Zgjedhjet e 22 marsit 1992. Mbrëmja e fitores në PD
Në zgjedhjet e 22 marsit, nga dy milion e njëzet e një mijë zgjedhës të regjistruar, morën pjesë në votime rreth nëntëdhjetë përqind e tyre, një shifër rekord që nuk do të përsëritej më kurrë në të ardhmen. U votua me një sistem të përzier mazhoritar proporcional pa tavan, që do të prodhonte një parlament me 140 vende. Partia Demokratike do të merrte 62 përqind të votave proporcionale në shkallë vendi, Partia Socialiste 27, 7 përqind, Partia Socialdemokrate 5 përqind, Partia Republikane 4,3 përqind, partitë e tjera më të vogla rreth 3 përqind. Në llogaritjen dhe shpërndarjen përfundimtare të mandateve, PD do të merrte nëntëdhjetë e dy vende, Partia Socialiste tridhjetë e tetë vende, Partia Socialdemokrate shtatë vende, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dy vende dhe Partia Republikane një vend.
Nga largësia e njëzet viteve, përveç pjesëmarrjes së jashtëzakonshme dhe fitores me shumicë dërmuese të koalicionit të partive të reja PD-PR-PSD- PBDNJ, njëqind e dy vende gjithsej, përpiqem të shoh çfarë ka qenë e çfarë ka mbetur tjetër si shenjë dalluese e atyre zgjedhjeve të rralla. Një shenjë e tillë mendoj se ishte renoncimi i Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj Fatos Nano nga një përballje e mirëfilltë elektorale me kundërshtarët. Kjo parti dhe kryetari i saj zhvilluan një fushatë për të mbetur në skenë. Synimi i tyre ishte t’i mbijetonin historisë, jo të provokonin me ambicien për të konkurruar dorë për dorë. Koha kishte thirrur në skenë ndryshimin e madh, Partinë Demokratike, kreun e saj.
Ky ishte verdikti i caktuar nga një histori e gjatë izolimi dhe vuajtjesh, nuk kishte mënyrë tjetër për të aborduar iluzionet e reja të lugës së artë dhe iluzionizmin e ri të Eldorados shqiptare se sa marrja e gjithë pushteteve prej demokratëve. Instiktiv apo i menduar, renoncimi ishte një qasje e drejtë e socialistëve, fisnike nga një anë, dinake nga një anë tjetër, por kjo nuk kishte shumë rëndësi. Ata ia dolën të kalonin gjallë në portën e përflakur të historisë së re, duke ruajtur koutat e një opozite më shumë se modeste, por cilësore në përbërje. Në mbështetje te tezës së renoncimit shkon edhe e ashtuquajtura marrëveshje e Triestes, një takim në Itali mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe kreut të Partisë Socialiste, Fatos Nano, i ndërmjetësuar nga emigranti i njohur politik me seli në Itali, Mentor Qoku. Në këtë takim, gjatë një pjesëmarrjeje autonome të palëve në një veprimtari politike jashtë vendit, mori pjesë edhe Aleksandër Meksi, i cili ishte projektuar si kryeministri i ardhshëm i qeverisë së Partisë Demokratike, ndërkohë që Berisha do të merrte postin e Presidentit. Nuk është shkruar asgjë në Trieste. Nuk ka patur asnjë marrëveshje as të hapur e as të fshehtë ku palët kanë venë firmat pasi janë marrë vesh për pikat e negociuara. Krerët e dy partive vetëm janë parë dhe kanë folur në Trieste.
Por shikimi dhe e folura u ka mjaftuar për t’u marrë vesh për çfarë kishin nevojë.
Duke pohuar e pranuar pa fjalë rrotullimin e nevojshëm të skenës së pushtetit në favor të demokratëve, Nano, ka mundësi, ka dashur të dizajnojë një hipotekë të paqes më rivalin e tij, për çfarë mund të ketë marrë sigurime pa doganë. Berisha jepte çdo gjë për fitoren. Kush do ta pengonte t’i kalonte në lupë një nga një premtimet dhe sigurimet e dhëna kur të merrte pushtetin dhe t’u vinte një kryq të madh atyre që nuk i leverdiste më t’i mbante? Një shenjë e dytë ka qenë vërshimi në PD në prag të zgjedhjeve i një fluksi sasior intelektualësh të Partisë së Punës. PD kishte hedhur në këtë kohë sloganin “bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës”, që kishte bërë për vete shumë prej tyre.
