Ermal Fejzullahu, një nga këngëtarët më të dashur për publikun shqiptar, ishte i ftuar në podcastin “Flet” me Ilnisa Agollin, në Top Channel dhe Top Albania Radio. Gjatë intervistës, ai foli për karrierën e tij muzikore, fëmijërinë, familjen dhe lidhjen e fortë që ka me babain e tij, Sabri Fejzullahun.
I pyetur për emocionet në skenë, Ermali u shpreh se çdo herë që ngjitet në skenë, e përjeton me emocione të mëdha:
“Unë mendoj që skena duhet marrë gjithmonë me emocion. Një artist që nuk ndjen emocion, nuk është artist i vërtetë,” u shpreh ai.
Në intervistë, këngëtari ndau edhe një histori interesante rreth këngës së famshme “Për një dashuri”. Ai tregoi se gjatë një performance, iu kujtua vetja kur ishte vetëm 16 vjeç.
“Po e këndoja me shpirt, kur pashë një pasqyrë përballë dhe aty m’u shfaq ai Ermali i vogël. Pastaj kuptova që kisha ndryshuar shumë fizikisht, por emocionet ishin të njëjtat,” tha ai me të qeshur.
Sa i përket këngës “Kcejna mbi tavolina”, Ermali tregoi se ajo erdhi në mënyrë spontane gjatë një nate në një club në Ulqin me Lumi B. Ata u frymëzuan nga hiti ndërkombëtar “Gasolina” dhe vendosën ta kthenin në një version shqip. Pas disa muajsh, ideja u kthye në këngë, falë producentit Big Bang.