Arte

PIKTURA E DITËS: "Malësorja"- Nga piktori shkodran Simon Rrota

Shkruar nga Liberale

PIKTURA E DITËS: "Malësorja"- Nga piktori shkodran Simon

Piktura më lart e titulluar “Malësorja” është realizuar nga artisti shkodran Simon Rrota në vitin 1923, i cili paraqet një malësore me finesë, një grua me veshje tradicionale shqiptare. Fizinomia etnografike i përket veriut të Shqipërisë.

Kjo vepër ruhet në Galerinë e Arteve Kombëtare në Tiranë.

Simon Rrota u lind në vitin 1887 në Shkodër. Mësimet e para i mori në filloren e françeskanëve dhe më pas iu drejtua shkollës italiane të artizanatit.

Studimet e larta i kreu në Akademinë e Arteve të Bukura në Milano. Aty u njoh dhe u ndikua nga teknikat e Rafaello-s dhe Caravaggio-s.

Pas kthimit në Shqipëri, do të punonte fillimisht si fotograf në Lushnjë, për t’u profilizuar gjatë gjithë trajektores së tij profesionale deri në daljen në pension, si mësues në gjimnazin shtetëror të vendlindjes së tij.

I pandashëm nga piktura, do të merrte pjesë në disa ekspozita në rang vendi, si dhe në disa aktivitete të kësaj natyre në nivel ndërkombëtar, ku u pohua autenticiteti i krijimtarisë së tij.

Në koherencë me këtë shtrat ideor, Rrota lëvroi edhe në zhanrin e peizazhit dhe të portretit, duke trajtuar tema etnografike përmes paraqitjes ndër të tjera të shtëpive të moçme, të malësorëve dhe të kostumeve kombëtare.

Mes pikturave të tij, veçohen për popullaritet më të madh punimet “Te Pusi i fshatit” (1934) dhe “Portë në Shkodër” (1936). “Piktor i Merituar” (1961) dhe “Piktor i Popullit” (1999) ishin titujt postumë me të cilët u nderua Rrota. Ai vdiq në vitin 1961.

Poll
SHQIPENGLISH