Kristjan Asllani, mesfushori i Interit, ka ndarë përshtypjet e tij pas barazimit 1-1 ndaj Monterrey në ndeshjen e parë të Botërorit të Klubeve. Ai u shpreh se skuadra kishte shumë dëshirë për ta nisur me fitore, por një gol i pësuar nga goditje standarte i kushtoi shtrenjtë.
“Ka mjaft gjëra pozitive. Mëkat që pësuam me një goditje standarte. Kishim shumë dëshirë për ta nisur me tre pikë, por tani duhet të mendojmë për ndeshjen tjetër”, tha Asllani.
Ai theksoi se nuk ka shumë ndryshim në stilin e lojës mes trajnerit aktual Cristian Chivu dhe ish-trajnerit Simone Inzaghi, pasi moduli mbetet i njëjtë dhe kërkohet presion i lartë ndaj kundërshtarit.
“Jemi mësuar me këtë mënyrë loje. Goditjet standarte i kemi provuar vetëm një ditë, ndaj ka ende për të përmirësuar. Fizikisht jemi mirë, por ndoshta ndjehet pak lodhje mendore, që nuk duhet të na ndikojë”, u shpreh ai.
Asllani komentoi edhe skemën me dy mesfushorë, duke thënë se ekipi është fleksibël dhe mund të përshtatet. Ai theksoi rëndësinë e përmirësimit në fazën e presionit dhe përshtatjes ndaj kërkesave të trajnerit.
“Duam të kalojmë grupin. Sa më shumë kalon koha, aq më shumë do të përmirësohemi”, përfundoi mesfushori kuqezi.