Kylian Mbappe është kthyer në stërvitje me Real Madridin në Palm Beach, SHBA, pas disa ditësh mungese për shkak të një gjendjeje virale që e detyroi madje të shtrohej edhe në spital. Pamjet e fundit të shpërndara nga klubi tregojnë qartë një rënie të dukshme në peshën e tij.
Sipas stafit mjekësor të Realit, Mbappe ka humbur rreth 5 kilogramë që prej mbërritjes në SHBA më 15 qershor, ndërsa pesha e tij normale është rreth 75 kg. Si pasojë, ai ka munguar në dy ndeshjet e para të skuadrës dhe është në dyshim edhe për takimin e fundit në grup ndaj Salzburgut.
Megjithatë, klubi nuk e përjashton mundësinë që ai të luajë disa minuta në këtë ndeshje, nëse gjendja e tij fizike përmirësohet më tej në ditët në vijim.
Mbappe vetë ka shfaqur dëshirën e madhe për t’u rikthyer sa më shpejt në fushë. Në një postim në “Instagram”, ai shkroi:
“Pritjes po i vjen fundi, gati për t’u kthyer.”