KF Tirana dhe trajneri Bledi Shkëmbi kanë ndërprerë përfundimisht bashkëpunimin. Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi kryeqytetas, duke konfirmuar atë që ishte përfolur prej kohësh.
Pas një marrëveshjeje të ndërsjellë, palët kanë vendosur të mbyllin aventurën e dytë të Shkëmbit në stolin e Tiranës. Trajneri i njohur udhëhoqi skuadrën në 15 ndeshje, me një sezon të vështirë që përfundoi me shpëtimin në elitë vetëm pas finales kundër Pogradecit.
Në njoftimin zyrtar, KF Tirana falënderon Shkëmbin për kontributin, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij gjatë kësaj periudhe dhe i uron suksese të mëtejshme në karrierë.