Nga Gani Mehmetaj
"Robi i lartësive" me autor Ermir Nika, botuar nga “Fan Noli” në Tiranë, 2020
Kur e rilexova romanin “Robi i lartësive” të Ermir Nikës, u përpoqa të rikujtoja shëtitjen time të parë me teleferik në Malin e Dajtit. Ndjenjë e veçantë e shkëputjes nga bota e zhurmshme, shurdhëri që t'i mbyllte veshët, adrenalin që të bënte ta ndiesh veten pezull në ajër, depërtim në sferat më të larta ku dikur mendonim se jetojnë zotat. Kurrë nuk kisha qenë më parë në Dajt. Një herë të duket vetja në një botë surreale, pastaj kthehesh në realitet mu si tek romani.
M'u kujtua pastaj cilësimi i autorit për një brez që niseshin me një baule për studime jashtë shtetit, ndërsa dukeshin të hutuar dhe të humbur: “Askush prej nesh nuk është i ndryshëm prej askujt. Dukemi të gjithë si bijtë e një vejushe të pabindur. Aspak nuk flasim dhe nuk japim shpjegime, pasi në fakt në jetët tona ka fare pak gjëra që mund të rrëfehen. S’ishim vetëm një grup i përzgjedhur maturantësh, por e vërteta është se të gjithë qemë ateist, e për më tepër të mbrujtur vetëm me ide e bindje marksiste". (faqe 86).
Pastaj dalëngadalë Nika shpalos fatet e protagonistëve, të njëjtë në fatkeqësinë e tyre, të ngjashëm në pikëllimin e heshtur që i ndjek prapa.
Dhe së fundi të duket se edhe ti rri pezull në ajër mu si tekniku kinez Can Pao Y., protagonisti i romanit. Po inxhinieri shqiptar ku e kishte vendin: afër sivëllai kinez me një të kaluar po aq dramatike: ia morën të dashurën, e degdisën në fund të botës. Svjetllana e tij u vetëvra nga terrori i sistemit sovjetik, ndërsa Adrianin e kishin syrgjynosur prapa diellit. Kinezi fatkeq pati fat(keqësi) të njëjtë.
Romani ka dy kohë dhe dy hapësira gjeografike, këtu dhe atje, Shqipërinë dhe Kinën. Ngjarja zhvillohet në dy rrafshe paralele, të cilave autori u kthehet në retrospektivë. Ka një galeri personazhesh që i skalit me një përkushtim e dashuri të veçantë; ka emocione e zymtësi që ta këpusin shpirtin; ka një koloni teknikësh të syrgjynosur e ushtarësh të degdisur, që më shumë ngjasojnë me skllevërit modern, apo skllevërit e socializmit më të egër që njohu historia.
Kjo mënyrë rrëfimi pastaj nuk të le të qetë, të dalin dy figurat e vetmuara.
Stili i Nikës është i veçantë, ndonjëherë ka atmosferë të rëndë, frymëzënës, por që e ka kuptimin dhe qëllimin e vet.
Autori rrëfen për drithërimën e antenave gjigante në majë të Dajtit si të kishin shpirt, depërtimin e valëve elektromagnetike që e përshkojnë botën dhe prapë kthehen. Është një legjendë urbane për teknologjinë dhe mundësinë e pakufishme të teknologjisë. Në vend të përrallave të dikurshme për gjigantët apo shtrigat e padukshme, e kemi përrallën për komunikimin në një mënyrë tjetër, pa zhurmë dhe pa britma, por klithmat e shpirtit ndjehen.
Kisha lexuar nga ky autor shkrime të ndryshme, analiza e vështrime, por nuk e kisha lexuar asnjë roman a teori letrare, edhe pse në atë lëmi është shumë i njohur. Por gjithnjë pa të drejtë sikurse shumica e shkrimtarëve shqiptarë, binte nën hijen e patriarkut të letërsisë shqipe dhe tre-katër peshkopëve që ua zinin diellin jo nga agresiviteti i shkrimtarëve me emra kumbues sa nga mediat. Ndërkaq, mediat në botën e sotme, hapin rrugë dhe mbyllin rrugë.
Sa herë që e lexoj ndonjë autor shqiptar, ndërsa nuk e kisha lexuar më parë, me mbërthen dëshpërimi: sa pak e njoh letërsinë e re shqiptare, i zënë me specializimin tjetër, i privuar nga mundësia t’i gjej në libraritë a kioskët ku jetoj, i ngarkuar me letërsinë dhe kinematografinë e huaj.
Ermir Nika (mbiemrin ia kam huazuar duke ia shtuar një aj prapa si në Rrafshin e Dukagjinit për të pagëzuar një personazh në romanin tim “Lufta e pengjeve"), është autor që do të përpiqem ta ndjekë në krijimtari, sepse me ofroi një përjetim të veçantë derisa e rilexoja, ndërsa rrallë i rilexoj edhe autorët e famshëm. Qëllimisht nuk hyra në Google të kërkoja krijimtarinë e tij letrare që ta plotësoja këtë shkrim. Doja ta shijoja romanin pa presione anësore. Megjithatë desha ta ngushëlloja vetën se e njoh nga bisedat me të dhe nga diapazoni i gjerë i njohurive të tij për letërsinë shqipe. Ai me nxiti ta rizbuloja romanin e shkëlqyeshëm “Ulku dhe Uili” të Vath Koreshit.
Ermir Nika me romanin “Robi i lartësive” do të mbetët ndër shkrimtarët e mi të preferuar, me qasjen e veçantë, me një stil të rrjedhshëm dhe me ngrohtësinë ndaj protagonistëve. Janë dy drama që rrëfehen në një mënyrë të veçantë, janë dy fate që të dalin parasysh edhe kur përpiqesh t’i heqësh nga mendja.
“Robi i lartësive” është roman që të shpalos një botë ndryshe. Derisa e lexoja pyesja vetën: a e kishte trashëguar tekniku kinez qetësinë epike të Budës dhe a kishte arritur të “infektoj” inxhinierin shqiptar me këtë filozofi? A janë dy botë të ndryshme, që fati i përpoqi, edhe pse nga skajet e ndryshme të një planeti: njëri kishte jetuar në hapësirat e paana me dendësi të madhe të popullatës dhe tjetri në një tokë të vogël, ku nga kodra në kodër shpesh duhej të komunikoje me duart si hinkë para gojës që të thërrisje komshiun.
Debati për transcendentalen, budizmin dhe filozofinë orientale të Lindjes së Largët e bën me interesant librin.
“Robi i lartësive” është roman që e vlen ta lexosh, që të kuptosh prurjet letrare të një brezi që më pak e njohim me gjakimet e tyre dhe me krijimtarinë artistike. Ia vlen ta lexoni për shumë arsye: për thellësinë e rrëfimit, temën e veçantë, qasjen humane, skalitjen e protagonistëve, por dhe të figurave tjera, paraqitjen e kohës e të hapësirës ndryshe etj.