Letërsi

Mevlan Shanaj aktori, regjisori dhe dokumentaristi më dinamik i kinematografisë shqiptare

Shkruar nga Liberale

Mevlan Shanaj aktori, regjisori dhe dokumentaristi më dinamik i

Brezi i Shanajt kishin energji e kreacion, dhanë vepra të mira, u angazhuan edhe pse në kushte të rënda, por është fatkeqësi për kinematografinë shqiptare që ka humbur një mjegullën e fazës së tranzicionit që i zgjati gati gjysmë shekulli

Nga Gani Mehmetaj

Duke e lexuar librin “Të fshehtat jashtë ekranit” të Mevlan Shanajt, rikujtoj emrat që i përmend me aq dashuri. Janë një listë e lakmueshme e artistëve të profileve të ndryshme, që ai i kujton me mall. Disa nga ata emra me dalin parasysh ashtu si i kam njohur, të tjerët me përftojnë si në ekran të kinemasë a të televizionit, kurse për të tjerët përpiqem ta thërras në ndihmë kujtesën nga ajo që kam lexuar. Shanaj është i kujdesshëm, pedant dhe profesionist, ai i kujton në dritën e roleve, në momente të caktuara kur është në orë të mira dhe në qaste të vështira. Ai herë- herë është kronist, herë portretist, por të shumtën e herëve është nostalgjik për kolegët që i kishte dhe nuk i ka më, apo për ata që e kalojnë moshën e tretë në pension, ndërsa artisti kurrë nuk do të duhej të dilte në pension,  as të pushonte. Ka rrëfime emocionuese si ajo për Viktor Gjikën, që të shushat me dendësinë e emocioneve.  

Brezi i Shanajt kishin energji e kreacion, dhanë vepra të mira, u angazhuan edhe pse në kushte të rënda, por është fatkeqësi për kinematografinë shqiptare që ka humbur një mjegullën e fazës së tranzicionit që i zgjati gati gjysmë shekulli. Nga 13 filma që prodhonte dikur, kinematografia shqiptare ka rënë në një ose dy filma që shfaqen disa ditë dhe zhdukën sikur të mos kishin qenë.

Ndërkaq, libri “Të fshehtat jashtë ekranit”, ishte shkas që edhe unë të përpiqem të portretizoj Mevlan Shanajn, aktor, dokumentarist, regjisor i filmave artistikë dhe autor i disa librave.

Për herë të parë e kam njohur në filmin “I teti në bronz”. Filmi i regjisorit Viktor Gjika dhe i skenaristit Dritëro Agolli, ishte një mashtrim i ëmbël për mua dhe për brezin tim. Për herë të parë e bëra pyetjen i hutuar: A ishin partizanët shqiptarë më të mirë se partizanët serbë? Deri atëherë të mirë i dinim ballistët, kurse partizanët serbë e shqiptarë gjithnjë ishin djemtë e këqij. Në moshën e adoleshencës e bëra timin heroin e filmit. Komisari i Mevlan Shanajt ishte simpatik, dashnor i mirë, burrë i zoti dhe hero që ra në luftë.

“Asnjë aktor nuk ka asnjë përgjegjësi në qëndrimet politike të veprës”, (Të fshehtat jashtë ekranit), shkruan Mevlan Shanaj aktori, regjisori dhe dokumentaristi më dinamik i kinematografisë shqiptare. Atëbotë ai interpretonte një rol të mirë që doja ta besoja, pavarësisht se në familje më kishin thënë se partizanë të mirë nuk ka. Babai im kishte qenë partizan i Brigadës së Tretë Shqiptare, por i urrente partizanët, kishte qenë edhe ballist-vullnetar në mbrojtje të kufijve të Shqipërisë etnike në luftën e Sanxhakut, por i donte ballistët.  

Shanajn pastaj e kam shikuar edhe në shumë filma të tjerë që më pëlqenin. Ishte ndryshe nga të tjerët: dinamik, që të imponohej në mënyrën e interpretimit (“Ballë për ballë”, “Rrugicat që kërkonin diell”, etj) .   

Herën tjetër Mevlan Shanajn e njoha në Prishtinë, më 1980, nëse nuk gabohem, në tavernën e Hotel Grand, kur isha kritik filmi dhe gazetar i “Rilindja”. Ishte me një delegacion nga Tirana. Ai fliste, ne e dëgjonim.

Shanaj në ekranin e kinemasë apo të televizionit, paraqitej çdo herë në një mënyrë tjetër, i transformuar në role të ndryshme. “Aktori tjetërsohet”, shkruan ai në librin e tij  (Të fshehtat jashtë ekranit). Sa herë e kam parë në role të ndryshme, para kamerës me sytë shprehës që rrezatonin, po aq ishte i suksesshëm edhe kur e ndërroi rolin, kur u bë regjisor. 

Ndërkaq, në planin ideologjik nuk jam pajtuar as me filmin artistik për Ali Kelmndin, edhe pse në planin profesional ishte një mashtrim i ëmbël. Filmi ishte punuar mirë, bashkëvendësi im nga Peja, Ali Kelmendi, i Kominternes, paraqitej hero dhe ideolog, ndërsa në atë kohë shkrimtari im më i dashur Petro Marko ende nuk e kishte botuar librin, “Intervistë me vetveten”, ku shkruan se Ali Kelmendi pasi iku nga Shqipëria priste në radhë që të merrte rrogën nga ambasada jugosllave në Paris.   

Të gjitha mashtrimet e ëmbla, i kujtoja duke e lexuar librin “Të fshehtat jashtë ekranit”, një skicim- portretizim i mrekullueshëm i një morie aktorësh, regjisorësh dhe profesionistësh të artit kinematografik.

Në dy vitet e fundit sa herë kam menduar ta angazhoj në realizimin e projektit “Rilindasi i fundit”, por nuk ia kam thënë, sepse më treguan se dilnin një mori pengesash administrative andej dhe këndej kufirit.

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH