Kriptomonedha më e njohur në botë, Bitcoin, ka arritur një tjetër kulm të ri duke kaluar vlerën prej 120,000 dollarësh, konkretisht duke prekur deri në 121,400 dollarë. Kjo rritje e fuqishme është nxitur kryesisht nga blerësit institucionalë afatgjatë, të cilët po shohin potencial të madh në Bitcoin për të ardhmen, ndërsa parashikimet flasin se çmimi mund të arrijë deri në 125,000 dollarë brenda muajit shtator.
Megjithatë, ekspertët e kriptovalutave paralajmërojnë për një mundësi të rënies në javën e ardhshme për shkak të tensioneve tregtare dhe tarifave të reja që administrata Trump ka vendosur ndaj Bashkimit Europian, Meksikës dhe disa partnerëve të tjerë. Megjithatë, blerësit e Bitcoin po e nënvlerësojnë këtë rrezik, duke vazhduar të investojnë me besim.
Në përputhje me këtë dinamizëm, investitorët janë optimistë se Bitcoin do të thyejë rekorde të tjera gjatë vitit 2025. Kjo rritje lidhet edhe me përshpejtimin e blerjeve nga thesaret e korporatave të mëdha, si dhe me afrimin e miratimit të legjislacionit të ri për kriptovalutat në Kongresin Amerikan.
Dhoma e Përfaqësuesve do të shqyrtojë një paketë projektligjesh për industrinë e aseteve digjitale, në atë që është quajtur “Java e Kriptovalutave”. Këto ligje synojnë krijimin e një kuadri rregullator më të qartë dhe mbështetës për zhvillimin e sektorit, një kërkesë që industria ka ngritur prej kohësh.
Presidenti Donald Trump është shfaqur si një mbështetës i kriptovalutave, duke përfshirë edhe iniciativat ligjore, dhe njihet për qëndrimin e tij “pro-Bitcoin”, duke qenë i përfshirë në disa sipërmarrje në këtë fushë.
Përveç Bitcoin, edhe monedhat e tjera dixhitale kanë regjistruar rritje të konsiderueshme, duke u vlerësuar mes 10% dhe 30% në treg, duke treguar një valë optimizmi dhe interes të madh në sektorin e kriptovalutave