Arte

DORËSHKRIM/ Robert PAPAVRAMI - Si zhvilloheshin artistët në kohën e “shokut Enver”- Pjesë nga libri i Tedi PAPAVRAMIT

Shkruar nga Liberale

DORËSHKRIM/ Robert PAPAVRAMI - Si zhvilloheshin artistët në

* Pjesë nga libri 'Fugë për violinë' i Tedi Papavrami, botim i UET-Press

Pas mbarimit të akademisë, papritur babai vendos të nisemi në Paris dy ditë para datës së caktuar. Në akademi i kanë thënë se zonja Z që ne e kishim njohur në Paris, dëshironte shumë të na takonte në San-Zhan-dë-Lyz, ku do të mbërrinte pas pak. Pas kësaj babai dukej i shqetësuar. Ai më në fund më pohoi se kishte frikë se zonja Z kërkon të na takojë larg Parisit për t’i propozuar të bëhet spiun i qeverisë franceze në Shqipëri. Ne e dimë se ajo punon për Ministrinë e Punëve të Jashtme ku pikërisht e kemi takuar. Atmosfera e shkujdesur që na rrethon më kishte bërë të harroj se të gjithë vendet e botës ëndërrojnë të kenë spiunë në vendin tonë. Unë nuk i kuptoj të gjitha, por nëse babai është i shqetësuar, duhet të ketë një arsye të fortë për këtë. Si përfundim ne nisemi për në kryeqytet pa u takuar me zonjën Z.

Babai i ka folur për Kadarenë, shkrimtarin tonë kombëtar, dhe Amojali ka blerë shumë nga librat e tij në frëngjisht, të gjithë të përkthyer nga Jusuf Vrioni. “Ti e njeh Jusufin, ai ka ardhur disa herë për vizitë në shtëpinë tonë në Tiranë”, më kujton babai. Vërtet, e mbaj mend siluetën e tij elegante, buzëqeshjen dashamirëse dhe kutinë me çokollata që më sillte. Amojali dhe gruaja e tij duken të mahnitur nga librat e Kadaresë dhe e pyesin babain gjatë për shkrimtarin.

Ashtu si gjatë rrugës që bënim bashkë në Tiranë, babai dhe unë flasim rregullisht këtu për Shqipërinë, për gjahun, për violinën dhe për mijëra gjëra të tjera. Që kur jemi kthyer në Paris këto biseda në më të shumtën e rasteve bëhen në kanapenë shkatarraqe të apartamentit. Unë kam gjithmonë mijëra pyetje për t’i bërë dhe mbaj në mendje gjithçka që më tregon ai për miqtë e tij dhe gjithfarë historish që u kanë ndodhur atyre. Këto momente, kur frika që ai mund të më ngjallë është vetëm një kujtim i largët dhe kur unë mund t’i shijoj plotësisht përshkrimet e tij komike dhe të lezetshme, janë bërë më të shpeshta që prej mbërritjes në Francë. Një ditë ne përmendim disa detaje të historisë shqiptare dhe unë e pyes për disa fjalë që janë familjare për mua por krejt pa kuptim, si reformë agrare, diktaturë e proletariatit, lufta e klasave. Të gjitha të lidhura me arritjet e pavdekshme të Xhaxhit Enver.

- Hëm... në fakt e di si është puna... Xhaxhi Enver këndej, Xhaxhi Enveri andej, mirë, në rregull, por...duhet të dish tani që... Xhaxhi Enveri është megjithatë një kriminel i madh - lëshon ai papritur.

Unë dëgjoj për herë të parë se kufiri ynë nuk është rrethuar me tela me gjemba për të parandaluar ndonjë pushtim, por me qëllim që askush të mos arratiset nga ky burg i madh që është Shqipëria. “Megjithë këtë, shton babai, shumë njerëz janë vrarë atje duke u përpjekur të arratisen”. Ai flet për frikën e tij të përditshme, të vazhdueshme, sidomos gjatë mbledhjeve të Partisë, në punë, në lagje. Frikë nga denoncimi. Frikë për veten, për familjen e tij.

