Qyteti i Shkodrës ishte ndalesa e radhës për shfaqjen “Etyd për dashurinë”, një performancë e veçantë skenike frymëzuar vepra "Romeo e Zhulieta". Kjo është drama më e njohur e autorit anglez William Shekspir e njëkohësisht më e interpretuara, duke ardhur kohë pas kohe me variante të ndryshme që emocionojnë dhe prekin thellësisht spektatorët.
Në një variant të ri e sjell historinë e dashurisë edhe shfaqja “Etyd për dashurinë”, nën regjinë e Igli Zarkës dhe muzikën origjinale të Rona Castrioti. Aktorët që “rijetojnë” historinë më të famshme të dashurisë janë Enis Demarku dhe Daniela Sadja, studentë të programit Arte Skenike- profili Aktrim në Universitetin Europian të Tiranës.
Përmes fjalëve të ndjera të dashurisë, lojës aktoriale dhe interpretimit të guximshëm, dy aktorët e rinj dhuruan mbrëmjen e 16 korrikut momente të veçanta për publikun shkodran, në qendrën Rinore Arka.
Kjo ishte vënia e dytë në skenë pas asaj në sallën e shfaqjeve të Universitetit Europian të Tiranës, ambient i cili po rrit shumë artistë të rinj e të talentuar në disiplina të ndryshme të artit, nga kantoja te instrumentet, aktrimi e regjisura.
“Etyd për dashurinë” është pjesë e një turi artistik që do të vijojë rrugëtimin e tij edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, për të emocionuar dhe rikujtuar se ndjenjat dhe historitë më të thella nuk shuhen kurrë.
Vënia e saj në skenë mundësohet nga Instituti Liberal Pashko, me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe shtëpisë botuese UET Press.