Një vit pas ndarjes nga jeta, shkrimtari Ismail Kadare përkujtohet përmes një botimi të ri. Nuk është një dorëshkrim sirtari, as një botim studimor apo me kujtime, siç ndodh gjithmonë kur botës fizike i ikin personalitete të të tilla dimensioneve. Nuk është një libër që në thelb ka fjalën, por një botim që shpaloset përmes artit pamor. Plot 100 imazhe, piktura, grafika, skica, fotografi të portretit të gjeniut të letrave shqipe, përmblidhen në një album të vetëm, të titulluar “100 PORTRETE, Kadare në artet figurative”, i cili do të promovohet më 1 korrik në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), në orën 18:00.
Ky album vjen në kuadër të projektit “Imazhi i Kadaresë dhe impakti i veprës së tij në artet pamore”, realizuar nga Instituti Liberal Pashko me mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe Fondacionit "Credins", nën kujdesin e piktorit dhe pedagogut të Universiteti Europian të Tiranës, Abaz Hado.
“Ky botim, që i kushtohet plotësisht Kadaresë, nuk është vetëm një udhëtim artistik në botën e tij, por edhe një përpjekje për të hapur një portë drejt inspirimeve të pafundme që ky personalitet ju ka dhënë artistëve të tjerë brilante”, shkruan në parathënie znj. Elavana Hana, drejtore e Fondacionit “Credins”.
Kërkimi për gjetjen dhe mbledhjen e veprave pamore solli me vete shumë surpriza, duke gjeneruar një fond të madh punimesh dedikuar jo vetëm portretit të Kadaresë, por edhe veprës, romaneve dhe personazheve më simbolikë e domethënës që ai iu dha jetë përmes penës. Për këtë arsye, botuesit vendosën që Kadarenë në Artet Figurative ta sjellin përmes disa albumeve, duke e nisur me të parin i cili sjell vetëm portretet e shkrimtarit, të realizuara në një periudhë kohore 63-vjeçare. Portretet e para janë ato të piktorëve Ksenofon Dilo dhe Vilson Kilica të vitit 1962, ndërsa i fundit vjen pak muaj para ndarjes nga jeta e shkrimtarit, punuar nga piktori Arif Lusha.
Kuratori i albumit, Abaz Hado, thotë se në fillim të këtij projekti ishte pak skeptik sepse nuk ishte i bindur nëse ekzistonin kaq shumë vepra për Kadarenë. Por me kërkimin e hulumtimin, pritshmëritë u tejkaluan duke u mbledhur më shumë se 300 imazhe nga autorë shqiptarë e të huaj. “Mund ta them, jo me 100% siguri, se Kadare është figura e dytë pas Skënderbeut që ka kaq shumë vepra arti që i dedikohen nga piktorë të ndryshëm, artistë e personalitetite të artit.”
Hado shton se Kadare është ndër të vetmit shkrimtarë në botë që i kanë kushtuar vepra arti, jo vetëm nga vendi i tij por edhe nga vende të tjera. Sipas tij, Kadare ishte figura ku artistët shihnin se si mund të tejkalonin mbylljen dhe izolimin hermetik të regjimit.
“Kadareja ishte frymëzim për artistët. Ata shihnin te ai mundësinë dhe sfidën që ai i bënte regjimit, me qetësinë, urtësinë, heshtjen, me romanet, si një artist që kishte kaluar përmasat reale.”
Projekti dhe puna për ekspozimin e ndikimit të Kadaresë në artet figurative do të vijojë edhe me dy alume të tjera. Vëllimi i dytë do t'i kushtohet ndikimit të Kadaresë në Artet Figurative, me piktorë të ndryshëm që janë frymëzuar nga motivet dhe universi i veprave të tij.
Projekti i tretë do të përqendrohet tërësisht në fotografitë kushtuar shkrimtarit, që nga vitet ’50 e në vazhdim – nga shtypi shqiptar dhe i huaj, si dhe nga shërbime të posaçme fotografike.