Ky terror i madh nuk kursen as xhelatët vetë. Ai përmend Mehmet Shehun, krahu i djathtë i Xhaxhit Enver, zyrtarisht i vetëvrarë, por që ka të ngjarë të jetë ekzekutuar; Kadri Hazbiu, Ministër i Brendshëm dhe njeriu që bënte zap gjithë vendin, të cilit në burg ia shkulën të gjitha dhëmbët që të mos kafshonte gjuhën dhe të vdiste nga hemorragjia para ekzekutimit të tij. Dhe gjithë ata për të cilët nuk kam dëgjuar kurrë të flitet sepse rënia e tyre ka ndodhur para lindjes sime. (Mendja më shkon tek fytyrat e llangosura në fotografitë tek gjyshi Spiro.) Prapa të gjitha këtyre vendimeve, një njeri i vetëm: engjëllori Xhaxhi Enver.

Babai përmend gjithashtu disa veprime të mira, të pakta, për të cilat ka meritë Enver Hoxha. Unë jam i lehtësuar që dal pak nga gjendja e pështjellimit ku më zhytën këto zbulime.

Por babai më thotë se ekziston gjithmonë në gjirin e sistemit tonë një spiun edhe më sekret, i aftë të rrëzojë edhe më të parrëzueshmin ndër të mëparshmit, dhe tek i cili asgjë nuk pikaset: ai mund të duket i dobët, i brishtë, madje edhe në rënie. Ai mund të jetë kushdo. Forca e tij qëndron pikërisht tek fakti që askush nuk e konsideron të rrezikshëm.

Nëse fitoj fazën e dytë të konkursit të pranimit në Konservator, babai do të kthehet në Shqipëri pa mua. Unë do të jetoj vetëm në apartamentin– depo dhe do të ha dy kate më sipër, tek atasheu kulturor i ambasadës i cili jeton me gruan dhe djalin e tyre të vogël pesëvjeçar. Për ushqimin, çdo muaj do t’ju jap atyre një pjesë të bursës. Në asnjë rast nuk duhet të dal vetëm nga ndërtesa ku banojmë. Dikush do të më çojë në Konservator dhe do të më shoqërojë prej andej sërish në apartament. Pra do të jem gjithë kohën nën kujdesin e personelit të ambasadës. Do të duhet të bëj shumë kujdes me këdo për fjalët që do t’i them. Gjithë kohën. Këto porosi të babait vetëm sa e përforcojnë ndjesinë time ndaj zyrtarëve shqiptarë që lëvizin si kundër rrymës në kostumet e tyre të errët në mes të këtij universi që nuk është i tyre: megjithë barrierën e gjuhës, ndihem më i përshtatur dhe i çliruar me Amojalin dhe bashkëshorten e tij, se sa me këta nëpunës.

Regjistroj mirë në mend të gjitha ato që më thotë babai, pa e kuptuar vërtet domethënien që do të kenë për mua. Është e natyrshme për ne të projektojmë vetëm përmes një materiali të njohur, edhe atëherë kur besojmë se po shpikim. Unë di aq sa për të kuptuar se jeta ime këtu nuk do të ngjajë aspak me atë që kam njohur deri më tani, por kjo nuk mjafton për të përfytyruar diçka nga e ardhmja ime, përveç një zbrazëtie aspak ngushëlluese.

Zaret e fatit janë hedhur: babai do të kthehet në Shqipëri, pa mua.

Gëzimi që kam kaluar shkëlqyeshëm konkursin e pranimit dhe masat që duhen marrë para largimit të babait e shtyjnë akoma reflektimin për vetminë time të afërt në Paris. Është nëntor dhe ndërsa dimri afrohet babai duhet të më blejë veshje të stinës, për më tepër që këtu pantallonat e shkurtra duken përfundimisht të papërshtatshme me të mbaruar vera.

Të rekomanduar nga Amojali, ne takojmë Bernard Milanin, harkëtar dhe liutajo, i cili na pret ngrohtësisht. Dyqani i tij ndodhet në atë që quhet Rruga e Romës, pranë Konservatorit. Babai i tregon violinën e tij të blerë dikur në Pragë. Unë së shpejti do të duhet të luaj me një violinë të plotë dhe do të kem më në fund rastin të luaj me Bergonzin e çmuar. Milani e shikon instrumentin me kujdes. Verdikti i tij është i prerë: kopje. Babai është shumë i habitur dhe i hutuar. Edhe unë. Violina magjike që unë kam njohur gjithmonë, me prarimin e saj, aromën aq joshëse, qenka fallco! Duke dalë nga dyqani, babai më shpjegon se e kanë mashtruar dikur në Pragë dhe duket shumë i zemëruar me dikë. Gjithsesi e ka lënë instrumentin tek Milani, që të ma bëjë gati.

Tashmë është mbrëmja e fundit e babait para ikjes. Me duart plot ne kthehemi në apartamentin tonë pas një dite blerjesh. Shumë dhurata të vogla për ata që ndihmuan për ikjen time në Francë. Figurina të gjithfarshme, mbajtëse çelësash, pako me çamçakëza. Disa ditë më parë babai ka dashur të më tregojë serrën e portokalleve të Tylerive dhe piktorët impresionistë. Kishte pasion në zërin e tij kur përpiqej të më tregonte krijimin dhe gjeninë e tyre. Është hera e parë që më flet për ta por kaq më mjafton për më ngulur në kokë se këta piktorë, bashkë me muzikën klasike dhe librat, qëndrojnë në majat e mrekullive të krijimtarisë njerëzore.

Ai ngjit me skoç kutitë e fundit të kartonit nën dritën e verdhë të një llambe të varur në fund të një teli të përdredhur që del nga muri dhe unë e shikoj të veprojë ndërsa flas me të. Së shpejti, nesër, ai nuk do të jetë më këtu. Filloj ta përjetoj këtë mungesë të ardhshme në formë të një peshe që më shtyp dhe më paralizon, duke më fundosur edhe më thellë në kanapenë e lodhur të apartamentit. Si ia paskam fshehur kaq shumë vetes domethënien e largimit të tij? Gjatë këtyre dy muajve bashkë e kam parë shpesh babain po aq të humbur dhe naiv sa unë vetë, ndërsa paralelisht qëndrimi i tij autoritar është dobësuar. Por edhe pse ka kaluar shumë shpejt nga statusi i një perëndie fuqiplotë, që zotëron në mënyrë absolute universin e tij, në atë të një të vdekshmi shpesh të mposhtur nga ajo që na rrethon, ai mbetet, në mungesë të diçkaje tjetër, fortesa e vetme ku unë mund të mbështetem. Një kapitull i jetës mbyllet dhe në kokën time parakalojnë imazhe me ne të dy, naivë dhe të çoroditur, në San-Zhan-dë-Lyz, në Paris, në banesat e ndryshme ku kemi jetuar që prej mbërritjes sonë. Kujtimet e mia organizohen duke përvijuar një mbyllje e cila papritur është më e thellë, më e pasur me ndjenja sesa ditët e përjetuara që e përbënin. Ky fund i parashikuar ndriçon papritur me një domethënie të re atë që dukej sikur nuk kishte kuptim deri tani.

Më pushton një pështjellim i përbërë nga një përzierje nostalgjie dhe keqardhjeje, i papërballueshëm nën këtë ndriçim të ri sentimental. Ndoshta ai ishte i pranishëm tek unë shumë kohë më parë, i padukshëm, i luhatshëm, dhe unë, nuk e di se si, kisha arritur ta harroj. Momenti për të shkuar në shtrat, që unë përpiqem ta shtyj sa më tepër, do të shkurtojë mizorisht orët e fundit të pranisë së babait tim, papritur shumë të çmuara. Ndarja jonë nuk ndodh të nesërmen, por pikërisht këtë mbrëmje.

Si për t’ju kundërvënë të njëjtës mpirje që shprehet me heshtje të gjata, babai turret në udhëzime energjike. “Tedo, duhet të punosh çdo ditë katër orë e gjysmë violinën!” Toni nuk është më kërcënues. Ai më shpjegon për ç’arsye disiplina është e qenësishme për mua. Zëri i tij është pothuaj përgjërues. Gjithashtu duhet që të ha shumë, sidomos mish. Ai këtë ia ka thënë qartë gruas së atasheut kulturor tek shtëpia e të cilit do të ha vaktet. Duhet të dëgjoj Amojalin dhe të bëj saktësisht gjithçka që ai më kërkon. T’u shkruaj rregullisht letra. Dhe të mos flas me asnjeri për bisedën tonë rreth Shokut Enver.

Shumë shpejt, fjalët e tij kanë reshtur. Është vonë. Para se të shkoj të fle babai më puth, akt i rrallë që tregon shumë për karakterin e jashtëzakonshëm të situatës.

* Pjesë nga libri i TEDI PAPAVRAMIT - Fugë për violinë”, në kujtim të babait të tij, violinistit të shquar Robert Papavrami - i ndarë nga jeta më 4 gusht 2025

Liberale Newsroom

A duhet të ishin porositur më herët helikopterë për menaxhimin e zjarreve, në vend të investimit për satelitët “Albania 1” dhe “Albania2”

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH