"Nuk është e rëndësishme të përcaktojmë nëse kemi frikë ose jo, por të dimë të bashkëjetojmë me të dhe të mos kushtëzohemi prej saj. Kjo quhet kurajë, përndryshe do të ishte papërgjegjshmëri." - Giovanni Falcone
Prindërit tanë vendosën të na edukonin me atdhedashuri, edhe falë shembullit që patën nga xhaxhai dhe daja. Jo vetëm që na mësuan se kur atdheu të thërret duhet t’i përgjigjesh, por në shtëpi nuk shprehën asnjëherë pakënaqësi ndaj tij, megjithëse i kishte prerë në mes jetët e reja të vëllezërve të tyre.
Ana, unë dhe Giovanni jemi, pra, fryt i këtij edukimi. Nga kjo e pati origjinën dashuria jonë për Italinë, përkatësia jonë ndaj shtetit, megjithëse të shoqëruar nga eksperienca të mëvonshme vetjake, besime fetare dhe zgjedhje politike të ndryshme.
Giovanni ndoqi shkollën e mesme pranë liceut klasik Umberto I, ende edhe sot një institut palermitan me emër. Atje njohu profesorin Franco Salvo, mësuesin e tij të historisë dhe filozofisë, një njeri me formim iluminist, i bindur se arsyeja qëndronte në themel të gjithçkaje. Mësimet e tij ishin thelbësore në formimin e Giovanni-t që, gjatë të gjithë jetës, pati përherë një karakter jashtëzakonisht racional.
Vëllai im ishte gjithmonë shumë i zoti përgjatë viteve të tij shkollore. Në vitet e para shkëlqente, ndërsa në lice, megjithëse arriti të ruante rezultate shumë të mira, ishte ndoshta pak i shpërqendruar nga aktiviteti sportiv që kishte vendosur ta praktikonte në nivel garues. Nëna, megjithatë, nuk e gëlltiste dot këtë gjë. Ankohej për faktin se “i pari” i klasës nuk ishte më ai, por shoku i tij Onofrio Nicastro, i shndërruar në “përndjekësin” e Giovanni-t të shkretë. (Shumë kohë më pas, gruaja e Onofrio-s më rrëfeu se burri i saj dhe Giovanni u shuan pothuaj në të njëjtën kohë. Edhe Onofrio vdiq pak a shumë në të njëjtën periudhë me vëllanë tim, por nga një sëmundje e pashërueshme.)
Gjithsesi, Giovanni e mbaroi liceun klasik me nota maksimale dhe na befasoi me lajmin se kishte dëshirë të ndiqte Akademinë Detare të Livornos. E justifikoi zgjedhjen e tij duke u shprehur se e dashuronte detin dhe donte të diplomohej në Inxhinieri. Ishte një traumë e madhe për ne. Më tepër se perspektiva e një karriere ushtarake, ajo që na tronditi ishte mendimi se do të largohej nga shtëpia. Prindërve të mi sidomos iu prenë krahët prej shkëputjes së Giovanni-t nga familja dhe nga Siçilia. Për këtë arsye, ata përpiqeshin që ta kompensonin largësinë nëpërmjet mbajtjes së një korrespondence të rregullt dhe plotë dashuri me të birin, përmes së cilës merrnin informacion të vazhdueshëm për studimet, humorin dhe shëndetin e tij. Babai në këto letra përdorte me Giovanni-n tone të ëmbla, e quante “bukuroshi im” dhe e përshëndeste duke e puthur dhe puthur sërish.
***
I përfundoi studimet universitare në vitin 1961, kur ende jetonte në shtëpi me prindërit. Kuptoi menjëherë se donte të bëhej pjesë e sistemit të drejtësisë, jo vetëm sepse ndërmjet disa karrierave të mundshme ishte ajo që i dukej më e ndershmja dhe që ofronte më shumë liri, por edhe për faktin se e dinte që në atë konkurs nuk do të kishte pasur nevojë për rekomandime. Që në atë kohë, në fakt, Siçilia ishte e famshme për rekomandimet, por Giovanni nuk donte t’ia dinte. Në këtë prizëm, zgjedhja e sistemit të drejtësisë ishte edhe për arsye pragmatike.
Edhe në sport vëllai im kishte qasjen e tij tipike, konkret dhe i fokusuar në arritjen e rezultatit. Që kur filloi gjimnazin dhe deri kur mori pjesë në konkursin e Magjistraturës ushtroi disa aktivitete sportive me një qëndrueshmëri të lartë, megjithëse iu desh ta braktiste nivelin garues për shkak të një dëmtimi, në vitin 1956. Kështu, pati kaluar në kanotazh, duke frekuentuar Kanotazhin e Palermos gjatë të gjithë viteve të universitetit. Mori vetëm dy herë pushime të gjata për t’u shkëputur nga stërvitja, herën e parë për t’u diplomuar dhe tjetrën për të marrë pjesë në konkursin e Magjistraturës.
Vite më pas, partneri i tij në kanotazh më rrëfeu se, sa herë humbiste një garë, Giovanni shtronte pyetjet: “Ku gabuam? Çfarë mund të bënim për të shmangur gabimin?”. Ky ishte një përshkrim i karakterit të vëllait tim. Kërkonte gjithmonë të përmirësohej. Nëse donte të arrinte një qëllim, për të ishte e rëndësishme të zgjidhte rrugën e duhur dhe të angazhohej në maksimum.
Për t’u kthyer tek studimet, ai u diplomua me notat më të larta, me rezultate të shkëlqyera, duke mbrojtur temën e diplomës rreth fazës paraprake të mbledhjes së provave në të drejtën administrative, e udhëhequr nga profesori Pietro Virga.
Vitin pasues, në një festë, njohu një vajzë të bukur, Rita Bonnici. Ishte pesë vite më e re se ai dhe do të bëhej dashuria e tij e madhe deri në 1978-ën. Nuk na e prezantoi menjëherë, edhe për faktin se Giovanni ishte gjithmonë i rezervuar. Nga ana tjetër, prindërit tanë nuk ndërhynin kurrë në zgjedhjet tona, edhe kur, ndoshta, nuk pajtoheshin plotësisht me to.
Unë e njoha Ritën në vitin 1962, gjatë pagëzimit të vajzës sime të parë, Lucia-s, rast gjatë të cilit Giovanni e prezantoi në familje. Unë që e doja aq shumë vëllanë tim sa ndjeva, në mënyrë instiktive, një entuziazëm të madh për Ritën. Për më tepër, e shihja për herë të parë të dashuruar vëllanë tim. Unë isha njëzet e pesë vjeçe, Rita nëntëmbëdhjetë. Në atë kohë ishte mësuese filloreje, më pas do të regjistrohej në universitet dhe do të diplomohej në Psikologji.
Ishte një vajzë e bukur brune, me sy të zinj të mëdhenj. Tiparet siçiliane. Në disa aspekte pasqyronte të njëjtin ideal femëror të babait, që kish pasur gjithmonë një preferencë për brunet. Në fakt, edhe nëna e tillë ishte.
Giovanni dhe Rita u martuan pasi ai fitoi konkursin për në Magjistraturë, në vitin 1964. Dita e dasmës qe e paharrueshme. E pashë vëllanë tim shumë të emocionuar, ashtu siç ishte edhe babai, ndoshta edhe më shumë se në martesën time. Ceremonia u zhvillua në një kishë shumë të shtrenjtë për ne, familjen Falcone, kisha e Trinitetit të Shenjtë në Magione. Atje, në fakt, ishim martuar si Ana ashtu edhe unë, pa llogaritur mamanë që merrte pjesë aktivisht si zonjë bamirëse në të, si dhe famullitarin që ishte një mik i familjes sonë.
Vitet e para të martesës shenjuan një periudhë të begatë dhe intensive për Giovanni-n, që me optimizëm ishte duke hedhur themelet e një të ardhmeje tek e cila besonte. Për fat të keq nuk po arrinin të kishin fëmijë, por si kompensim nuk vonuan sukseset e para profesionale. Në fakt, ishte vetëm njëzet e gjashtë vjeç kur u bë pretor në Lentini dhe zgjidhi çështjen e tij të parë me pasojë vdekje. Ishte një aksident në punë, në të cilin një njeri kishte mbetur viktimë i shtypur nga shembja e një kantieri ndërtimi.
Kam një kujtim të bukur të vëllait tim gjatë atyre viteve. Më duket sikur e kam përpara syve ndërsa punon nën një sfond muzikor, mundësisht të Moxartit ose Verdit. Por mos mendoni se ishte një djalosh demode apo i sertë. Në të njëjtën kohë, e dashuronte teknologjinë moderne dhe kishte pasion rosat. Po, koleksiononte rosa dhe dinte t’i imitonte shumë mirë. Fëmijët e mi shkriheshin gazit kur ai e bënte zërin si to. Kishte filluar ta kultivonte këtë pasion pikërisht në Lentini, në një rast kur, pasi kishte bërë një gabim tha: “Nuk është e rëndësishme që të bësh si bibë, por të korrigjohesh”.
*Shkëputur nga libri "Giovanni Falcone, një hero i vetmuar", përkthyer në shqip nga gjyqtari Engert Pëllumbi dhe botuar nga shtëpia botuese UETPRESS