Letërsi

"Giovanni Falcone, një hero i vetmuar”, botim i UETPRESS/ Jeta e kufizuar e një gjyqtari antimafie

Shkruar nga Liberale

"Giovanni Falcone, një hero i vetmuar”, botim i UETPRESS/ Jeta e

“Të njohësh një fenomen, nuk do të thotë të jesh dakord, dhe aq më pak ta vlerësosh atë. Unë jam përpjekur ta nxjerr në dritë”.- Giovanni Falcone

Ishte fundi i vitit 1979, momenti kur filluan hetimet e mëdha antimafie. Në këtë kontekst, dhe me gjendjen shpirtërore që mund të imagjinohet, Giovanni e pranoi ofertën që prej shumë kohësh Chinnici i kishte propozuar, duke kaluar në Zyrën e Hetimit të seksionit penal. Kohë më pas, duke kujtuar atë zgjedhje, do të thoshte: «Mekanizmat e ngathët dhe bizantinë më zhgënjyen, me vendosmërinë për të më larguar nga çështjet e bashkëjetesës së njerëzve, nga e drejta civile, për të më zbuluar hap pas hapi të drejtën penale. Ishte vlerësimi objektiv i fakteve që më magjepste».

Mbaj mend se nëna kishte marrë vesh nga një shoqe e saj rreth mundësisë që Giovanni mund të hynte në grupin e punës së Chinnici-t dhe më kishte rrëfyer se shpresonte që ai të mos pranonte, sepse në qytet qarkullonin tashmë fjalët se Chinnici ishte një gjyqtar “i veçantë”, një nga ata që merrej me mafien.

Në atë kohë Chinnici po kërkonte vendin që ishte lënë bosh nga kolegu Cesare Terranova, i vrarë më 25 shtator 1979, në prag të ripranimit të tij në sistemin e drejtësisë si drejtues i Zyrës së Hetimit të Gjykatës së Palermos, pas mandatit parlamentar. Veprimtaria e Terranova-s në politikë (ishte zgjedhur nga listat e Partisë Komuniste Italiane) i kishte dhënë mundësinë që të punonte krah për krah me Pio La Torre-n, dhe për të qenë pjesë e Komisionit Antimafie për dy legjislatura. Në këtë mënyrë, ai po hetonte për mafien dhe prokurimet, për lidhjen ndërmjet Salvo Lima, Vito Ciancimino dhe Giovanni Gioia, por u vra, së bashku me truprojën e tij Lenin Mancuso, besnikërisht në krah të tij për njëzet vjet, ndërsa ishin brenda një Fiat 131.

Në maj të vitit 1980, Chinnici i besoi Giovanni-t hetimin e tij të parë kundër Rosario Spatola-s, një ndërtues banesash palermitan, i papërlyer dhe shumë i respektuar, sepse ndërmarrja e tij i kishte dhënë punë qindra punëtorëve. Ishte në të vërtetë karikatura e një bamirësi. Fatin e tij ia detyronte pastrimit të parave që ishin fryt i trafikut të heroinës të klaneve italo – amerikane të drejtuara nga Stefano Bontate, Rosario Di Maggio, Salvatore Inzerillo dhe Carlo Gambino.

Bëhej fjalë për një hetim me shumë rrezik, dhe Giovanni e dinte shumë mirë këtë gjë. E dinte se duhej të vepronte në mënyrë shumë të matur, me kujdes dhe duke ndryshuar strategjinë hetimore të përdorur deri në atë kohë, qoftë edhe duke e ngatërruar “armikun” me veprime krejtësisht të reja. Si fillim kuptoi që duheshin ndjekur gjurmët dhe lëvizjet financiare dhe bankare. Për këtë arsye, duke studiuar shenjat e lëna nga paratë nuhati si një gjahtar trafiqet e ndryshme ndërkombëtare. U ngjit kështu tek raporti ndërmjet miqve të Spatola-s dhe familjes amerikane të Gambino-ve, duke zbuluar, nëpërmjet hetimeve korporative – bankare, lidhjet ndërmjet mafies amerikane dhe asaj siçiliane. Ishte një zbulim i jashtëzakonshëm. Mafia nuk “luante” më vetëm në shtëpi.

Ende kujtoj tavolinat e sallonit të nënës të mbuluara me çeqe që shërbenin për të hetuar mbi lëvizjet e ndryshme të parave të pista, hetime që askush s’i kish bërë më parë. Pecunia non olet thoshin romakët e lashtë, ‘paraja nuk ka erë’. Ato lëvizje të çuditshme të parave, në të vërtetë, kishin padyshim kuptim dhe do ta çonin në vitin 1986 tek maksiprocesi.

E pyeta vëllanë tim shumë herë se përse kishte hyrë në atë punë kaq të rrezikshme. Një ditë, ndërsa po nisej të shkonte për në gjykatë, teksa ndodhesha përpara derës së shtëpisë mora guximin dhe e pyeta me rrëmbim: «Po përse shkon tek Chinnici?».

«Vetëm një jetë kemi», m’u përgjigj për të justifikuar angazhimin e tij. Megjithatë, ajo shprehje kishte edhe një shije tjetër. Mund të interpretohej si «vetëm një herë do vdesim».

Giovanni kishte shkuar të punonte me Chinnici-n sepse e ndiente që ishte detyra e tij ta bënte dhe kaq.

Sado trim të ishte, sado të mos i lexoheshin në fytyrë shenja frike, në atë periudhë, rreziku ishte i pranishëm. Në Palermo, dikush kishte nisur një kasaphanë. Me të vërtetë, filluan të binin një nga një punonjës policie, gazetarë, magjistratë.

