Kuvendi miratoi në seancën e sotme plenare disa projektligje me votat e mazhorancës. Opozita zgjodhi që të largohej nga salla, me përjashtim të deputetit Dashnor Sula.
Në këtë seancë prej më shumë se 7 orësh, ishte edhe kryeministri Edi Rama i cili u rikthye në seancat plenare për herë të parë pas zgjedhjeve të 11 majit, teksa më herët këtë javë ndodhej në Hagë në Samitin e NATO-s.
Socialistët votuan ligjet me 74 vota, ndërsa ndryshimet në ligjin për sportin, që krijuan edhe debat në sallë kaluan me 71 vota pro dhe 4 abstenim. Deputetët që abstenuan ndryshe nga vullneti i kryetarit ishin socialistët Erion Braçe dhe Petro Koçi, por ku i fundit nuk do të jetë deputet në mandatin tjetër. Po ashtu edhe nga PD Dashnor Sula abstenoi sikurse edhe Meri Markiçi nga PSD.
Votimi:
Projektligji “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë”- 74 pro, 1 abstenim.
Projektligji “Për kontrollin e kufirit shtetëror”- 74 vota pro, 0 abstenime, 0 vota kundër.
Projektligji “Për shëndetin e bimëve”- 74 vota pro, 0 abstenime, 0 vota kundër.
Projektligji “Për shëndetin e kafshëve”- 74 pro, 1 abstenim, 0 kundër.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.79/2017, “Për sportin”, – 70 vota pro, 4 abstenim, 0 vota kundër.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 79/2021, “Për të Huajt”- 71 pro, 1 kundër, 0 abstenim.
Projektligji “Për Zyrën e Rikuperimit të Aseteve”- 72 pro, 0 kundër, 0 abstenim.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtimin dhe Zhvillimin, për financimin shtesë për “Veprimin e ofrimit të shërbimeve të përqendruara dhe gjithëpërfshirëse të përdoruesit”- 71 pro, 1 abstenim, 0 kundër.
Projektligj “Për prodhimin, transportin, tregtimin dhe përdorimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme për transport”- 72 pro, 2 abstenim, 0 kundër.
Projektvendimi “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 67/2020 “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit me kohë të plotë pune të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, të ndryshuar”. 73 pro, 0 abstenim, 0 kundër.