Letërsi

“Lufta e Kosovës dhe Hashim Thaçi”, botim i UETPRESS/ Misteri pas zgjedhjes së Thaçit në krye të delegacionit të Rambujesë

Shkruar nga Liberale

“Lufta e Kosovës dhe Hashim Thaçi”, botim i UETPRESS/

“Unë, Hashimi dhe Ibrahimi dalim jashtë Kështjellës. Fryn erë e fortë dhe e ftohtë dhe strehohemi në anën e murit që s’e kap era. E fillojmë bisedën e “konstituimit”. Propozoj që Kryesia të ketë Kryetarin dhe ky të jetë Hashimi. Kur e dëgjon këtë propozim, Ibrahimi kundërshton të jetë në Kryesi! Ka pritur të jetë shef i delegacionit, ndoshta! Kalojnë më shumë se dhjetë minuta duke e lutur që të jetë në Kryesinë e delegacionit. Në një çast Hashimi i drejtohet me fjalë shumë mikluese. Kur e marrim pajtimin e tij, me gjysmë goje të shqiptuar, e bëj në mendje informatën të cilën, posa hyjmë në sallë, ia diktoj gazetarit që punonte në kompjuter. Informata u çohet mjeteve të informimit.”

Kështu e përshkruan Rexhep Qosja, anëtar i Delegacionit Shqiptar të Rambujesë, zgjedhjen e Hashim Thaçit, kryetar të delegacionit, me konsensus.
Të mbështetur pas një muri, tre burrat më të rëndësishëm të delegacionit, po përcaktonin njëherazi balancën e forcave të Kosovës së ardhshme. Nuk dihet sesa befasuese ka qenë kjo zgjedhje për vetë Thaçin.

Në dy intervista në kohë të ndryshme ai ka qëndrime kontradiktore. Në një intervistë të vitit 2000 shprehet:
“Ishte një qëndrim unanim, i të gjithëve pa dallim, edhe i përfaqësuesve të LBD-së, edhe të shoqërisë civile, edhe të anëtarëve të LDK-së, që delegacionin ta udhëheqë përfaqësuesi i UÇK-së, meqë unë isha udhëheqës i Drejtorisë Politike të UÇK-së.U zgjodha si kryesues i delegacionit të Kosovës, por kishte edhe rekomandime nga komuniteti ndërkombëtar, posaçërisht nga Amerika, që të mirëkuptojë këtë propozim.”

Ndërsa në një tjetër të vitit 2008, nuk i përmend më ndërkombëtarët.
“Ishte një marrëveshje e spektrit politik, që delegacionin e Kosovës duhet ta udhëheqë faktori që e kishte dërguar Kosovën në Rambuje.”
Eshtë vështirë të thuhet që ndërkombëtarët kanë qenë të kënaqur me zgjedhjen e Thaçit. Në të njëjtin libër, Qosja dëshmon:
“Organizuesit e Konferencës do ta presin në heshtje caktimin e Hashimit shef të delegacionit. Heshtja e tyre është plotësisht e kuptueshme. Për mendjet demokratike nuk mund të jetë e kuptueshme që kryetar të bëhet përfaqësuesi i organizatës ushtarake derisa këtu janë edhe përfaqësuesit e dy forcave politike.”
Qosja ka qenë i saktë në analizën e tij. Në kujtimet e kohëve më vonë, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Ollbrajt shprehet:

“Delegacioni shqiptar prej gjashtëmbëdhjetë vetash përfshinte udhëheqësin e moderuar politik Ibrahim Rugova, gazetarin e respektuar Veton Surroi, akademikun Rexhep Qosja dhe përfaqësuesit e partive të tjera politike, të pavarurit dhe UÇK-në. Papritmas, delegatët zgjodhën si kryetarin e tyre një komandant të UÇK-së, njëzetenëntëvjeçarin Hashim Thaçi, i cili kishte një fizik të gjatë e thatim. Me të, deri atëherë kishim patur shumë pak kontakte. Dukej se caktimi i Thaçit pasqyronte rënien e vazhdueshme të pozicionit të Rugovës, i cili pas gjithë asaj fyerje nuk e hapi gojën thuajse fare.”