Më 6 gusht 1980 u vra Kryeprokurori i Palermos Gaetano Costa dhe fill pas kësaj Giovanni-t i caktuan eskortë. Vrasësit e Costa-s nuk u arrestuan kurrë, por Gjykata e Krimeve të Rënda të Katanias e përcaktoi motivin e vrasjes si të lidhur me fushat e gjera dhe të shumta në të cilat ai kishte hetuar gjatë mandatit të tij si Kryeprokuror i Palermos, nga krimi i organizuar tek krimet kundër veprimtarisë shtetërore, pa llogaritur këtu hetimet mbi vrasjen Mattarella. Gjykata, mbi të gjitha, e identifikoi “dënimin e tij me vdekje” si të lidhur me vleftësimin e arrestimit të disa personave që i përkisnin klanit mafioz të atribuuar Rosario Spatola-s dhe Totuccio Inzerillo-s, të cilat prokurori i kishte firmosur personalisht dhe pa mbështetjen e prokurorëve të tjerë, që kishin refuzuar ta bënin këtë gjë. Në përmbledhje të kësaj që u tha, vrasja e Costa-s pra, e kishte origjinën nga ajo e ashtuquajtur “zonë gri” në të cilën puqeshin bizneset, politika dhe krimi i organizuar.

Në këtë kontekst, qe Rocco Chinnici ai që deshi të ngrinte një grup pune, duke shfrytëzuar fillimisht bashkëpunimin e Giovanni-t, Paolo Borsellino-s dhe Giuseppe Di Lello-s. Projekti do të zhvillohej më pas nga Antonino Caponnetto (zëvendësoi Chinnici-n, i cili u vra më 29 korrik 1983) që, në mars të vitit 1984, do të ngrinte zyrtarisht një skuadër të përbërë nga katër magjistratë (ndërkohë i ishte shtuar grupit edhe Leonardo Guarnotta), e cila do të bashkërendonte hetimet duke shfrytëzuar përvojën e fituar dhe atë panoramë të sjellë nga vëllai im mbi fenomenin mafioz.

Të katër pjesëtarët e grupit ndiheshin pranë me njëri-tjetrin, ishin shokë dhe kishin një ëndërr të përbashkët, t’ia kthenin qytetin palermitanëve dhe Siçilinë siçilianëve të ndershëm, duke ia u hequr atyre që, përkundrazi, donin t’i bënin të nënshtruar, dhe, natyrisht, donin të mposhtnin helmin që po i shkatërronte, mafien.

Giovanni kishte një volum shumë të madh pune të cilin duhet ta merrte me vete edhe në shtëpinë e nënës sonë në rrugën Princi i Paternos. Apartamenti i tyre komunikonte me tonin, dhe që nga ai moment u bë një problem i madh të frenoje rendjen e fëmijëve të mi, në atë kohë të vegjël, në shtëpinë e gjyshes, sepse nuk duhej ta shqetësonim xhaxha Giovanni-n.

Eskorta i bënte përshtypje kujtdo që afrohej në banesat tona. Madje, as ne nuk po mësoheshim dot me atë gjë. Giovanni përpiqej të qetësonte nënën, duke i thënë se ata burra ishin aty sa për formalizëm. Në të vërtetë ishin aty për të ruajtur atë, ditën dhe natën.

Shpeshherë në mëngjes, kur dilja për të shkuar në shkollën ku jepja mësim, në sheshpushimin e pallatit gjeja të njëjtin punonjës policie në shërbim të përhershëm. Ditë pas dite, rreziku shtohej gradualisht. Filluam të kishim frikë për Giovanni-n, i cili, përkundrazi, tregohej indiferent. Ishte i qetë në përballjen me atë stil të ri jete. Na shfaqte një realitet të ëmbël, na mbronte, dhe ne dukeshim të bindur, megjithëse shqetësimi na gërryente në këndin më të fshehtë të mendjes sonë.

Padyshim, në atë periudhë Giovanni-t iu kërkua që të braktiste çdo aktivitet apo veprimtari jashtë punës. Të vetmin pasion që nuk deshi ta braktiste ishte noti. Arriti kështu një marrëveshje me eskortën. Do të vazhdonte të stërvitej me kushtin që do të bënte vetëm ndonjë larje në pishinën publike në mëngjes ose përpara mbylljes së saj, kurrë në kohën e pikut.

Për shkuarjen në kinema, në fakt, Giovanni hoqi dorë vullnetarisht. Ndihej shumë në siklet që t’i detyronte drejtuesit e sallave për të mbajtur bosh katër rreshta përpara dhe katër pas vendit ku do të duhej të ulej ai.

Në të njëjtën mënyrë iu desh të eliminonte të gjitha zakonet e tjera të një njeriu të lirë. Të ecte në këmbë nga shtëpia për në gjykatë, siç bënte një herë e një kohë? E pamundur. Hapat e ngadaltë, të heshtur dhe të këndshëm u zëvendësuan me makina të zhurmshme që xhironin gomat, sirenat, helikopterët dhe madje vrapimet e eskortës nëpër shkallë për të kontrolluar katet, nëse Giovanni ngjitej në apartament me ashensor.

Megjithatë, ky tension nuk e pengoi kurrë vëllanë tim që të punonte si më parë, në mos më shumë.

*Shkëputur nga libri "Giovanni Falcone, një hero i vetmuar", përkthyer në shqip nga gjyqtari Engert Pëllumbi dhe botuar nga shtëpia botuese UETPRESS

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH