Andre Onana mund të vazhdojë të qëndrojë te Manchester United edhe këtë verë, por situata e tij mbetet e pasigurt. Sipas raportimeve nga Daily Mail, drejtuesit e klubit janë të gatshëm të shqyrtojnë ofertat për portierin kamerunas, nëse ato arrijnë çmimin prej 30 milionë funtesh.
Ky është një çmim dukshëm më i ulët krahasuar me shumën që United pagoi për të në vitin 2023, kur e mori nga Inter për rreth 47 milionë funte, si zëvendësues i David De Geas. Në rast shitjeje këtë verë, klubi do të regjistronte një humbje prej afërsisht 17 milionë funtesh.
Pavarësisht se Onana ka pasur paraqitje jo shumë të qëndrueshme dhe është kritikuar herë pas here nga tifozët, mungesa e fondeve për blerje të reja – si pasojë e moskualifikimit në kupat evropiane – e bën të vështirë gjetjen e një portieri të nivelit të lartë për ta zëvendësuar.
Manchester United nuk po e ofron aktivisht Onanën në merkato, por nëse vjen një ofertë që i përmbush kërkesat financiare të klubit, ajo do të merret në konsideratë.
Trajneri i ri, Ruben Amorim, raportohet se kërkon më shumë stabilitet në portë dhe nuk është plotësisht i bindur nga performanca e Onanës gjatë sezonit të kaluar.
Emri i Onanës është përmendur së fundmi me SC Neom nga Arabia Saudite dhe me një klub nga Ligue 1 në Francë, por deri tani nuk ka pasur bisedime konkrete ose oferta zyrtare.
E ardhmja e Onanës do të varet nga lëvizjet në treg gjatë javëve në vijim, por për momentin, ai mbetet pjesë e skuadrës.