Qeveria ka gati një projektligj për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, duke synuar t’u japë individëve dhe bizneseve mundësinë të përditësojnë vlerën e pronave të tyre në përputhje me çmimet reale të tregut. Projektligji pritet të miratohet me votat e moxharancës së re që nis punën këtë shtator
Ky proces pritet të jetë i vlefshëm për një periudhë të kufizuar, nga 1 janari deri më 30 shtator 2026.
Sipas relacionit të projektligjit, ky rivlerësim është i domosdoshëm për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve të banesave. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vetëm në vitin 2024, çmimet e banesave shënuan rritje me mbi 16-23%, një trend që e bën të vjetëruar vlerën e regjistruar të pronave në Kadastër.
“Rishikimi i çmimeve mesatare referuese të banesave të Bashkisë Tiranë, dhe propozimi i çmimeve të reja referuese për të gjithë zonat e tjera, duke i përafruar gradualisht me çmimet reale të tregut, është një ndër faktorët kryesorë që nxit propozimin e këtij projektligji. Ky ndryshim kërkon përshtatjen e vlerës së pasurive të paluajtshme në regjistrat zyrtarë, për të shmangur diferencat e mëdha midis vlerave të regjistruara dhe atyre reale, duke siguruar kështu një trajtim më të drejtë dhe të qëndrueshëm fiskal për pronarët.”, thuhet në relacionin shoqërues.
Objektivat kryesorë të ligjit janë fillimisht përafrimi me vlerën reale, duke përshtatur vlerat e pasurive në regjistra me çmimet aktuale të tregut.
Nga ana tjetër synohet edhe formalizimi i tregut. Kjo do të bëjë që të reduktohet informaliteti dhe deklarimi fiktiv i vlerave të ulëta gjatë transaksioneve.
Synim tjetër është edhe rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit nga tatimi i rivlerësimit. Projektligji përfshin një normë tatimore prej 5% mbi diferencën mes vlerës së vjetër dhe asaj të re të pronës. Kjo normë, pritet të sjellë një ndikim pozitiv në buxhetin e shtetit.
Sipas të dhënave, interesimi i qytetarëve për rivlerësime të tilla ka qenë i lartë në të kaluarën. Mes viteve 2011 dhe 2022, rreth 254,665 aplikime u kryen, duke gjeneruar mbi 23.5 miliardë lekë të ardhura nga tatimi.
Projektligji parashikon gjithashtu mundësinë e rivlerësimit për pasuritë që janë në proces regjistrimi, si dhe për ato të legalizuara.