Letërsi

"Giovanni Falcone, një hero i vetmuar”, botim i UETPRESS/ Përpëlitjet e ekipit antimafie dhe dorëheqja e bujshme e Falcones

Shkruar nga Liberale

"Giovanni Falcone, një hero i vetmuar”, botim i UETPRESS/

Në janar të vitit 1988, Antonino Meli mori detyrën dhe vendosi shpërbërjen zyrtare të ekipit Antimafie. Ishte ky momenti kur qendrat e forta të pushtetit të cilat, nga jashtë, kishin interes për ta mbrojtur Cosa Nostra-n, kuptuan se Giovanni-t i duhej hequr mundësia për të shkuar përpara. Megjithatë, ato “intriga oborri” nuk arritën që ta hidhnin në tapet vëllanë tim i cili, edhe pse në një klimë të ndryshme nga ajo që kishte ushqyer Caponnetto, vazhdonte të thurte fillin e hetimeve të tij.

Faji kryesor i Melit, sipas mendimit tim, ishte ai i goditjes së një parimi themelor që Giovanni dhe Paolo kishin lartësuar tek maksiprocesi, koordinimi ndërmjet tyre i procedimeve të ndryshme lidhur me mafien, në mënyrë që të kishin një vizion të përbashkët sa më të plotë që të ishte e mundur. Ai, përkundrazi, i ndau proceset në shumë pjesë, duke i trajtuar sikur të ishin krime të kryera nga banda të ndryshme dhe jo nga ajo organizatë kriminale e pamasë që ishte Cosa Nostra.

Gjatë kohës që ndodhnin ngjarje të tilla, Paolo vazhdonte të ndiqte nga Marsala problemet e Palermos. Në një intervistë të Attilo Bolzoni-t, e publikuar nga “La Repubblica” më 30 korrik 1988, ai denonconte fundin e ekipit Antimafie të Palermos. Në artikullin e titulluar “Shteti është dorëzuar. Nga ekipi antimafie kanë mbetur rrënojat”, Paolo deklaronte: «Është arritur në zgjedhje të gabuara. Nuk kam ndërmend të rihap polemika rreth emërimit të Meli-t si kreu i zyrës së hetimit, por çështja qëndronte diku tjetër, duhej emëruar Falcone drejtues i kësaj zyre jo për ta shpërblyer, por për të siguruar një vazhdimësi të saj. Por në fakt...».

Paolo denonconte një regres shumë të rrezikshëm për punën e sistemit të drejtësisë. Qe sikur të kishte humbur vizioni i unifikuar i fenomenit mafioz, duke u kthyer kështu me njëzet vite pas. Dha shembullin e një rasti që po ndiqte: «Unë jam titullari i një hetimi mbi mafien e Mazara del Vallo. Një pjesë e hetimit është në Palermo dhe një pjesë e kam unë. I shkrova Zyrës së Hetimit të Palermos për të më udhëzuar se kush do të duhet të merret me të gjithë hetimin. Nuk më kthyen kurrë përgjigje. Më parë, të gjitha hetimet antimafie përqendroheshin në Palermo. Vetëm kështu u bë e mundur krijimi i maksiprocesit, vetëm kështu u bë e mundur të kuptohej Cosa Nostra dhe të hyhej në misteret e saj. Tani synohet të ndahet i njëjti hetim në shumë pjesë dhe, kështu, humbet në mënyrë të pashmangshme vizioni për fenomenin. [...] Hetimet shpërndahen në mijëra kanale dhe ndërkohë Cosa Nostra është riorganizuar si më parë, madje më shumë se më parë».121

Pas intervistës së Paolo-s, në të gjithë Italinë shpërtheu një rrëmujë e vërtetë. Giovanni, në përfundim të një mbrëmje të lodhshme të ngarkuar me punë, siç ma konfirmoi Francesca, shkroi një letër dorëheqjeje e cila u lexua në të njëjtën ditë nga disa edicione informative në televizion.

E mbaj mend si tani që, duke e lexuar, qava, pasi e dija se sa dhimbje i kishte kushtuar Giovanni-t shkrimi i çdo fjale. Për të do të thoshte fundi i shpresës. Dua të risjell disa pasazhe sepse në këto rreshta gjendet e gjithë dhimbja, i gjithë zhgënjimi dhe i gjithë zemërimi i vëllait tim.

Palermo, 30 korrik 1988

Kam toleruar në heshtje këto vitet e fundit, gjatë të cilave jam marrë me hetime mbi kriminalitetin mafioz, akuzat e pashmangshme për protagonizëm dhe mungesë korrektese. Duke marrë parasysh se kryej një shërbim të dobishëm për shoqërinë, isha i kënaqur me detyrën e kryer dhe i ndërgjegjshëm se bëhej fjalë për një nga shqetësimet e lidhura me funksionet që më janë besuar.

