Intervistoi: Aranit Muraçi
Loer Kume siguroi në zgjedhjet e fundit parlamentare mandatin e deputetit nga radhët e Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit. Shkrimtar, mjek, mendimtar dhe së fundmi edhe pjesë e politikës, Loer Kume në rrëfimin e javës për Liberale shpalos punët ndoshta të komplikuara të disa profesioneve, por kur ndërthuren pasioni, profesionalizmi dhe talenti tregon se çdo gjë është e mundur.
Shkrimtari durrsak, Loer Kume, fituesi i çmimit Kadare në vitin 2019, me librin “Amygdala Mandala”, botim i UET Press, thekson se pasioni dhe krijimtaria e tij letrare do të vazhdojë pavarësisht angazhimeve politike, ndërsa zbulon disa nga projektet e së ardhmes:
1. Një shkrimtar në Kuvendin e ardhshëm. Zoti Kume, paradoksalisht, intelektualët ndodh që e kanë më të vështirë të grumbullojnë vota individuale, dhe kjo u provua nga kandidatët e listave të hapura. Si e shpjegoni dhe a e shihni më tepër një fenomen shqiptar, apo më të gjerë se kaq, pra, edhe europian, ndërkombëtar?
Të qenit shkrimtar, apo intelektual, të bën të njohur për publikun artdashës, që është relativisht i ngushtë, sidomos në Shqipëri. Një pjesë e figurës sime publike është krijuar dhe nga shkrimet publicistike, esetë dhe opinionet e mendimit kritik ndaj çdo fenomeni që kam gjykuar të gabuar, i kujtdo qeverie ka qenë.
Por e tërë kjo njohje e imja si person artistik (apo dhe i të qenit doktor në qytetin tim) është krejt tjetër nga personi politik. Personi politik ka tjetër kontratë, tashmë jo me publikun apo me pacientët, por me qytetarët e vendit ku zgjidhet, me grupimin partiak për të cilin garon dhe me shqiptarët. Tjetër marrëdhënie me kolegët politikë. Është një regjistër krejt tjetër, me rregulla të tjera njohjeje e mosnjohjeje, ndaj çfarëdoqofsh e sado i suksesshëm të jesh në profesionin tënd dhe në syrin publik, kjo nuk të garanton ty zgjedhjen në rastin konkret në Kuvendin e Shqipërisë kur je rishtar në fushën e politikës. Për këtë arsye ishte lista e mbyllur. Bëri të mundur futjen e një sërë personazhesh të cilët, duke ardhur nga pozita jopolitike, do e kishin të pamundur pjesëmarrjen dhe kontributin në kuvend.
2. E zgjodhët ju apo ju zgjodhi partia juve? Me çfarë synimesh do të shkoni në Kuvend gjatë katër viteve të ardhshme të mandatit tuaj?
Si shkrimtar jam pikëpyetës dhe kërkues i përjetshëm, jam mbi palët politike, mbi besimet, mbi fenë, mbi kombet, mbi modën e kohës. Por shkrimtari një pjesë të mirë të kohës së tij është njeri, qytetar, jeton në shoqëri. Kjo në vetvete është politikë.
Unë çdo shkrim timin joletrar e quaj një kontribut dhe pjesëmarrje në politikë. Dhe sigurisht kam pasur oferta dhe më parë të bëhem pjesë e politikës aktive. Por duhej të puqeshin yjet dhe të bëhesha pjesë e skuadrës së Partisë Socialiste, sepse bindjet e mia sociale anojnë nga e majta, dhe sepse gjithmonë kam dashur të bashkëpunoj me zotin Rama, duke pasur që në kohët e hershme një opinion të lartë për të. Ndaj kjo herë ishte e duhura.
Në kuvend do shkoj për të dhënë kontributin tim, dhe për të bërë gjërat që mendoj të drejta. Shpesh për shkak të rutinave dhe konjukturave, harrojmë të ndajmë të bardhën nga e zeza, duke pluskuar në një lëndë gri që s’të çon askund. Do punoj të mos ketë të tillë pezulli.
3. Përfaqësimi juaj në Kuvend do të jetë edhe një zë më shumë për artin dhe në veçanti për letërsinë. Si e kanë pritur kolegët tuaj shkrimtarë zgjedhjen tuaj deputet?
Kolegët shkrimtarë, por dhe ata artistë të fushave të tjera, kanë qenë shumë mbështetës dhe entuziastë në përfaqësinë time në Kuvend. Në situatën dramatike ku është libri shqip, për rinovimin e politikave të investimit, të vëmendjes dhe forcës njerëzore në letërsinë shqiptare, e sidomos në përfaqësinë e saj në botë, e cila për shkak të interesave meskine që pluskojnë në atë lëndën gri që përmenda më sipër, ka ngelur shumë mbrapa në përfaqësi, do diskutojmë gjerë e gjatë me tërë miqtë e banorët e botës së letrave për të dëgjuar propozimet e tyre.
Njëkohësisht, në programin e katërvjeçarit të ardhshëm për kulturën, Partia Socialiste ka në plan konkret hapjen e qendrave kulturore në disa kryeqytete kyçe të botës. E ky është një super lajm. Gjithashtu, ka mjaft shtytje për të diskutuar mbi statusin e librit, librarive, bibliotekave publike, mbi statusin e artistit. Do kem nevojë për mendjen e mbështetjen e gjithsecilit për të referuar më të mirën për botën e artit e për të krijuar platforma operative frytdhënëse.
4. Mes deputetit dhe shkrimtarit. Çfarë do të konsideronit sukses në fund të mandatit?
Pasioni im letrar ka lindur me mua, e ambicia ime letrare drejtohet pa kufij kohorë drejt gjetjes së majes letrare. Kjo është e paprekur në çdo rrethanë.
Ndaj, do përqendrohem në të kryerit më së miri të detyrës si i zgjedhur. Në fund të mandatit do bëj llogarinë me të qenit përfaqësues i qytetarëve dhe për tërë projektet e gjërat e mira që dua të bëj. Dhe t’i qëndroj fort besimit që miqtë e njerëzit dashamirës më kanë dhënë gjatë kësaj sipërmarrjeje.
5. Jeni fitues i çmimit “Kadare” për vitin 2019 me librin “Amygdala Mandala”, botim i UET PRESS. Ndërkohë, angazhimet në politikë besoni se do t’ju japin kohë për të shkruar letërsi – dhe pse jo, për të fituar çmime të tjera prestigjioze letrare?
Projekti im më i ri botues do jetë libri me ese 'RockRrëmujë'.
Pas tij kam 3 projekte të tjera të nisura, që duan vetëm kohë dhe përqendrim. Unë nuk hyj te shkrimtarët që shkruajnë shpejt, nuk mund të mbaroj një libër për një muaj. Kështu, do marr kohën e duhur për të nxjerrë një vepër të re të plotë.