Shkëndija e Tetovës është kualifikuar në turin e tretë të Champions League.
Shkëndija e Tetovës ka arritur sot një objektiv historik, duke shkuar në turin e tretë të Ligës së Kampioneve. Kuqezinjtë kanë mundur FCSB me shifrat 2-1 në Bukuresht dhe ia dolën të vazhdonin rrugëtimin në turneun më të rëndësishëm për klube në Europë.
Pas fitores minimale në ndeshjen e parë në Shkup, tetovarët triumfuan edhe në ndeshjen e kthimit ndaj rumunëve të FCSB, me rezultatin 2-1, për të prerë biletën më tej.
Golat për Shkëndijën u shënuan nga Latifi në pjesën e parë dhe Kristevski në minutat e fundit.
Fitorja merr rëndësi të veçantë për kampionët e Maqedonisë së Veriut, pasi kanë siguruar minimalisht grupet e Conference League.
Pengesa e tyre e radhës është një emër i njohur, pasi shorit i UEFA-s i ka vënë përballë kuqezinjve ekipin e Karabakut. Skuadra e njohur azere, merr pjesë rregullisht në grupe të kompeticioneve ndërkombëtare dhe do të tentojë padyshim të bëjë një gjë të tillë edhe këtë vit.
Nëse tetovarët eliminohen në turet e ardhshme, atëherë grupet e Conference League janë të siguruara, sipas rregullores.
Nëse Shkëndija eliminohet në trurin e tretë të Champions League, do të shkojë në “play off” të Europa League dhe në rast se bie nga aty, do të shkojë në grupet e Conference League.
Megjithatë, Shkëndija do të kërkojë të shkojë sa më larg në këtë rrugëtim të saj.