2 vjet më pas, Ollbrajt iu tha për Thaçin gazetarëve të dokumentarit “The fall of Milosevic”: “Thaçi kishte karakteristikat e duhura. Ai ishte i ri, i gjatë dhe karizmatik.”
Deri 5 ditë më parë, në të gjitha propozimet besohej se LDK-ja do të kishte një numër më të madh përfaqësuesish. Ndërkombëtarët e kishin marrë këtë vendim duke respektuar zgjedhjet që ishin mbajtur në Kosovë më 22 mars 1998 dhe që kishin nxjerrë LDK - në fituese. Por në dy ditët e fundit, ata e kishin kuptuar se suksesi i Konferencës do të ishte PO - ja apo JO - ja e UÇK-së. Zgjedhja e Thaçit i komplikoi gjërat. Shërbimet Sekrete u përfshinë në një investigim të nxituar dhe në analiza se kush ishin faktorët që ndikonin Thaçin? Cilat ishin grupimet që orientonin atë dhe mbi të gjitha, cilët ishin personat influentë, brenda apo jashtë Kështjellës, që do të vendosnin PO - në e tij. Është Kris Hill ai që shpreh më së miri dilemat e diplomacisë amerikane:
“Një anim në favor të lidershipit të UÇK-së nuk na shërbente, sidomos kur dinim shumë pak gjëra mbi Thaçin atë kohë. Nëse ishte vërtet lideri, apo nëse pas tij fshihej dikush tjetër. Politika e jashtme e SHBA-së është e mbushur me histori, ku ajo mbështet aktorin më agresiv në një luftë civile, duke zbuluar se ai nuk ishte ai që kërkonte.”

Sipas dokumenteve të deklasifikuara amerikane, të dhënat e Shërbimeve iu dërguan 3 ditë më pas, përfaqësueve amerikanë në Rambuje. Ata u orientuan gjithashtu që të bëjnë verifikimet e tyre në vend. Kjo vërtetohet edhe nga zhvillimet aty.
Në datën 10 shkurt, ndërsa shumica e anëtarëve të delegacionit ishin duke ngrënë darkë apo ishin ngjitur në dhomat e tyre, një këshilltar i ambasadorit Hill iu afrua Thaçit për t’i thënë se Ambasadori kërkonte ta takonte personalisht në zyrën e tij. Ishte ora 22:00, kur Hashim Thaçi u ngjit në dhomën e Hill, ku befas, gjeti edhe Kristian Pauls, diplomat i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë. Ai ishte zyrtari më i lartë i diplomacisë gjermane në Konferencë. Të dy diplomatët kishin nisur me një seri pyetjesh, që mundoheshin të dukeshin sa më normale:160
- Kur dhe si është formuar UÇK-ja?
- Kur dhe si je njohur me Adem Jasharin?
- Kur je takuar për herë të parë me Ibrahim Rugovën?
- Pse nuk je bashkuar me vijën politike të tij?!
- Përse bashkëpunoni më mirë me Aganin dhe nuk bashkëpunoni dot me Rugovën?

Hashim Thaçi duhet të ketë qenë i befasuar nga breshëria e pyetjeve dhe mbi të gjitha nga serioziteti me të cilin dy diplomatët mbanin shënim përgjigjet e tij. Të gjitha ato u përfshinë në një raport që iu dërgua Shtëpisë së Bardhë, Shërbimit Sekret Amerikan, Departamentit të Shtetit dhe prej andej NATO - s. Raporti është i mbushur me plot detaje të tjera nga përgjigjet e Thaçit. Aty flitet për opinionet e tij mbi lidhjet LDK-UÇK; raportet LPK-UÇK; LKÇK-UÇK; LPK-LKÇK; Demaçi-UÇK-ja; angazhimi i të rinjve në UÇK; roli i Albin Kurtit dhe lidhjet mes Lëvizjes Studentore dhe UÇK-së; gazetën “Koha Ditore”; gazetën “Zëri i Kosovës”, “Bota e Re”; raportet me Surroin, Blerim Shalën, Shon Berns.

E vetmja pjesë e padeklasifikuar e këtij raporti, dhe që nuk është bërë publike ende, është ajo kur flitet për raportet e Thaçit me Qeverinë e Shqipërisë, kryeministrin Pandeli Majko, ish-kryeministrin Fatos Nano, ish-presidentin Berisha, për trazirat në Shqipëri në pranverën e vitit 1997, dhe për lidhjet e Thaçit me diasporën shqiptare në Zvicër, e veçanërisht në Zyrih.
Raporti është një model sesi vendet Perëndimore nuk donin të ishin të keqinformuara. Sesi ato kryqëzonin raportet që vinin nga struktura të ndryshme dhe pa kontakte mes tyre.

Hashim Thaçi nuk e ka mohuar kurrë këtë takim, që zgjati më shumë se 4 orë dhe që mbaroi rreth ores 02:00 pas mesnate. Në një intervistë të vitit 2000, ai kujton bisedën në përgjithësi dhe një detaj, nga një pyetje e ambasadorit Hill:
- Pse Hashim në takimin tonë në nëntor 1998, në Dragobil, më tepër keni heshtur? Se kam kuptuar asnjëherë qëndrimin tënd të heshtur. Atëherë nuk fole asnjë fjalë, ndërsa tani je Shefi Politik i UÇK-së dhe delegacionit kosovar?
Zhvillimet e atyre ditëve i kishin lëkundur analizat e deriatëhershme të diplomacisë.
Së pari, LDK-ja dukej qartë se nuk do të ishte forca vendimmarrëse në Rambuje. Ndërkombëtarët kishin parë që LBD-ja ishte rreshtuar hapur në krah të UÇK - së. Pra raporti i forcave ndryshonte.

Së dyti, UÇK-ja kishte nxjerrë në krye të saj, një djalë të ri, për të cilin, veç Petriçit, askush nuk dinte gjë. Deri atë ditë, ata kishin negociuar kryesisht me Bardhyl Mahmutin dhe Xhavit Halitin. Tani befas, numri një ishte bërë djali i heshtur i takimeve të mëparshme.
Zgjedhja e Thaçit në krye të delegacionit të UÇK – së, dhe më pas në krye të Delegacionit të Kosovës, po ashtu mbetet një mister. Përse Thaçi, më i riu, dhe jo Azem Syla, që dukej se ishte njeriu më i rëndësishëm i UÇK - së në Kosovë? Përse Thaçi dhe jo Xhavit Haliti, që ishte po ashtu njeriu më i njohur i UÇK - së në emigracion? Cila qe ajo forcë, apo ato forca, që e kishin shtyrë atë përpara? Cili kishte qenë ai person, që kishte dhënë ndihmën finale? Pyetjet ende nuk kanë përgjigje. Dhe nuk dihet nëse do të marrin ndonjëherë. Por një gjë dihet me siguri. Me të ardhur në krye të delegacionit në Rambuje, Hashim Thaçi mori një rol protagonisti që s’e priste askush. Ambicioz, i vendosur, tejet i kujdesshëm, ai nisi atë ditë të 7 shkurtit 1999, një udhë të dominimit politik që vijon në Kosovë ende sot, 20 vjet më pas!
Por atë mëngjes të 7 shkurtit 1999, më të shqetësuar ishin ndërkombëtarët që po merreshin me çështjen e Kosovës. Ata po mundoheshin të kuptonin se në ç’raport force dhe vendimmarrjeje ishin dy personazhet më të rëndësishëm të Delegacionit Shqiptar në Rambuje?

Delegacioni kishte tashmë, kryesinë e tij:
Hashim Thaçi - kryetar i Delegacionit
Ibrahim Rugova - zëvendëskryetar
Rexhep Qosja - zëvendëskryetar,
Veton Surroi – zëdhënës

*Shkëputur nga biografia “Lufta e Kosovës dhe Hashim Thaçi” me autorë gazetarët Blendi Fevziu dhe Baton Haxhiu, botuar në 2020-ën nga shtëpia botuese UETPRESS

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH