Trajneri i Inter Miamit, Javier Mascherano, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të MLS-së për të pezulluar Lionel Messin dhe Jordi Albën nga ndeshja kundër FC Cincinnati, pasi nuk morën pjesë në ndeshjen e All-Star Game.
I zhgënjyer me këtë vendim, Mascherano tha se nuk është aty për të kritikuar rregullat, por nuk e pranon aspak mënyrën si u trajtua situata.
“Kam një mendim për atë që ndodhi, por nuk jam këtu për të kritikuar MLS-në ose për të ndryshuar rregullin. Përveç faktit që nuk pajtohem me vendimin, nuk pajtohem fare me të, por, epo… ne u përshtatëm,” u shpreh Mascherano në konferencë për shtyp.
Por trajneri argjentinas nuk u ndal me kaq. Ai ngriti një pyetje që sipas tij, nxjerr në pah standardin e dyfishtë të ligës:
“Tani kam një pyetje: çfarë do të kishte ndodhur nëse ndeshja e sotme do të ishte luajtur jashtë fushe? A do ta kishin penguar Leon të luante edhe atëherë? Sepse për të mbushur stadiumet dhe për të fituar para, askush nuk ankohet, apo jo?”, përfundoi Mascherano me ironi.