë njerëz në mbarë botën.