Letërsi

Piro Milkani, ky ngadhënjimtar mbi vdekjen

Shkruar nga Liberale

Piro Milkani, ky ngadhënjimtar mbi vdekjen

Nga Luiza Pinderi

Me një histori të trishtë, zemërthyese, emocionalisht të fuqishme, sfiduese por edhe ngadhënjimtare, nisi karriera e tij si regjisor.

Që pas kthimit nga studimet në Çekosllovaki në 1961-in, punonte drejtor fotografie në Kinostudion “Shqipëria e Re”. I diplomuar si operator filmi, nuk kishte menduar apo tentuar për të ndërruar rolet. Do të ndodhte në 1967-ën, periudhë në të cilën kërkoheshin më shumë prodhime kinematografike. I thanë se duhet ta bënte këtë hap e ta kalonte atë vijë, duke e inaguruar kështu emrin si regjisor me filmin “Ngadhnjim mbi vdekjen”, realizuar në bashkëpunim me kolegun e tij Gëzim Erebara.

Filmi trajton fundin e jetës së dy vajzave të reja të përfshira në Lëvizjen Antifashiste, të cilat arrestohen, torturohen dhe më tej pushkatohen nga ushtarët gjermanë. Mes kujtimeve, dhimbjeve të padurueshme fizike e shpirtërore, shkërmoqjes së ëndrrave dhe gëzimeve të para të dashurisë, ato i dorëzohen flijimit për të mbrojtur miqtë e idealit të atdhedashurisë. Është kjo sakrificë sublime që ngadhënjen mbi vdekjen e tyre.

Gjithë karriera e mëtejshme gati 60-vjeçare e Piro Milkanit do të përshkohet dukshmërisht ose jo nga një lloj ngadhënjimi, fitoreje mbi elementë, fenomene, mendime, ide apo mentalitete të caktuara. Çdo krijim, çdo punë, çdo përpjekje e tij do të jetë për të sjellë diçka më të dobishme, më kuptimplotë, më avangardë, më me vlerë, e duke vulosur kështu një trashëgimi të përhershme.

Filmi “Çifti i lumtur”, përmes historisë së dashurisë së një çifti të ri, trajton në vetvete fitoren mbi të vjetrën e mbi ndasitë fetare. E po ashtu, vepra ikonike “Zonja nga qyteti”, në mënyrë mjaft të natyrshme, me shumë humor, nën interpretimin e papërsëritshëm të Violeta Manushit, trajton fitoren mbi paragjykimet e qytetit ndaj fshatit. Mund të vijojmë gjatë në këtë logjikë me kryeveprat e tjera të kinematografisë shqiptare që mbajnë firmën e Piro Milkanit, qofshin ato para 1990-ës, si: “Përse bie kjo daulle”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kur zbardhi një ditë”,  “Shtigje lufte”, “Pranvera nuk erdhi vetëm”, “Në kufi të dy legjendave”; por edhe ato të pas rrëzimit të regjimit, si “Ngjyrat e moshës” apo “Trishtimi i Zonjës Shnajder”, që vijnë me një tjetër botëkuptim dhe qasje moderne në artin e kinemasë.

Edhe pse i mirënjohur për filmat e sipërpërmendur, veprimtaria e Piro Milkanit është shumë më e gjerë. Ai do ta provojë herët veten si aktor, jo me ambicien për të pasur sukses në këtë drejtim, por gjithmonë duke spikatur me interpretimin, natyrshmërinë dhe talentin që e karakterizonte. “Srpnová needle” ishte filmi çekosllovak i 1961-shit ku mori pjesë për herë të parë si aktor, për të vijuar pastaj me rolin e Selimit në filmin italian “Lamerica” (1994) dhe më tej në atë grek, “Kai to treno paei ston ourano” (2001), duke luajtur partnerin dirigjent të personazhit të portretizuar nga aktorja e famshme shqiptare, Irene Pappas.

Krahas filmave, Piro Milkani, në bashkëpunim me djalin e tij, po ashtu regjisor, Eno Milkani, do të jenë prodhues të disa dokumentarëve, mes të cilëve spikatin ata për jetën e dy shkrimtarëve tanë, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli. Në çdo sekuencë filmike, në çdo rrëfim, personazh shpërfaqet ndikimi, vepra dhe vlera që i sollën letërsisë, kulturës dhe identitetit shqiptar.

Një tjetër stacion apo ndalesë në këtë ngadhënjim të së mirës në jetën e Piro Milkanit, është edhe restaurimi e dublimi i filmit të parë artistik në kinematografinë e Shqipërisë, “Skënderbeu”. Së bashku me regjisorin Esat Musliu, ata përzgjodhën një kast të shkëlqyer aktorësh shqiptarë, si Rikard Ljarja, Robert Ndrenika, Roza Anagnosti, për të dubluar personazhet e luajtura në filmin e prodhurar në 1954-ën. Ky projekt madhor erdhi në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke mbledhur një sërë kontributorësh institucionalë, mediatikë e akademikë, siç ishte edhe Universiteti Europian i Tiranës, i cili ofroi mbështetjen e vet financiare.

“’Skënderbeu’ në gjerdanin e argjendtë të filmit artistik shqiptar është ndoshta perla më e bukur. Është produksioni që vuri themelet e kinemasë shqiptare. Në të kanë punuar rusë dhe shqiptarë, dhe shqiptarët fillestarë mësuan një sërë profesionesh”, do të shprehej Milkani për mediat në 2012-ën. Për të, ky film kishte edhe një vlerë që shkonte përtej kuadrit profesional. Ishte filmi që e ekspozoi më shumë se kurrë para kinemasë, kur ai ishte vetëm një djalosh 15-vjeçar. Do ta shikonte pesë ose gjashtë herë, fill pas prodhimit në 1954-ën, kur filmi u shfaq për dy javë rresht në qytetin e Korçës.

E prej atij momenti, jeta e tij do të fillojë të orientohet kah botës magjike të ekranit. Refuzimi i regjisorit Mithat Fagu për të shkuar në Pragë me studime, do t’i hapë rrugën këtij të riu që të merrte bursën e studimit për kinoopertaor në Akademinë e Filmit në Çekosllovaki. Ndoshta rastësia, ndoshta fati, rrethanat, apo të gjitha nga pak, startuan vitet e gjata e të ndritshme të regjisorit Piro Milkani, të cilat ai i numëronte jo me numra, por me emrat e filmave të prodhuar. Puna, pasioni, dashuria diktuan suksesin, emrin me të arta, e tashmë edhe ngadhënjimin mbi vdekjen.

Liberale Newsroom

A është SPAK, ashtu siç ende vazhdon të pretendojë një pjesë e opozitës, “vegël” dhe në shërbim të qeverisë?

  • Po!
  • Jo!
  • Nuk e di!
SHQIPENGLISH