Çështja e transferimit të mesfushorit të Club Brugge, Ardon Jasharit, vazhdon të jetë një nga temat më të nxehta te Milan. Pas zyrtarizimit të Luka Modric, kuqezinjtë synojnë të forcojnë më tej mesfushën dhe Jashari është një objektiv kryesor në këtë plan.
Megjithëse oferta e Milanit përfshin mbi 35 milionë euro, duke përfshirë edhe bonuset, një marrëveshje finale me klubin belg ende nuk është arritur. Sipas raportimeve, lojtari ka një akord paraprak me drejtuesit e Milanit, në veçanti me Igli Taren, por situata mbetet e paqartë.
Në ditët e fundit, Jashari ka marrë një qëndrim të dukshëm, duke mos marrë pjesë në festimet e Club Brugge me mijëra tifozë dhe nuk pritet të jetë prezent në stërvitjen e ardhshme, duke pritur sqarime për të ardhmen e tij.
Gjatë sezonit të fundit, Ardon Jashari ka qenë një prej elementëve kyç të Club Brugge, me 35 paraqitje në kampionat, 3 gola dhe 4 asiste, duke treguar vlerën e tij si një mesfushor i kompletuar.