Dhjetë persona kanë humbur jetën në Itali këtë vit si pasojë e infektimit me virusin e Nilit Perëndimor, një sëmundje që transmetohet kryesisht nga pickimi i mushkonjave.
Autoritetet shëndetësore në Evropë kanë dhënë alarmin për përhapjen e këtij virusi, sidomos gjatë muajve të nxehtë të verës. Raste të infektimit janë raportuar edhe në vende të tjera si Bullgaria, Franca, Greqia, Rumania, madje dhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku virusi është zbuluar për herë të parë te mushkonjat këtë vit.
Virusi i Nilit Perëndimor (WNV) zakonisht nuk shkakton simptoma tek shumica e të infektuarve. Megjithatë, rreth 1 në 5 persona mund të përjetojnë simptoma si dhimbje koke, lodhje, të vjella, skuqje të lëkurës dhe ënjtje të gjëndrave limfatike. Në raste më të rralla, virusi mund të çojë në komplikacione serioze neurologjike, duke përfshirë dridhje, konvulsione, paralizë apo edhe komë.
Personat mbi moshën 50 vjeç dhe ata me sistem imunitar të dobët janë më të rrezikuarit për të zhvilluar forma të rënda të sëmundjes.
Virusi është zbuluar për herë të parë në vitin 1937 në rajonin e Nilit Perëndimor në Ugandë dhe prej atëherë është përhapur në shumë vende të botës, përfshirë Afrikën, Evropën, Lindjen e Mesme, Amerikën e Veriut dhe Azinë Perëndimore.
Sipas ekspertëve, ndryshimet klimatike po ndikojnë në përhapjen gjithnjë e më të shpejtë të sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat në Evropë. Prandaj, autoritetet shëndetësore po u bëjnë thirrje qytetarëve të marrin masa mbrojtëse, si përdorimi i repelentëve, veshja me rroba me mëngë të gjata dhe shmangia e qëndrimit në ambiente me shumë mushkonja, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes.