Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me grupin kriminal të Çopjave, që u godit së fundmi nga SPAK.
Nga përgjimet e zbardhura në dosjen hetimore, dalin shumat e mëdha monetare që përfitohen, të cilat arrijnë në miliona euro. Një prej personave të dyshuar nga SPAK si pjesë e kartelit shqiptar të drogës jetonte në Paraguai, nga ku sasi të jashtëzakonshme droge niseshin drejt vendeve të BE-së.
“Më datë 15.10.2020, në orën 01:57:25, Ervis Çela komunikon me vëllain e tij që jeton në Paraguai, Ardjan Çela, me të cilin kryen një bisedë e cila dyshohet se ka të bëjë me përfitimet financiare nga trafikimi i lëndëve narkotike. Ervisi e vë në dijeni Ardjanin se shtetasi Franc Gergely do të dorëzojë në Shqipëri një shumë e cila dyshohet se është 1 milion euro.
Kjo shumë dyshohet se lidhet drejtpërdrejt me trafikimin e lëndëve narkotike. Nisur nga detyrimi financiar i Fadil Ballës, Ervisi është shumë pranë vendimit për të mos e furnizuar Fadilin më me lëndë narkotike. Gjatë bisedës, Ervisi pyet vëllain e tij nëse shuma prej 20 milion, e cila dyshohet të jetë në monedhën dollarë, është e mjaftueshme për ta administruar në Paraguai. Biseda e përftuar midis vëllezërve Çela është:
‘Me kismet fundjavës t’kaloj 1M në Shqipëri… I ka pagujt krejt ky… Ka 2M plus ktej… Po çon dhe lekë në Shqipëri’.”– raporton euronews.
Në dosje flitet për shuma të frikshme qarkullimi parash. Në një rast, mbi 1 milion euro janë dërguar në Peqin.
“Në orën 10:39:46, Albin Çela komunikon me vëllain e tij Ervis Çela, të cilin e bën me dije se ka marrë një shumë të cilën ai e përshkruan si ‘1.160’, shumë e cila dyshohet se është 1 milion e 160 mijë euro, nga ‘shoku’.
‘Solli 1.160 ky shoku. Ja kish dhonë në mes të rrugës… Ai çuni në TR’.
Këtë shumë dyshohet se e ka transportuar nga Tirana në Peqin shtetasi Denis Daja. … Më tej, Ervis i përgjigjet vëllait të tij që këtë shumë të mos e shënojë si pagesë të shtetasit Fadil Balla, të cilit i referohet si ‘Shijaksi’.
11.21.3. Në orën 11:08:36, Franc Gergely komunikon me Ervis Çelën, të cilit i shkruan:
‘Ça bane?… Mëngjes… I, 150,000 € ka dorëzu tisot. Javës që vjen me kismet 1/1.2M tjera…”– thuhet më tej në dosje.