Nga data 18 Korrik deri më 10 Gusht, Gjakova do të shndërrohet për herë të dytë në qendër të kulturës shqiptare me festivalin “Ditët e Shqiptarit”. Ky edicion sjell 22 koncerte, gara sportive tradicionale, ushqime karakteristike të zonës, panele diskutimi dhe prezantime kulturore me emra të njohur si Ermonela Jaho, Eugent Bushpepa, Elina Duni, Jericho e shumë të tjerë.
Ngjarjet do të zhvillohen në vende simbolike të qytetit si Pazari i Vjetër, parku “Ali Podrimja” dhe tregu “Jupa”. Qëllimi i festivalit është të rikthejë Gjakovën në hartën dinjitoze të festave kombëtare kulturore dhe ta kthejë atë në një destinacion të rëndësishëm të turizmit kulturor shqiptar.
Në nëntor pritet një vazhdim i festivalit me titullin “Ditët e Nëntorit”, ku janë planifikuar disa ngjarje të tjera madhore. Organizimi mbështetet nga vullnetarë dhe komuniteti lokal, me përkushtim për të ruajtur dhe promovuar vlerat autoktone shqiptare.
/Sindi Bocova/Liberale.al/