Kryeministri Edi Rama në rrjetin e tij social ka reaguar në lidhje me zjarret në vendin tonë duke e cilësuar si një ditë sakrifice dhe krenarie. Rama shprehet se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 34 vatra aktive, ku 13 janë izoluar dhe shuar.
Kryeministri shton se në operacione janë angazhuar dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe trupa të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në të gjitha bashkitë e prekura, mbi 600 efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës bashkiakë dhe forca vullnetare, 5 helikopterë.
Gjithashtu edhe 1 avion zjarrfikës Canadair i sjellë bujarisht nga miqtë e shtrenjtë italianë, si dhe qindra mjete, përfshirë autoambulanca dhe mjete transporti për evakuimin dhe mbështetjen e banorëve.
“Vatra që kërkojnë vëmendje në vazhdim: Delvinë, Poliçan, Gramsh, Dropull, Finiq, Berat, Tepelenë dhe Bulqizë, ku forcat nga toka dhe mjetet nga ajri po punojnë pa u ndalur për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pronës.
Gatishmëria është maksimale dhe bashkëpunimi mes të gjitha strukturave shtetërore dhe mbështetja e partnerëve europianë dhe emiratas po vijon për të përballuar këtë situatë të vështirë”, shprehet Rama.