Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë tokat djerrë dhe një parcelë me ullinj në zonën e njohur si “Pushimi i Shoferit” në Lushnje. Flakët, të përhapura me shpejtësi për shkak të erërave të forta, janë afruar rrezikshëm pranë banesave në fshatin Krutje e Poshtme.
Zjarrfikësit kanë ndërhyrë për të izoluar zjarrin, ndërsa banorët e zonës janë angazhuar aktivisht në përpjekjet për shuarjen e flakëve, duke përdorur pompa uji dhe mjete rrethanore për të ndihmuar.
Sipas burimeve në terren, bashkëpunimi mes komunitetit, zjarrfikësve dhe policisë ka qenë i menjëhershëm dhe i domosdoshëm për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit në drejtim të shtëpive.
Deri më tani nuk raportohet për të lënduar, por dëmet materiale në sipërfaqet bujqësore pritet të jenë të konsiderueshme.