Por më shumë se sllogani që do të degradonte më vonë me ardhjen e PD-së në pushtet në praktika të goditjes selektive, këtë kategori e kishte tërhequr “djathtas” era e ndryshimit të pushtetit. Një apoteozë e këtij vershimi ishte një takim elektoral shumë i zjarrtë i kreut demokrat me ta në kulmin e fushatës. Përveç disa intelektualëve të njohur si prekursorë të ndryshimeve demokratike që kishin mbështetur qysh në lindje Partinë Demokratike si dhe disa ish të përndjekurve politikë, në sallën e mbipopulluar të Teatrit të Operas kishin ardhur në shumicë edhe ata që ishin parë të mblidheshin gjithmonë në evente të tilla.
Komuniteti i madh i mediokërve, konformistëve dhe puthadorëve të pushtetit nga fushat e shkencës, mësimdhënies, letërsisë, pikturës, skulpturës, muzikës, artit skenik, kinematografisë, folklorit, trashëgimisë kulturore, gazetarisë, e tjerë e tjerë, figuronte në bllok, pothuajse pa mungesa, ulur në karriget e sallës së operas kush kishte patur shkathtësinë të ulej dhe në këmbë pjesa tjetër, në korridoret, në anësoret, në hyrjet e sallës. Kalamendja e asaj mase njerëzish, ngjeshur si kokrrat në shegë, të krijonte përshtypjen se salla do të thyhej nga çasti në çast. Shumica njiheshin nga afër me njëri tjetrin, ishin parë e takuar me dhjetëra herë në takime të ngjashme, ishin sërish të lumtur, e reflektonin në çdo gjest vetëdijen e të qenët të dobishëm edhe për regjimin e ri. Dhe reflektonin gjithashtu fuqinë e të qenit bashkë dhe veneracionin për udhëheqësin e ri, që me emrin dhe fytyrën e tij përfaqësonte të vetmin ndryshim apo të vetmen risi në atë panair tradicional të konformizmit intelektual shqiptar.
Në koherencë me qëndrimet e mia të mëparshme unë duhej të ndihesha i gëzuar që kishin ardhur kaq shumë. A nuk isha ankuar unë në Kuvendin e parë të PDSH-së kundër sektarizmit dhe mbylljes që mbante larg PD-së intelektualët? A nuk kisha kërkuar në foltoren e atij Kuvendi një hapje më të madhe dhe një raport me të ngrohtë të Partisë me ta? A nuk kisha dashur dhe a nuk isha përpjekur të bëhesha fjalëmiri, kumbaroja dhe zëri i tyre në Partinë Demokratike! “Ja, pra, ata erdhën, gëzohu tani”, thosha me vete duke parë sallën e teatrit të Operas plot e përplot. Po vetvetiu me kalonin nëpër mend betejat tona të humbura për lirinë në atë parti dhe pyetjet “a e dinë ata se Neritan Ceka është linçuar, a e dinë ata se unë nuk kam kandiduar në maxhoritar, a e dinë ata për Demetin, Kadarenë, Pashkon, Kekon…, dhe së fundi a e dinë ata se nuk ishin aty për tjetër gjë veçse për të krijuar një lajm elektoral, se ishin ftuar për fasadë dhe jo se kishte ndonjë hapje të re të partisë ndaj intelektualëve, se nuk është hapje të mbledhësh masë dhe numra për t’u mbajtur një fjalim, kur partia u është mbyllur ndërkaq intelektualëve si individë! I dinin, nuk mund të mos i dinin të gjitha këto, por i kishin injoruar në thirrjen e fuqishme të konformizmit dhe frikës së re, kur në vazhdën e një historie të vjetër shqiptare forca e re politike dhe lideri i saj kishin goditur e po godisnin korentin libraldemokrat si përmasë politike dhe kulturore. Nuk mund të isha i gëzuar.