Isha për më tepër i sigurt se publiciteti i seancave përkatëse dëgjimore do të tregonte, siç në fakt ndodhi, se hetimet për të cilat kam bashkëpunuar ishin kryer në respektin më absolut të ligjshmërisë. Kur më vonë u paraqit problemi i zëvendësimit të kreut të Zyrës së Hetimit të Palermos, dr. Caponnetto-s, paraqita kandidaturën time, duke vlerësuar se kjo ishte e vetmja mënyrë për të shmangur humbjen e një pasurie të çmuar njohurish dhe profesionalizmi që zyra të cilës i përkas kishte fituar në mënyrë globale. Ndoshta po mëkatoja duke prezumuar, dhe ndoshta të tjerë mund t’i përgjigjeshin në mënyrë të shkëlqyer kërkesës për të siguruar vazhdimësinë e zyrës. Megjithatë, është e sigurt se e kam fshirë tërësisht nga mendja idenë për të kërkuar çmime dhe mirënjohje të çdo lloji për kryerjen e detyrës. Rezultati i mirënjohur i kësaj çështjeje nuk më përket nga pikëpamja personale dhe nuk ka ndikuar aspak mbi angazhimin tim profesional, siç faktet kanë treguar. Megjithatë, edhe në atë rast m’u desh të duroja shpifje të ulëta dhe një fushatë denigruese të një poshtërsie të paparë, ndaj të cilës nuk kam reaguar vetëm sepse mendoja, ndoshta gabimisht, se funksioni im më detyronte të heshtja. Megjithatë, tani situata ka ndryshuar thellësisht dhe rezervimi im nuk ka më arsye të ekzistojë. Ajo të cilës i druhesha, për fat të keq ndodhi. Hetimet në proceset e mafies janë bllokuar dhe ajo bashkësi shumë delikate, që është i ashtuquajturi ‘grupi antimafie’ i Zyrës së Hetimit të Palermos, për arsye që këtu nuk kam ndërmend t’i analizoj, tashmë ndodhet në vend numëro.

Paolo Borsellino, për miqësinë me të cilin krenohem, tregoi edhe një herë ndjenjën e shërbimit ndaj shtetit dhe kurajën e tij, duke denoncuar publikisht mangësitë dhe ngecjet në goditjen e fenomenit mafioz që shihen nga të gjithë. Si kundërpërgjigje u realizua një manovër e ulët për të tentuar përmbysjen e vlerës së thellë morale të gjestit të tij duke e reduktuar gjithçka në një grindje në bashkësinë e magjistratëve, me një reagim, domethënë, të magjistratëve protagonistë, të lënë në hije nga magjistratë të tjerë që, me një seriozitet profesional krejt të ndryshëm dhe me një prerje më të mirë, do të kryenin hetimet në fushën e mafies. Kjo nuk më lëndon në ndonjë mënyrë të veçantë, përveç neverisë që ndjej për atë që është me moral kaq të ulët. Gjithsesi duke parashikuar se do të më kërkohen sqarime rreth pyetjeve të hedhura në tavolinë nga prokurori i Marsalas, çmoj se nuk do të jem në gjendje ta bëj përveçse me kushtin që të mos ekzistojë as edhe dyshimi më i vogël për tentativa nga ana ime që të mbështes situata të shtirura privilegjesh (domethënë, tani deklarohet në mënyrë të pabesueshme në lidhje me titullarë të hetimeve në fushën e mafies). Dhe atëherë, pas një reflektimi të gjatë, kuptova se e vetmja mënyrë e mundshme për të arritur atë qëllim, është ajo që të ndërroj menjëherë zyrë.

Kjo zgjidhje, në pikëpamjen time, është bërë akoma më e përshtatshme nga fakti se bindjet e mia rreth kritereve të menaxhimit të hetimeve ndryshojnë rrënjësisht nga ato të personit i cili është bërë titullar i Zyrës së Hetimit, si pasojë e një zgjedhjeje të tij të përcaktuar për të gjitha hetimet në fushën e mafies.

Po i kthehem, për më tepër, ndjeshmërisë së zotit Kryetar të Gjykatës me qëllim që, në mënyrën që do të çmojë më të përshtatshme, të më caktojë në një zyrë tjetër në kohën  më të shkurtër të mundshme. Ndërkohë, kërkoj që të mund të filloj pushimet me efekt të menjëhershëm. Gjithashtu, i lutem sinqerisht të nderuarit Këshill të Lartë të Drejtësisë që të ketë dëshirën për të shtyrë dëgjesën time eventuale për në periudhën pas caktimit tim në një zyrë tjetër.

Uroj që këto kërkesa të miat, thellësisht të ndjera, të mos interpretohen si një ankesë, por të shihen për atë që reflektojnë, shqetësimin e thellë të atij që është i detyruar të kryejë një punë delikate në kushte shumë të papërshtatshme si dhe, si mundësia që të mundë të shprehë plotësisht mendimin e vet pa kushtëzime të çdo lloji.

Ndërhyri menjëherë Presidenti i Republikës Francesco Cossiga për të refuzuar dorëheqjen e vëllait tim. Ai mbeti në postin ku ishte, por në të vërtetë problemet nuk u zgjidhën, duke sjellë si pasojë dëme shumë të rënda në organizimin e hetimeve që ekipi Antimafie kishte çuar përpara.

*Shkëputur nga libri "Giovanni Falcone, një hero i vetmuar", përkthyer në shqip nga gjyqtari Engert Pëllumbi dhe botuar nga shtëpia botuese UETPRESS

Liberale Newsroom

A duhen rritur pagat e prokurorëve dhe të gjyqtarëve sipas kërkesës së tyre?

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH