Qyteti i Gondomarit në Portugali u kthye mbrëmjen e kaluar në një det njerëzish, teksa mijëra vetë u mblodhën për të përshëndetur për herë të fundit Diogo Jotën, futbollistin e Liverpool-it, dhe vëllain e tij André, të cilët humbën jetën tragjikisht në një aksident automobilistik natën mes 2 dhe 3 korrikut.
Ceremonia mortore u mbajt në kishën famullitare të qytetit dhe brenda ishin vetëm familjarët dhe miqtë më të afërt, ndërsa jashtë, turma të mëdha qëndruan në heshtje për të nderuar kujtimin e tyre. Mes të pranishmëve ishin figura të njohura të futbollit portugez, si Bernardo Silva, Ruben Neves dhe agjenti i famshëm Jorge Mendes. Klubi i Liverpool-it dërgoi një delegacion zyrtar dhe ka bërë të ditur se do të vazhdojë pagesën e kontratës së Jotës për të ndihmuar familjen e tij.
Një skenë tepër prekëse ishte ajo e gruas së Jotës, Rute Cardoso, me të cilën ai ishte martuar vetëm 11 ditë më parë. Ajo qëndronte pranë arkivolit, e përfshirë nga dhimbja, ndërsa tre fëmijët e çiftit nuk ishin të pranishëm në ceremoni.
Në fund të shërbesës fetare, ipeshkvi i Portos mbajti një fjalim prekës, duke u ndalur te dhimbja e madhe që la pas ky aksident dhe duke përmendur veçanërisht vuajtjen e fëmijëve dhe familjarëve.
Mungesa e Cristiano Ronaldos në varrim u vu re nga mediat dhe fansat. Edhe pse ai shprehu publikisht ngushëllimet e tij, raportohet se në ato momente ndodhej me pushime në jahtin e tij në Majorka, gjë që shkaktoi komente të shumta dhe reagime të përziera në Portugali.