Kamerat e televizionit shtetëror, që po filmonin ketë takim, kërkonin dhe ndaleshin me qëllim mbi disa fytyra të përqendruara, për të mos thënë të magjepsura shkrimtarësh e artistësh, nderuar me medalje, urdhëra dhe dekorata shumë prej tyre nga vetë Enver Hoxha dhe Ramiz Alia. Dukeshin sikur thoshnin ku kemi qenë më parë dhe unë, duke nënqeshur me vete, kujtoja një histori komike nga puna në gazetën “Zëri i rinisë”.
Gazetari i lajmeve të faqes së parë, Xhevdet Shehu, ishte caktuar të bënte një shkrim për jehonën e fjalës që kishte mbajtur Lenka Çuko për rininë. Kjo kishte propozuar që organizmi i jetës së brendshme të rinisë në fshat të kalonte nga nivel organizate në nivel komiteti. “Ku paskemi qenë më parë”, ishte sipas Xhevdetit komenti i të rinjve lushnjarë për ketë direktivë.
Ja, ashtu me dukeshin mua shkrimtarët dhe artistët e magjepsur, tamam si ata të rinjtë e Lushnjës, veçse këta të dytët mund ta kishin pasur edhe me të tallur, në mos ishte tallur Xhevdeti në emër të tyre, ndërsa të parët jo. S’donin ta dinin, ose, më keq, e dinin si një gjë të mirë, siç e kishin menduar gjithmonë, shpërthimin e qartë të luftës së re të klasave dhe gjuetisë së re të shtrigave kundër liberalëve në Partinë Demokratike. Ata po brohorisnin emrin e njeriut që kishte udhëhequr e udhëhiqte këtë gjueti. Një shenjë e tretë, e paharrueshme, është përvetësimi i fitores së të gjithëve nga një njeri i vetëm.
Mbrëmjen e 22 marsit, kur sapo kishte filluar numërimi i votave, u duk qartë se po ngrihej e po merrte formë fletë pas flete një fitore e thellë, më e thellë se sa pritej e PD-së dhe partive të spektrit të ri. Sa më shumë dilte në pah fitorja, aq më shumë spikamë fitonte lidershipi i Sali Berishës në selinë e partisë. Rezultatet fantastike shtonin një pas një karrige deputetesh në llogarinë e tij. Gjatë mbrëmjes ishte parë të shkonte e të vinte disa herë në korridorin e katit të dytë të selisë. Azem Hajdari, Gramoz Pashko, unë dhe Arben Imami po i merrnim rezultatet në zyrën e këtij të fundit, duke pirë cigare dhe duke kthyer ndonjë gotë. Dera e zyrës ishte e hapur. Kushdo që kalonte në korridor na shikonte dhe e shikonin. Edhe Berisha na kishte përshëndetur në ato ecejaket e tij të herëpashershme, duke na përcjellë gëzimin e lajmeve të mira. Ne ia kishin kthyer përshëndetjet me një hare të shtuar. Ishim më shumë në numër dhe më pak protagonistë se ai në fitoren që po konturohej. Dikur, afër mesnatës, u kthye i tjetërsuar prej përndritjes nga salla e kompjuterave ku përpunoheshin rezultatet. Kaloi pa e kthyer kokën nga ne si herë të tjera. E kishte nga entuziazmi i madh, e kishte kot, kush e merrte vesh! Nuk është e thënë që njeriu të bëjë disa herë të njëjtën gjë. Por në zyrën ku po rrinim pllakosi papritur një heshtje e keqe.
Në fakt nuk e kishim përjashtuar versionin që Berisha, me kalimin e ditëve, të nisej pa ne duke shtrënguar në gji një fitore të thellë, të pacenueshme nga rebelimet eventuale të pesë-gjashtë deputetëve. Por që ky çast të vinte në formën e moskthimit të kokës në mbrëmjen që duhej të ishte më e gëzuara dhe pse jo mbrëmja e të shkuarave dhe të harrurave për gjithë çfarë kishte ndodhur mes nesh gjatë vitit të fundit, këtë nuk e kishin pritur.
- Kjo punë mbaroi, puna jonë mbaroi këtu, - e theu i pari heshtjen Arben Imami, që u ngrit nga karrigia ku ishte ulur dhe shkoi të merrte xhaketën që kishte lënë varur në një varëse prapa derës. Azem Hajdari i zuri rrugën.
- Prit, ku po shkon?
Kishte pirë pak dhe ishte skuqur në fytyrë.
- Në shtëpi, - iu përgjigj qetësisht Arbeni. Azemit i lëvizi një damar në ballë. Gjithnjë sikur dilnin tepër këta dy njerëz, kur di¬kush fitonte. Ata u vështruan një copë herë sikur po lexonin në sytë e njëri tjetrit pohimin e këtij destini.
- Për atë zot nuk ke për të ikur! - gjëmoi papritur Azemi. Ndërhyri dhe Pashkoja, duke i thënë Imamit se nuk ishte momenti për të ikur.
- Jo, pra! - thirri Azemi.
Disa njerëz erdhën nga thellësia e korridorit për të parë ç’po ndodhte. U bë një zallamahi e vogël. Unë isha dakord me Imamin. Ishte ora për t’u kthyer në shtëpi. Azemi me pa me hidhërim.
- Jo, jo, mor burrë! Duhet të rrimë të bashkuar, të festojmë. Kemi pjesën tonë në fitore. Është gabim i madh t’ia lemë krejt në dorë Berishës.
Me këto fjalë u duk sikur po na e kthente mendjen mua dhe Imamit, kur për dreq, dikush erdhi nga paradhoma e Berishës dhe na kërkoi të mbanim qetësi pasi “doktori po bën qeverinë”.
Si? Si?
Azemi u kthye nga lajmësi dhe e pa me ca sy të mbushur me dramë dhe zemërim. Nuk po u besonte veshëve. Ia kishte ngulur sytë sikur po kërkonte t’ia nxirrte tjetrit nga thellësia e shpirtit të fshehtën se kush e kishte dërguar. Ah, po të kishte ardhur me mendjen e tij nga dëshira për të mbajtur qetësi, gjë që pak gja¬sa kishte sepse nuk ishte kaq trim sa të na drejtohej ashtu, ishte gjysma e gjysmës së të keqes. Por po ta kishte dërguar Berisha…kjo ishte shumë. Do të thoshte se nuk ishte i kënaqur ta mban¬te të tërën për vete fitoren që kishte shkarkuar në selinë e PD-së populli shqiptar, por donte edhe të na lëndonte duke na trajtuar si zhurmaxhinj.
-Më prisni këtu!- tha i bërë spec i kuq në fytyrë. -Do të shkoj t’i marr ministrat e mi! - shtoi dhe u nis drejt zyrës së Berishës.
Azemi nuk do të na tregonte se çfarë bisede pati atë natë me Berishën në zyrën e këtij të fundit. Kur u kthye, nuk e kishte atë vrullin e fillimit, u kuptua qartë se nuk i kishte marrë ministrat e tij- pesë ose gjashtë, me sa mbaj mend-por që kishte marrë diçka më modeste, kjo i lexohej në vështrimin e tij miqësor, ku lodronte një si dinakëri fëminore karakteristike, që korrektonte automatik¬isht, gjysmë për gjysmë, ashpërsinë e tij të jashtme. Dalëngadalë filloi ta pushtonte dehja dhe ekstaza e fitores. “Është gëzuar Zoti”, tha në një media në të zbardhur të ditës së re.
Gramozi, që mezi kishte fituar në bastionin socialkomunist të Selenicës së Vlorës, do të lihej jashtë qeverisë. Azemi vetë, që shpirtërisht qëndronte afër Imamit dhe meje, ndërsa mbante një filling të veçantë krahine dhe nozullimi me Berishën, do të lihej jashtë qeverisë gjithashtu. Arben Imami do të kandidonte me Pjetër Arbnorin për postin e kryetarit të Kuvendit dhe do të humbte për një apo dy vota të numëruara me gisht nga ata të presidiumit. Mua, Demetit dhe Kadaresë nuk do të na ofrohej asnjë detyrë.
*Shkëputur nga libri i publicistit Preç Zogaj, “FILLIMET, ngjarje, dëshmi, kronikë, refleksione nga vitet ‘90-’92”, botuar nga UETPRESS