RUBRIKA DITORE E LIBRIT TË PËRZGJEDHUR NGA LIBERALE.AL
Titulli: PRAPATOKA
Kategoria: Roman
Autor: Gerald Murnane
Viti i publikimit: 2025
Numri i faqeve: 218
Çmimi: 1200 Lekë
Përshkrimi
Romani “Prapatoka” është ndër ato vepra që janë të vështira të përmblidhen e të karakterizohen në pak rreshta. Romani nuk ka një strukturë narrative të qëndrueshme, dhe lëviz pa u kuptuar nga një vend në tjetrin. Kemi të bëjmë me një sërë rrëfenjash brenda rrëfenjash të tjera, për ngjarje e vise larg njëri-tjetrit, të rrëfyera nga një njeri i ulur diku në një dhomë. Rrëfenjat flasin për peizazhin, mallin, dashurinë, po sidomos për vetë shkrimin.
Botuar së pari më 1988, kjo vepër është quajtur më ambiciozja e shkrimtarit australian.
Pak nga jeta e autorit
Gerald Murnane ka lindur më 1939, në Coburg, Australi. Në rini ndoqi, pa i përfunduar, studimet për t’u bërë prift katolik. Ka punuar për një kohë të gjatë si mësues në shkollat fillore, mandej në Departamentin e Edukimit dhe ka dhënë mësime shkrimtarie në institucione të ndryshme.
Është ndër shkrimtarët australianë më të spikatur në botë, e përmendet rëndom në listat e çmimeve letrare më të rëndësishme.