Prishja e ndërtimeve pa leje në Theth ka rikthyer në qendër të debatit publik çështjen e ndërtimit të paligjshëm në zonat e mbrojtura dhe përgjegjësitë e shtetit për ta parandaluar atë në kohë. Pamjet e ekskavatorëve që shembin struktura që tashmë janë bërë pjesë e jetës së përditshme të banorëve dhe investitorëve të zonës, kanë ngjallur jo pak reagime, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga shoqëria civile dhe vetë banorët.
Ndërhyrja është bërë nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), me urdhër të qeverisë dhe në bashkëpunim me policinë. Deri tani janë shembur të paktën 19 ndërtime pa leje, ndër to edhe disa në afërsi të kishës së vjetër në zemër të Thethit, simbol i trashëgimisë kulturore. Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë një krim të shumëfishtë dhe ka deklaruar se “shteti nuk do të lejojë kthimin e zonave të mbrojtura në fshatra turistikë të ndërtuar me beton dhe pa leje”.
Por situata nuk është thjesht bardhë e zi. Ajo ngre pyetje të mëdha mbi mënyrën si ka funksionuar (ose nuk ka funksionuar) shteti në vite. Një pjesë e ndërtimeve të prishura nuk janë ngritur fshehurazi në mes të natës, por kanë qenë të dukshme dhe në proces ndërtimi për muaj të tërë, pa hasur asnjë ndërhyrje nga autoritetet lokale, inspektorët e bashkisë apo institucionet qendrore që kanë për detyrë të monitorojnë zonat e mbrojtura.
Vetë kryeministri pranoi se Policia e Shtetit kishte dorëzuar rreth 40 denoncime për ndërtime pa leje në Prokurorinë e Shkodrës, por se nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim penal. Kjo çështje zbuloi edhe përplasjen institucionale mes ekzekutivit dhe drejtësisë, ku Prokuroria reagoi duke hedhur poshtë akuzat dhe duke argumentuar se rastet ishin trajtuar si shkelje administrative.
Në këtë situatë, qytetarët janë ata që janë më të goditurit. Disa prej tyre janë banorë të zonës që, në mungesë të një vizioni të qartë për zhvillimin rural, kanë investuar me shpresën se turizmi malor do t’i nxirrte nga varfëria. Të tjerë janë të rinj që janë kthyer nga emigracioni, kanë ndërtuar bujtina, shtëpi pritëse apo restorante, duke u përpjekur të ndërtojnë një jetë dhe një ekonomi të qëndrueshme në vendin e tyre. Sot, atyre po u shemben jo vetëm muret, por edhe investimet e tyre shpesh të kryera pa ndihmë, por edhe pa mbikëqyrje.
Po lind pyetja: si është e mundur që një ndërtim pa leje të ngrihet, të përfundojë dhe madje të presë turistë përpara se shteti të veprojë?
Fakti që ndërhyrja po ndodh tani, në mes të sezonit turistik, dhe pas muajsh, apo edhe vitesh ndërtimi, i jep të drejtë dyshimeve se reagimi i institucioneve është më shumë një shfaqje e vonuar sesa një menaxhim efektiv i territorit. Në vend që të parandalohen ndërtimet pa leje në momentin që nisin, pritet që ato të përfundojnë dhe më pas të shemben me bujë.
Nga ana tjetër, është e qartë që nuk mund të ketë tolerancë ndaj ndërtimit të paligjshëm në një nga zonat më të veçanta dhe më të ndjeshme ekologjikisht të Shqipërisë. Thethi nuk është vetëm një destinacion turistik, është një pasuri kombëtare dhe ndërhyrjet në territor pa planifikim dhe pa leje rrezikojnë ta shkatërrojnë përfundimisht.
Por nëse shteti do të jetë serioz, nuk mjafton të vijë me ekskavatorë kur gjithçka është bërë fakt i kryer. Duhet të ndërtojë një sistem të besueshëm kontrolli, të shpejtë në reagim dhe të drejtë në trajtim. Duhet të vendosë kritere të qarta legalizimi për ndërtesat që mund të përshtaten me rregullat dhe të veprojë me drejtësi për ato që i shkelin rëndë ato.
Në fund, askush nuk është mbi ligjin, por as ligji nuk mund të zbatohet me sy mbyllur për vite dhe me dorë të hekurt brenda ditës. Mbrojtja e natyrës dhe e ligjit duhet të shkojë paralel me dinjitetin dhe jetën e qytetarëve që, për faj të shtetit apo për mungesë informacioni, janë vendosur sot përballë një akti që i shkatërron jetën. Dhe në këtë mes, nuk është vetëm Thethi që duhet të rregullohet, por vetë mënyra si funksionon shteti.