Klubi i Futbollit Tirana ka zyrtarizuar sot emërimin e Vangjel Mile si trajnerin e ri të skuadrës së parë. Lajmi u bë publik përmes një postimi në rrjetet sociale, ku u konfirmua se tekniku 39-vjeçar do të drejtojë bardheblutë për tre sezonet e ardhshme.
Mile nuk është një emër i panjohur për tifozët e Tiranës, pasi më herët ka qenë pjesë e klubit si Drejtor Teknik i Akademisë. Pikërisht aty ka ndërtuar një profil të fortë profesional, duke ndihmuar në zhvillimin e talenteve të rinj dhe në formësimin e një filozofie moderne loje.
Sipas njoftimit të klubit, përvoja e tij me të rinjtë dhe njohja e brendshme me strukturat e Tiranës i japin një avantazh të madh për të krijuar një lidhje natyrale mes Akademisë dhe ekipit të parë. Klubi shprehet se objektivi i trajnerit të ri është rikthimi i skuadrës në majat e futbollit shqiptar, duke u bazuar edhe në integrimin e lojtarëve të rinj me potencial.
Vetë Mile, gjatë prezantimit të tij, u shpreh i përulur, por edhe i vendosur:
“E ndjej veten pjesë të kësaj shtëpie dhe e marr këtë përgjegjësi me përulësi, por edhe me shumë besim. Njoh vlerat dhe pritshmëritë e këtij klubi dhe jam i përkushtuar të punoj çdo ditë për të çuar përpara emrin dhe objektivat e KF Tiranës.”
Klubi i Futbollit Tirana i uron suksese trajnerit Vangjel Mile në këtë sfidë të re dhe është i bindur se rrugëtimi i përbashkët do të sjellë rezultatet që meriton familja bardheblu.