Letërsi

“Testamenti i mitomanit”, botuar nga UETPRESS/ Libri i parë dhe i fundit i Leka Bungos shkrimtar

Shkruar nga Liberale

“Testamenti i mitomanit”, botuar nga UETPRESS/ Libri i parë dhe

Trembëdhjetë vitet e Leka Bungos në Manhattan, New York City, nuk ishin vitet e një emigranti të zakonshëm. Për të mbajtur punën si roje nate në një ndërtesë shumëkatëshe, përdori shkrimin si mjetin që e mbante zgjuar. E në ato netë amerikane, mes shumë skicimeve, shënimeve, skenarëve, ai do të ravijëzojë edhe subjektin e romanit të tij të parë dhe të fundit, “Testamenti i mitomanit”. Libri do të botohet në 2019-ën nga shtëpia botuese UETPRESS, katër vjet pas rikthimit të tij në Shqipëri.

Libri vjen me parathënie nga Rikard Ljarja, ku si rrallë herë aktori i njohur shkon përtej natyrës së tij gati hermetike dhe ndan detaje nga jeta e studimeve, nga orët e letërsisë me profesorin e tyre Fatos Arapin, si dhe rizbulon poetin Leka Bungo, i cili në vitet e mëvonshme të jetës do të bëjë emër si skenarist, regjisor dhe aktor.

“Leka ka shkruar dhjetëra drama, radiodrama, i ka vënë në skenë, i ka regjistruar në radio…Tradicionale. Po këtë radhë ka bërë diçka të jashtëzakonshme. Në stilin që e kishte brenda vetes po e kishte harruar(!) rrugës. Libri që unë e lexova në printshkrim më befasoi. Është një libër me një fantazi të çmendur, që shkon deri në absurd”, shkruan Ljarja.

“Testamenti i mitomanit” është në fakt ditari i Luftarit, personazhit kryesor, i cili jeton i vetmuar në papafingon e një pallati. Tashmë në moshën 80 e ca vjeçare, i paaftë për të bërë gjë tjetër veçse të mendojë dhe nxisë imagjinatën e shfrenuar, groteske e idioteskte, ai merr mundimin të lërë një ditar si testament për popullin, ndërsa qëndron në qendër të të gjithë zhvillimeve të mëdha. Ngjarjet vendosen në periudhën e regjimit komunist, duke filluar që pas Luftës së Dytë Botërore e deri në vendosjen e pluralizmimit politik.

Vetë autori ka rrëfyer pas botimit të librit, se pavarësisht se periudha kohore e ngjarjeve është në komunizëm, duke treguar përmes ironisë e sarkazmës shumë të vërteta të hidhura për mënyrën se si trajtoheshin artistët dhe njerëzit, në fakt nën rreshta mitomani tregon se drama dhe psikologjia e drejtuesëve dhe shoqërisë mbetet e njëjtë. Duke shpërfaqur diktaturën, Leka Bunga tregon historinë e mëvonshme që përsërit veteveten dhe cikli bëhet gati i pafund.

Mbi këtë sprovë të vetën si shkrimtar, Bunga do të shprehej se ajo ishte një kapriçio ashtu edhe siç e deklaron në kopertinën e librit. “Kjo ishte një kapriçio. Kështu e kam quajtur edhe në libër; Kapriçio në prozë. Është hera e parë që unë tentoj të shkruaj. Nuk pretendoj të jem ose të bëhem shkrimtar. Ky libër ka një pikësynim. Dhe pikësynimi i tij i vetëm është që vonë, shumë vonë, ata që do ta lexojnë do të shohin dhe do të njohin periudhën ku unë kam jetuar.”

Leka Bunga ishte nga ata artistë që provoi të ashtuquajturin riedukim, pas vendosjes në skenë të dramës “Historia e një vajze”, në vitin 1973 në Teatrin “Bylis”, ku ai ishte edhe drejtor. Pas rikthimit në Tiranë në vitet ’80 do të vijojë punën si regjisor në Estradën e Shtetit.

Ai regjistron në karrierën e tij një sërë veprash të njohura skenike dhe kinematografike, duke e prekur ekranin edhe vetë si aktor në filmin “Një djalë dhe një vajzë”. Po ashtu, ka realizuar disa telekomedi, por edhe emisione televizive, duke spikatur gjithmonë për sarkazmën dhe goditjen e fenomeneve të caktuara shoqërore.

Me ndarjen e tij nga jeta, kultura dhe arti shqiptar humbet një tjetër kontributor të çmuar, që la gjurmën e vet në histori.

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH