Tirana në fillimet e saj, viti 1920, vepër e realizuar nga mjeshtri Vangjush Mio.
Vangjush Mio ishte artisti i parë shqiptar që promovoi pikturën, teksa çeli ekspozitën e parë në Tiranë më 1920, vit kur edhe Kongresi i Lushnejs vendosi që Tirana të shpellej kryeqytet.
Vangjush Mio u lind në Korçë, më 3 mars 1891, kur Shqipëria ishte ende në administrimin e Perandorisë Osmane. Qyteti i Korçës ishte sanxhak i Vilajetit të Manastirit.
Nga viti 1920 deri në 1924 studioi në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë dhe në vitet 20 udhëtoi në të gjithë Italinë. Ai vizatoi e pikturoi site arkeologjike, kisha, kanale lundrues, kala në Romë, Venecia, Bolonja, Piza, Firence.
I ndërpreu studimet në Institutin Mbretëror të Arteve të Bukura në Romë për arsye ekonomike dhe kthehet në Korçë, ku emërohet mësues i vizatimit në Liceun Francez të Korcës.
Duke krijuar personalitetin dhe fizioniminë e vet, Mio në vitin 1933 çeli ekspozitën personale në Korçë, më pas në ekspozita kolektive Tiranë dhe në të gjithat ekspozitat të organizuara në Shqipëri.
Po ashtu Vangjush Mio vizatoi dhe pikturoi në Durrës, Butrint, Ulqin e Shën Naum; pikturoi qendrën e Tiranës, bregun e detit në Durrës, Vlorë e Sarandë; liqenin, rrugë e rrugica në Pogradec, Shkodër, Përmet, Gjirokastër, Berat.
Nga veprat e tij mund të përmendim, “Dimri në Korcë”, “Dishnica” “Vithkuqi”, “ Manat e Drenovës”, “Kositësit e barit”,”Autoportreti”, “Portreti i Gruas” , “ Portret Plaku” ,”Cigani”, “Njeriu me gajde”, subjekte peisazhesh natyrore nga rrethinat e Korçës e Pogradecit e shumë të tjera, që tashmë ndodhen në galerinë e arteve dhe në shtëpinë muze të tij në Korcë.
Mbi 400 piktura të “poetit të natyrës shqiptare” ruhen në muze dhe galeri arti në Tiranë dhe Korçë, veçanërisht në shtëpinë e tij në Korçë, e cila tashmë shërben si muze.
U nda nga jeta, më 30 dhjetor 1957 në Tiranë, në moshën 66-vjeçare.