Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shkarkuar nga detyra dy zyrtarë të lartë të burgut të Drenovës, drejtorin Fatjon Fasho dhe shefin e policisë së burgut, Sokol Kacoli. Vendimi është marrë pas sekuestrimit të një telefoni celular në qelinë e Laert Haxhiut, një i burgosur me rrezikshmëri të lartë.
Për këtë ngjarje ka nisur hetime edhe SPAK, i cili po verifikon përmbajtjen e telefonit dhe po bashkëpunon me institucione të tjera. Dyshohet se disa biseda të zhvilluara përmes këtij telefoni lidhen me një tjetër çështje në hetim.
Laert Haxhiu është i dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Lushnjës, ku humbën jetën Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa dy të tjerë u plagosën. Objektivi kryesor i atentatit kishte qenë Xhulio Shkurti, nipi i ish-kreut të bandës së qytetit.
Përveç kësaj, Haxhiu akuzohet si drejtues i një grupi kriminal që dyshohet se ka kryer të paktën 17 ngjarje kriminale në vite. Në një tjetër dosje, një bashkëpunëtor i drejtësisë, Artan Tafani, ka treguar për krimet e grupit dhe ka rrëfyer planin për një atentat ndaj dy prokuroreve që po hetonin Haxhiun: Metita Selimi dhe Doloreza Musabelliu.