Kylian Mbappé, sulmuesi i njohur francez dhe yll i Real Madridit, po trajtohet në Miami për shkak të një problemi shëndetësor që e ka mbajtur larg fushës. Mbappé është diagnostikuar me gastroenterit akut, një gjendje që e detyroi të qëndrojë i izoluar në hotel dhe të ndjekë një regjim të rreptë shëndetësor.
Problemet për Mbappén nisën pas stërvitjes së së hënës, dy ditë para ndeshjes kundër Al Hilal, kur ai nisi të ndjente simptoma të rënda. Që nga ajo ditë, lojtari ka qëndruar në dhomën e tij, pa asnjë kontakt me pjesën tjetër të ekipit. Ushqimi i tij është kufizuar vetëm në elektrolite dhe fruta, ndërsa aktiviteti fizik ka qenë i ndaluar plotësisht.
Trajneri Xabi Alonso shpresonte që Mbappé të ishte në dispozicion deri në minutën e fundit, por gjendja e tij nuk lejoi as pjesëmarrjen në stadium si spektator. Për shkak të mungesës së përmirësimit, klubi vendosi ta transferojë sulmuesin në një spital në Palm Beach, për trajtim më të specializuar.
Mungesa e tij në ndeshjen kundër Pachucas është tashmë e sigurt. E vetmja mundësi për një rikthim të mundshëm mbetet ndeshja e tretë në grup, ndaj Salzburgut më 27 qershor – por gjithçka do të varet nga ecuria e rikuperimit të tij.